Aktuale
Si e përshkruanin Shtëpinë e Mallrave “Gërmija” revistat e arkitekturës [foto arkiv]

Arkitekti Arbër Sadiki ka sjellë në kujtesën e dashamirëve të arkitekturës një artikull përshkrues që i është bërë ndërtesës së ish-shtëpisë së mallrave “Gërmija”, të bërë në një revistë të arkitekturës. Ai objekt është në rrezik për demolim, pasi po përdoret preteksti i hapjes së rrugës për të ndërtuar sallën koncertale.
Në artikullin e atëhershëm thuhej se ndërtesa është projektuar nga arkitektja Liljana Rashevski, investitor ka qenë Ndërmarrja Tregtare “Gërmija” nga Prishtina. Projekti është bërë në vitin 1970, kur edhe ka filluar ndërtimi për të zgjatur 2 vjet, deri më 1972.
Hapësira e saj ndahej në 4,500 metra katrorë qendër e shtëpisë së mallrave ku shiteshin mallra, ndërsa hapësira tjera përcjellëse dhe administrative 4,000 metra katrorë.
Më poshtë thuhet se objekti është i vendosur në qendër të qytetit, në rrugën “Marshall Tito”, që sot është sheshi pranë bustit të “Skendërbeut”. Objekti është i ndarë në tri objekte që janë të lidhura dhe përbëjnë një të vetëm, në Shtëpinë e Mallrave “Gërmija”.
Pjesa ku ka qenë shtëpia e mallrave dhe bëheshin shitjet ishte përdhesë plus dy etazhe, pjesa ku ishte restoranti dhe salla e eventeve ishte përdhesë plus një etazh, teksa blloku administrativ ishte përdhesë dhe pesë etazhe, ku sot është Ministria e Infrastrukturës.
Për shkak të terrenit, në këtë artikull thuhet se pjesa e supermarketit prej 750 metrash katrorë është pjesërisht e varrosur, teksa pjesa e përparme është në nivelin e pjesës që “shikon në perspektivën e së ardhmes”. Nuk mbeten pa u përmendur edhe shkallët lëvizëse, që një Prishtinë i mban në mend.
Artikulli shpjegon se ka një lidhje si paradhomë në katin e parë ku del në restorant dhe sallë evenimentesh, që mund të përdoret për revyja të modës apo manifestime tjera.
Të tre objektet që përbëjnë këtë shtëpi mallrash kanë material betonarme.
