Aktuale
Si e gjeta kishën më të vjetër në Shqipëri
Në kishën e Ipapandisë, një nga 30 kishat e Dhërmiut, të paktën për tre muajt e verës e mbante derën hapur një vendas që dimrin e kalonte në Athinë. Të dhënat historike tregojnë që kisha e Ipapandisë ndërtuar për Ana Komnenën, është rindërtuar në shek XV mbi një kishë të ndërtuar në shek. Xll.
Vasilit, matematicienit që i kalon pushimet në kishën e fshatit të tij, edhe pas kaq vitesh nuk i mbaron çudia me kimistët e bojërave të pikturave murale.
Shenjtorët janë ende të dallueshëm edhe pse askush nuk është kujdesur për t’i mirëmbajtur. Vasili nis të flasë edhe për kishën më të vjetër të fshatit që sipas disa historianëve është më e vjetra e Shqiperisë.
Është kisha e Shën Stefanit, e rindërtuar në shek XII mbi themelet e një kishe më të vjetër që thuhet se ka qenë e shek Vll. Vasili përpiqet të na i tregojë kishën nga tarraca e kishës së Ipapandisë, por nuk duket asgjë. As kur i afrohesh orientimit. Kisha e Shën Stefanit ishte në Ilias dhe për ta parë duhet të ngjiteshe shkëmbinjve e më pas shtigjeve të malit mbushur me ullinj. Shtegu nuk kishte drejtime orientuese. Rrugës, përveç zhurmës së gjinkallës, nuk kishte të papritura frikësuese.
Shtegu ngushtohej shpesh, diku bëhej rrëshqitës, por asgjë e paparashikueshme. Rrugës, pemët diku hapeshin dhe zbulonin detin që lartësia e bën të jashtëzakonshëm.
Me ritme mesatare duhet të ngiteshe rreth 30 minuta përpara se të shfaqeshin rrënojat dhe Manastiri i restauruar. Përveç jehonës së ca zërave që s’dihet se nga vinin, nuk dëgjohej asgjë. Nëse vazhdon ecjen mund të dalësh në Vuno, por kthimi është më i sigurt, sidomos kur nisesh pa ujë. Në orët e nxehta këto shëtitje nuk janë shumë të mençura, por orët e mëngjesit, janë optimale sepse je gjithë kohës nën pemë dhe shtegu ta tregon rrugën vetë, mjafton të pyesni banorët nga duhet të niseni./dritare.net/Ani Jaupaj