Aktuale
Shumë shpejt Kosova do të bëhet me Qendër për Astronomi [video animacion]

Në një periudhë kohore prej 4 muajsh, Kosova synon të bëhet me Observatorin dhe Planetariumin e parë falë amandamentit të propozuar në Kuvendin e Kosovës, i cili mori përkrahjen e të gjithë deputetëve të tjerë.
Pranvera Hyseni, drejtuese e organizatës Astronomy Outreach of Kosovo po e cilëson si një “derë e re drejt Universit” për vendin tonë. Për këtë ajo ka folur për Ndërtimi.info, duke treguar në detaje se çfarë do të thotë ndërtimi i këtij Observatori dhe Planetariumi në Kosovë.
“Për shumë vite me radhë, organizata jonë e Astronomisë ‘Astronomy Outreach of Kosovo’ ka synuar të ndërtojë një pike vëzhguese, nga e cila do të mund të kryenim vëzhgime qiellore të njëpasnjëshme. Ndërtimi i Observatorit dhe Planetariumit të parë në Kosovë, ka qenë ëndërr e jona prej shumë kohësh. Padyshim, kjo për organizatën tonë nuk ka qenë e lehtë të arrihet pa pasur përkrahje financiare. Përpjekjet tona për popullarizimin e Astronomisë përgjatë gjithë këtyre viteve, më në fund u shpërblyen nga Kuvendi Kosovës. Kjo është mirëpritur me knaqësi të madhe nga organizata jonë dhe e vlersojmë lartë aprovimin e tij”, ka thënë Hyseni.
Projekti po synohet të ndërtohet në fshatin Rashincë të Komunës së Shtimes, ku organizatës i është dhënë donacion një parcelë nga Profesori i Astronomisë dhe bashkëthemeluesi i organizatës, Milaim Rushiti.
Sipas Hysenit, ndërtimi i Observatorit dhe Planetariumit të parë në Kosovë, do t’i mundësonte të gjitha shkollave të Kosovës t’i sjellin nxënësit për të mësuar rreth shkencës së Astronomisë si dhe për të vëzhguar me teleskopët të cilët do të jenë në dispozicion. Ata gjithashtu do të kenë rastin të zhvillojnë eksperimente të ndryshme në fushën e Fizikës, Gjeologjisë, Kimisë etj.
Ky projekt arrin një vlerë mbi 200 mijë euro, shumë kjo e cila përfshinë vetëm konstruktin, pa pajisje. Dizajni i projektit të aprovuar nga Kuvendi i Kosovës, në kuadër të projekt-ligjit për Buxhet dhe Financa, është kryer nga arkitektë profesionistë të studios “Proarchitecture” dhe financohet nga Ariani Company.

Pranvera Hyseni
“Dizajni është kryer padyshim, gjithmonë duke pranuar këshilla nga inxhinierë dhe ekspertë ndërkombëtarë, pasiqë në Kosovë nuk ka pasur asnjëherë një qendër si kjo”, shton Hyseni.
Ajo më tej ka shpjeguar në detaje dizajnin e tij: “Objekti arrinë madhësinë prej 290 metra katrorë, dhe përbëhet nga dy kupola. Kupola e parë paraqet Planetariumin, i cili ka diametër 9 metra, brenda të cilit do të vendoset një projektor i sofistikuar. Ndërsa, kupola tjetër me diametër 6 metra, paraqet Observatorin, por dallimi mes tyre është se kupola 6 metërshe është e lëvizëshme 360 shkallë dhe mund të hapet për të mundësuar vëzhgimin e trupave qiellor, përmes teleskopit 14 inç që do të instalohet brenda tij. Ky objekt gjithashtu do të ketë sallën e konferencave, dhomën e operimit, dhomën punuese etj”, tregon ajo.
Astronomy Outreach of Kosovao planifikon të fillojë ndërtimin e Observatorit gjatë muajit Mars, me shpresë që të përfundohet brenda një periudhe të shkurtë kohore, rreth dy-tre muaj.
“Kjo qendër do t’i mundësoj organizatës sonë të kyçet në programet hulumtuese dhe të jap kontribut në vëzhgimet qiellore, duke siguruar të dhëna nga pajisjet optike të instaluara në observator. Menjëherë pas përfundimit të ndërtimit, ne do të fillojmë programin për vëzhgimin e yjeve variabël, supernovave, yjeve të dyfishtë, asteroidëve, kometave etj. Këto do të jenë ndër programet e para, të cilat do të bëhen të realizueshme për t’u vëzhguar nga qielli i Kosovës, e më pas të dhënat do të dërgohen tek institucionet përkatëse në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe do të analizohen më tutje nga ekspertë të fushës”, shprehet Hyseni.
Organizata tanimë zotëron një numër të madh pajisjesh optike, të cilat ata i kanë shfrytëzuar maksimalisht për të realizuar aktivitete në shkolla dhe hapësira publike të Kosovës, me qëllim të popullarizimit të Astronomisë në vendin tonë. Sidoqoftë, së fundi atyre i’u është ofruar edhe një donacion:
“Organizatës sonë i’u është ofruar donacion një teleskop me aparaturë 14 inç, që i takon llojit ‘Schmidt-Cassegrain’, nga kompania prodhuese e teleskopëve me famë botërore ‘Celestron’. Ky teleskop do të instalohet brenda observatorit dhe do të mundësoj pamje të mahnitshme të trupave qiellor, madje edhe të objekteve të zbehta, të cilat nuk kemi arritur t’i shohim me teleskopët e më hershëm. Stafi jonë gjithashtu ka siguruar një projektor nga SHBA-të, i cili do të vendoset brenda Planetariumit, për të mundësuar projektimin e kupës qiellore në kupolën e objektit”, tha Hyseni.
Observatori dhe Planetariumi i parë në Kosovë pas ndërtimit, gdo të jetë i hapur gjithashtu edhe për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe më gjerë.
