Aktuale
Shumica e deponive ilegale në Kosovë janë nga ndërtimi
Prishtina është një kantier i madh ndërtimi. Rrjedhimisht edhe ndotja nga mbeturinat inerte është e madhe.
Madje disa nga ata që ndërtojnë apo rrënojnë një objekt, mbeturinat i hedhin në një nga rrugët periferike të qytetit, duke shndërruar hapësira të ndryshme në deponi ilegale.
https://www.facebook.com/ndertimiinfo/videos/269868266861847/
Sipas udhëheqësit të Iniciativës “Let’s Do It Kosova”, Luan Hasanaj, shumica e deponive ilegale janë nga mbetjet inerte ose ndërtimore.
“Fatkeqësisht shumica e deponive ilegale janë me mbetje inerte ose ndërtimore. Janë të krijuar nga ndërtuesit e pandërgjegjshëm”, thotë Hasanaj.
Komunat që prijnë nga ndotja me mbeturina inerte janë qendrat e mëdha.
“Janë komunat e mëdha, sepse atje ka ndërtime më të mëdha, por nëse e krahasojmë me numrin e popullësisë është njëjtë githandej. Përpos dy komuna të vogla, Graçanica dhe Mamusha janë më mirë”.
Por, janë kornizat ligjore ato që turbullojnë gjithë situatën. Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor thotë se ata nuk kanë asgjë në dorë dhe se merren me ndotës të mëdhenj. Për ligjin flet edhe Hasanaj.
“Ligji nuk parasheh pothuajse asgjë. Është një paragraph që sugjeron komunat të mendojnë për hapësirat për krijimin e deponive. Por që duhet të jetë në harmoni me ligjet e BE-së dhe ato parashohin që të jetë 20-25km të jetë larg nga vendbanimet dhe kjo ka penguar komunat që të gjejnë hapësirat”, thotë ai.
Në anën tjetër, Prishtina si qyteti më i madh në Kosovë, në një përgjigje elektronike për Ndërtimi.info ka thënë se ata kanë gjetur një lokacion afër liqenit të Badocit, gjë që nuk e lejon Ministria e Mjedisit.
Duke mos pasur një lokacion, Komuna e Prishtinës ka thënë se i vetmi vend i lejuar është Deponia Sanitare në Mirash, duke paraqitur problem ngaqë ka sasi të madhe të mbetjeve inerte.
Kontrata për largim të deponive ilegale, Prishtina nënshkruan çdo vit, duke përfshirë edhe vitin 2017.