Uncategorized
Si të zgjedhni perdet e duhura për shtëpinë tuaj

Perdet janë një tjetër aksesor shumë i rëndësishëm i shtëpisë tuaj. Ato ndryshojnë totalisht dhomën tuaj ndaj duhet të bëni shumë kujdes në zgjedhjen e tyre duke marrë në konsideratë copën, ngjyrën, gjatësinë dhe në cilën dhomë të shtëpisë do i vendosini.
Nëse dëshironi të bëni ndryshim në shtëpi, por nuk doni që të lëvizni shumë gjëra, ndërroni perdet. Perdet e bukura mund ta bëjnë dhomën më pak monotone. Në bazë të stilit të dhomës suaj mund të zgjidhni perde pambuku, perdet e mëndafshta, perde të tejdukshme, lino etj. Këto materiale mund të jenë pak më të shtrenjta se të tjera, por janë shumë më të qëndrueshme karshi dritës së diellit, pluhurit. Këto materiale nuk duhet të lahen në lavatriçe. Më emira, është larja nëpër pastrimet kimike, por që mund të provohet edhe larja me dorë me ujë të vaktë dhe detergjentë të zgjedhur mirë.
Si të zgjedhni materialin e duhur? Shikoni për cilësi të mirë, materiali i lirë i perdeve do të prishet më kalimin e kohës dhe do ta humbë shkëlqimin. Nësë doni të trasformoni dhomën tuaj, një perde e varur kadife ose prej mëndafshi në ngjyrë ari, e cila është e gjatë deri poshtë afër dyshemese, do të dukej madhështore. Por perdet duhet të përzgjidhen në raport me mobiljet dhe orenditë e tjera të dhomës. Për dhomat e mbushura me mobilje më sportive, do të shkonin modelet e thjeshta të perdeve. Për dhomat ku kolltukët dhe tapetet janë me zbukurime e figura të ndryshme, atëherë perdet preferohen të jenë tyl i hollë dhe me pak ngjyra mbase edhe një ngjyrëshe. Për dhomat e shtruara në mënyrë klasike, nuk duhet të mendohen kurrsesi modele sportive perdesh..
Dritaret e mëdha. Preferohen perde prej materiali të trashë në trajtë kadifeje. Gjatësia e këtyre perdeve, duhet të jetë deri në tokë. Për sallonet apo soxhornot siç kanë nisur të quhen, do të preferoheshin ngjyrat vishnje, jeshile, e verdha e errët, kafja, e kuqe dhe tonet e ngjyrës bezhë. Vendimi për këto merret sipas mobiljeve që keni në dhomë. Por nëse në sallon keni mobilje dhe tapetë me dekoracione të shumta, një tyl i lehtë do të qëndronte më këndshëm.
Dhomat e fëmijëve.
Për dhomat e fëmijëve, perdet duhet të qëndrojnë larg ekzagjerimeve. Për këto dhoma, nuk do të preferoheshin perde të gjata deri në tokë, por deri sa të mbulohet dritarja. Materiale të lehta dhe të buta do të jepnin një atmosferë më të pranueshme për karakterin e moshës.
Nëse do të përdoret tyl, për dhomat e djemve mund të përzgjidhen perde me figura heronjsh kinematografikë apo filmash vizatimorë, që djemtë i pëlqejnë. Për vajzat, disa flutura apo lule që zbukurojnë dekorin e perdes. Copat që teprojnë nga perdet, mund të përdoren edhe për dekoracione të ndryshme brenda dhomës.
Kuzhina
Dhomat e gatimit janë ato që kanë nevojë për më shumë dritë dhe ajrosje në një shtëpi. Gatimi i përditshëm dhe disa herë në ditë, bën që këto ambiente të shoqërohen vazhdimisht nga aroma të ndryshme, avuj, etj.
Perdet për këto dhoma, duhet të mendohen të jenë nga materiale që mund të lahen lehtë dhe shpesh. Kurrsesi nuk duhet të zgjidhen modele që zgjaten deri në tokë. Ngjyrat duhet të jenë jo të errëta, pasi krijojnë gjendje stresuese.
Perdet e dhomave të gjumit mund të jenë të ngjyrave të ndryshme. Një perde e gjatë mëndafshi që zgjatet deri në tokë e mbase pse jo të krijojë edhe rrudha mbi dysheme e shoqëruar me një tyl të hollë në pjesën e brendshme të dritares. Kadifeja është material i preferuar për këto lloj perdesh.
Një tjetër bukuri do ti shtohej dhomës tuaj të gjumit nëse do të mendonit një kuvertë krevati të përgatitur nga materialet e perditshme.
Çfare duhet të keni parasysh kur duhet të beni blerjen e perdes?
Ka disa gjëra që duhen marrë parasysh kur bëhet blerja e perdeve për shtëpinë tuaj të cilat përfshijnë:
-Çfarë madhësie perdeje i përshtatet më mirë dritares tuaj?
-Nëse ju gjeni perde që janë pak më të mëdha, por ju i doni ato, a mund të pershtaten ato sipas madhësive të kërkuara?
-Sa para jeni të gatshëm të shpenzoni në blerjen e perdeve?
-Të cilit stil i përshtaten perdet në dhomë?
-Gjëja më e mirë është të mendohesh para se të bësh blerjen, përndryshe do të rrezikoni që ato të mos duken bukur në shtëpinë tuaj.
