Aktuale
“St Fagans” zgjidhet Muzeu i Vitit në Mbretërinë e Bashkuar
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2019/07/st1.jpg)
Një atraksion i trashëgimisë kulturore, i cili i ka dhënë jetë dhe ka mishëruar kulturën uellsiane, është zgjedhur Muzeu i Vitit në Mbretërinë e Bashkuar.
Muzeu kombëtar i historisë “St Fagans” vitin e kaluar ka përmbushur një projekt me vlerë prej 30 milionë funtash dhe është shpërblyer të mërkurën për “imagjinatë të jashtëzakonshme, inovacion dhe arritje”.
Artisti Jeremy Deller ka shpallur se atraksioni i trashëgimisë, afër Cardiff, ka fituar çmimin “Art fund” për vitin 2019 në një ceremoni në Muzeun e Shkencave në Londër. Ky çmim ka vlerën 100 mijë funte, njëherësh Çmimi më i madh për art në Britani.
Drejtori i “Art Fund”, Stephen Deuchar, dhe anëtarët e jurisë kanë thënë se Muzeu është transformuar nga një projekt për rizhvillim, që ka bërë së bashku qindra e mijëra vizitorë dhe vullnetarë.
Një nga anëtarët e jurisë së vitit 2019, Bridget McConnell, drejtoresha ekzekutive e “Glasgow Life” ka vlerësuar Qeverinë e cila ka qenë një mbështetëse e entuziazmuar e “St Fagans”.
“Të gjithë që i kam parë dhe i kam takuar në ‘St Fagans’ ishin duke biseduar për historinë që kanë ndarë, kulturën apo eksperiencat që kanë kaluar”, ka thënë ajo. “Ky është vendi i tyre dhe kjo është ndier fuqishëm në çdo vizitë”.
“St Fagans” ka më shumë se 50 ndërtesa që qëndrojnë rreth Muzeut në lokacione të ndryshme të Uellsit, duke ua mundësuar vizitorëve që të bëjnë një ecje gjatë historisë së Uellsit, që nga koha parahistorike e deri në ditët e sotme.
Ky ka qenë çmimi i parë i fituar nga Muzeu për formën e tanishme që e ka. Muzeu Kombëtar i gropës së madhe të qymyrit në Blaenavon fitoi çmimin “Gulbenkian” në vitin 2005.
“St Fagans” fitoi në mesin e finalistëve si: “HMS Caroline” në Belfast, galeria e artit bashkëkohor e Nottingham, “V&A Dundee” dhe muzeu “Pitt Rivers” në Oxford, të cilët shfaqin koleksione arkeologjike dhe antropologjike.
Muzeu, atraksioni i trashëgimisë kulturore më i vizituari në Uells, është i hapur për vizitorët që nga viti 1948, kur ishte hapur me emërtimin “Muzeu Folk i Uellsit”. Përfundimi i një riorganizimi gjashtëvjeçar, vitin e kaluar, ishte projekti më ambicioz i Muzeut, që përfshinte krijimin e galerive të reja, më shumë hapësira për të mësuar dhe një ndërtesë të re – Uellsi për punëtori – e cila është nisur si qendër kombëtare për kreativitet dhe zeje.
Përmes fitimit të Çmimit ai u bashkohet fituesve, që nga vigani “Muzeu Britanik” në vitin 2011 dhe “V&A” në vitin 2016 tek me të vegjlit, por prapë të rëndësishëm si galeria “William Morris”/ The Gurdian.
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2022/04/logo-ndertimi.png)