Arkitekturë
Si evoluan shtëpitë e shqiptarëve nga kulla deri te ato me teknologji
Një shprehje thotë se personaliteti ynë reflektohet edhe në shtëpinë ku banojmë. Ndërtimi i shtëpive për strehim ka ndryshuar shumë përgjatë viteve. Shumëllojshmëria e materialeve të ndërtimit, zhvillimi i sistemit hidraulik dhe të ngrohjes, përparimet në arkitekturë, zhvillimi i teknologjisë madhësia e familjes dhe rritja e përgjithshme e standardit të jetesës janë disa nga faktorët që kanë ndikuar në evoluimin e shtëpive. Këto dallime nga ana tjetër kanë ndryshuar dhe formuar marrëdhëniet familjare dhe shoqërore, ku hapësira dhe privatësia personale janë bërë një realitet.
Njohës të fushës thonë se që nga koha e gurit njeriu filloi të mendoj për strehimin e tij, ku fillimisht shtëpitë u krijuan nga druri dhe kashta për të vazhduar në përmasimin e materialeve të ndërtimit, varësisht nga lokacioni gjeografik e të ndikuar nga klima, shkruan Ndertimi.info.
Evoluimi dhe zhvillimi i shtëpive dhe stileve të ndërtimit në trojet shqiptare është zhvilluar në relacion me pozitën gjeografike, diversitetin e ndikimeve kulturore, qasjen në materialet ndërtimore dhe njohuritë në teknikat e ndërtimit.
Kosova në aspektin e ndërtimit është një vend i njohur me tiparet e saj identifikuese që janë refleksion i kulturës shqiptare. Si një vend i njohur për mikpritje dhe besë, ndërtimi i shtëpive i është përshtatur traditës ku janë të njohura shumë kullat si mjet identifikimi, objektin e banimit me qoshqe në ballin kryesor, objekte banimi me treme, oda të burrave, objekte të banimit të tipit çardak.
Këto konstruksionet kryesisht janë të ndërtuar nga materiali i përzier, guri i lidhur me llaç balte dhe druri në katin e sipërm, planimetria katërkëndëshe kënddrejta, të ndara në kate që kanë funksione të ndryshme si: në përdhese kemi ahurin dhe shtëpinë e zjarrit, ndërsa në kat të parë kemi çardakun odën e burrave dhe disa kthina gjumi.
Si ndërtim dëshmues i identitetit etnik të popullit shqiptar janë kullat të cilat shquhen për tipare të veçanta kompozicionale, konstruktive, funksionale e artistike. Këto ndërtime popullore të banimit janë ngritur në fund të shekullit XVIII por mund të hasen edhe në dekadën e parë të shekullit XX, ku përgjatë shekujve është përsosur ndërtimi i saj nga guri, duke e bërë më të fortë për mbrojtje nga armët e zjarrit dhe gjithnjë duke e shtuar e përsosur vlerat artistike të saj. Sot i kanë mbijetuar kohës dhe shquhen si pasuri disa nga kullat si: Oda e Junikut, Osë Dautajve në Isniq, Zenel Beut, Haxhi Zekës në Pejë dhe disa tjera.
Dallim mund të bëhet edhe nga materiali i ndërtimit që është karakteristikë për periudha të ndryshme. Duke filluar nga druri dhe guri i si material bazë, dhe për të vazhduar me periudhën e industrializimit ku paraqiten materialet moderne si betoni dhe tulla e argjila. Zhvillimi më i madh ishte gjatë shekullit të XIX ku janë përdorur materiale me strukturë të përzier druri, guri dhe tulla duke përfituar veçori të caktuara arkitektonike, si: konstruktive, funksionale dhe estetiko-artistike. Shtëpitë janë kryesisht familjare, një deri dy kate, të shpërndara në shtrirjen urbane të qytetit. Druri konsiderohet si materiail ndërtimor më i vjetër i përdorur në Kosovë. Elementet ndërtimore nga druri janë përdorur si strukturë mbajtëse apo i kombinuar në muratori, si përforcues. Ata janë aplikuar kryesisht në ndërtimin e shtëpive urbane dhe rurale, një apo më shumëkatëshe.
Zhvillimi rapid i teknologjisë la gjurmë edhe në ndërtimin e shtëpive në vendin tonë ku gjatë fillimit të shekullit XX kemi shtëpi kryesisht njëkatëshe ku baza katrore u zvogëluan në mënyrë drastike për të kompensuar shpenzimet në rritje të sistemit hidraulik dhe ngrohjes.
Instalimi i energjisë eklektike dhe zhvillimi i sistemeve hidraulike shkaktuan ndërrime në planin e dyshemeve dhe vendosjen e mobileve. Energjia elektrike dhe ngrohja qendrore ishin lehtësitë e brendshme që ndryshuan planet e dyshemeve dhe vendosjen e mobileve. Këto përmirësime kishin efekte të rëndësishme në marrëdhëniet shoqërore dhe, në veçanti, qasjen në hapësirën personale dhe privatësinë. Teknologjitë e vjetra të ngrohjes dhe ndriçimit e kufizuan përdorimin e hapësirës në shtëpi, duke tërhequr anëtarët e familjes në shoqërinë e njëri-tjetrit. Përderisa numri i anëtarëve të familjes zvogëlohet një gjë e tillë nuk ndodhte më madhësinë fizike të shtëpisë, nga ideja e dhomës së gjumit, kalimi në shumë dhoma të gjumit personale e gjithnjë më shume private. Madhësia fizike e shtëpive vazhdoi të rritet e në përpjesëtim të drejtë edhe kostoja e ndërtimit.
Sot shtëpitë në Kosovë në disa nga qytet më të mëdha ndërtohen në mënyrë të organizuar në formë të lagjeve, e që karakterizohen me arkitekture moderne, duke tentuar që të ofrojë të gjitha shërbimet e nevojshme brenda lagjes si blerjen e gjërave ushqimore, çerdhe dhe shkollë për fëmijë dhe shumë veprimtari shërbyese, të planifikuara në detale që të thjeshtësojnë jetesën. Risi e epokës sonë është se mënyra se si e përdorim hapësirën në shtëpitë tona që është vazhdimisht në zhvillim. Përderisa ne transformojmë këto hapësira, ato gjithashtu na transformojnë ne. Këto transformime janë rezultat i ndryshimeve dhe presioneve demografike, ekonomike, jetësore, mjedisore dhe teknologjike.
Tendencat e reja të projektimit parashikojnë teknologji të reja inovative në menaxhim të shtëpisë, më shumë diversitet në arkitekturë, jo tradicional dhe të veçantë. Standardizimi dhe integrimi i materialeve ekologjike dhe përdorimi i energjisë së ripërdorur në objektet e banimit do të jetë një sfidë e re, që duhet adaptuar në Kosovë.
Toska Gjikolli
You must be logged in to post a comment Login