Aktuale
Si u shemb kulla nën mbrojtje për trashëgimi, MKRS denoncon institucionin tjetër shtetëror

Është pjesë e trashëgimisë kulturore të Kosovës dhe si e tillë është edhe nën mbrojtje. Duke qenë me vlerë për trashëgiminë e vendit, Kulla e Demë Ahmetit në Reçicë të Podujevës po i nënshtrohet restaurimit, në mënyrë që t’i qëndrojë kohës.
Kushtrim Hajzeri
Mirëpo, ende pa përfunduar procesi i restaurimit ruajtja e saj hasin në rrezik serioz. Një pjesë e kësaj kulle u bë rrafsh me tokë. E, si ndodhi kjo ekzistojnë dy versione. Se u rrënua pa leje nga punëkryesi dhe se u rrëzua vetë nga vjetërsia dhe ndërhyrjet e gabueshme në të kaluarën.
Restaurimi i kullës me vlerë në Podujevë, që filloi në vitin 2017 dhe do të vazhdojë deri në vitin 2020, po bëhet me financimin e Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale (AMKM) dhe kap vlerën 658 mijë euro, shkruan Ndërtimi.info.
Punëkryesi i restaurimit të Kullës së Demë Ahmetit, “Loni” sh.p.k për Ndërtimi.info, ka dhënë versionin e tij të kësaj çështje, duke mohuar se është rrënuar ky objekt.
“Sa i përket rrënimit të kullës kjo nuk qëndron. Kulla është restauruar siç është paraparë, janë bërë të gjitha intervenimet e domosdoshme për ruajtjen e origjinalitetit të kullës edhe pse gjendja e saj ka qenë jashtëzakonisht e rëndë, ku deri sa ishim duke punuar në pjesën e kulmit, pa pritur objekti është shembur duke u dëmtuar komplet kulmi si dhe trarët nga druri duke vazhduar kështu edhe me shembjen e disa pjesëve të mureve të kullës, kjo shembje ka ardhur si rezultat i ndërhyrjeve jo profesionale dhe i dëmtimeve të mëdha që ka pasur objekti në të kaluarën”, thuhet në një përgjigje të kësaj kompanie për Ndërtimi.info.
Ky operator ekonomik ka theksuar se menjëherë është njoftuar investitori, në këtë rast AMKM-ja, dhe pas daljes në teren kjo e fundit kishte dhënë leje që vazhdohen punimet, që të ruhen pjesët tjera të kullës, me arsyen se nuk ka zgjidhje tjetër.
Mirëpo, me këtë nuk po pajtohet Ministria e Kulturës. Sipas kësaj ministrie investitori ka rrënuar pjesën e kullës pa marrë leje nga institucioni kompetent.
Këshilltari i lartë politik në Ministrinë e Kulturës, Samir Hoxha ka thënë për Ndërtimi.info se në lidhje me këtë çështje do të iniciohet procedurë gjyqësore ndaj investitori – Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale.
“Në ndërkohë, investitori duke mos e respektuar vendimin e IKMM-së, e ka rrënuar monumentin, pa poseduar leje për atë veprimtari, si dhe në kundërshtim më Vendimin e Institucionit Kompetent, Komisionit për Vlerësimin e Projekteve Restauruese – Konservuese në kuadër të Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, andaj ky veprim përbën shkelje ligjore. Duke e konsideruar këtë veprim si tepër shqetësues dhe të pa pranueshëm, MKRS ka kërkuar urgjentisht nga ana e institucioneve kompetente në këtë rast Departamenti i Trashëgimisë Kulturore si dhe zyra Ligjore e MKRS-së, që të iniciohet procedura për kallëzim penal ndaj shkelësve të ligjit në këtë rast ndaj investitorit”, ka theksuar Hoxha.
Në anën tjetër në Agjencinë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale e mohojnë se Kulla është rrënuar qëllimisht.
Adnan Elshani nga kjo agjenci ka nënvizuar se shembja ka ndodhur në atë pjesë ku më parë ka intervenuar Qendrën Rajonale të Trashëgimisë Kulturore.
“Kulla nuk është rrënuar qëllimisht ajo është shembur pjesërisht, sepse intervenimi që iu ka bërë më herët ka qenë joprofesional , joadekuat dhe me material të papërshtatshëm, pra që s’i përket atij objekti. Kulla është përforcuar dhe është restauruar- rindërtuat me të njëjtin material dhe pa e humbur formën e saj, e që tani është e përfunduar. Gjatë vizitave kemi konstatuar se kulla ishte e dëmtuar dhe është lejuar për aq sa nuk mund të qëndroi, pra të restaurohet – rindërtohet por me të njëjtin material dhe ne e kemi bërë pikërisht atë. Kulla ka dimensionet ekzistuese, formën dhe madhësinë identike sa ka qenë”, është shprehur ai.
Ai, ka shtuar se kulla ekzistuese nuk është origjinalja, sepse gjatë periudhave të ndryshme ajo dy herë është rindërtuar dhe madje as themelet e kullës ekzistues nuk janë ato origjinalet.
Por, pavarësisht kësaj gjendje punimet janë duke vazhduar sipas projektit 3 vjeçar, iku parashihet të ngritët kompleks memorial, ku përfshihen edhe varrezat e dëshmorëve të asaj periudhe dhe memorialin bashkë me varrezat e luftës së fundit të UÇK – së./ndertimi.info/
