Arkitekturë
Shumçka për Bashkim Fehmiun, arkitektin e parë kosovar pas Luftës së II-të Botërore [foto]
Arkitektura është njëri nga profesionet i cili është mjaft i kërkuar në vendin tonë. E, derisa arkitektura ka arritur të jetë kaq e dëshiruar si profesion, pas Luftës së Dytë Botërore në Kosovë kishte diplomuar vetëm një arkitekt kosovar. Ky ishte Bashkim Fehmiu, që la gjurmë të pashlyeshme në arkitekturën e Prishtinës.
Duke qenë se Fehmiu ka rol të pazëvendësueshëm në arkitekturën kosovare, arkitekti Arbër Sadiki ka hulumtuar rreth punës së tij, për arritur deri në shkrimin e disa punimeve për të. Në një intervistë për Ndërtimi.info, Sadiki, ka treguar gjetjet e tij rreth profesorit Bashkim Fehmiu dhe lidhjen që ka arkitektura dhe planifikimi i Prishtinës me të.
“Në një mënyrë nuk kam parë se kam me i ikë studimit për të. Është e pamundur të bëhet çfarëdo studimi për Prishtinën pas ’45-s, e sidomos pas ’60-s kur ai kthehet prej studimeve në Beograd, pa e studiuar profesor Bashkimin. Për herë të parë dokumentet për të kam gjetur në Arkivin e Prishtinës. Duke hulumtuar, me qenë se Prishtina fillon pas ’45-s të zhvillohet, për herë të parë plan urbanisitik ose plan gjeneral urbanistik, që i kanë thënë, është bërë në vitin 1953 prej Dragotin Partoniqit, një profesori prej Beogradit, dhe unë kam filluar ta hulumtoj atë plan. Me qenë se aty fillojnë pak a shumë materiet e para të modernizmit në Prishtinë, me gjithë defektet që i ka pasur. Por, fillimi i modernizimit të Prishtinës fillon me këtë plan. Gjatë kohës që kam filluar ta hulumtoj këtë plan kam parë që implementimi i tij i më vonshëm ka qenë i lidhur direkt me profesor Bashkim Femiun”, ka treguar ai.
Kontributi i Fehmit ishte shtrirë edhe në institucionet publike, duke themeluar kështu dy institucione të rëndësishme për urbanizmin. Pas ishte kthyer nga studimet në Beograd, në vitet e ’60-ta, Fehmiu kishte themeluar Departamentin e Urbanizmit në Komunën e Prishtinës, e më vonë së bashkë me disa bashkëpunëtorë edhe Entin e Urbanizmit.
Arbër Sadiki ka treguar se Fehmiu gjithmonë lokacion të zgjedhur për punë e ka pasur Prishtinën, edhe pse ka pasur mundësi të zgjedh cilin do qytet të ish-Jogusllavisë. Mirëpo, qëllimi i tij ishte, që Prishtina të futet në mesin e arkitekturës së kryeqyteteve të mëdha.
“Kështu që, ai ka dashtë që edhe Prishtinën me futë brenda këtyre diskutimeve, me tregu që edhe diku ekziston një qytet që pak kush e di, por me propozimet e tij është mundur që me futë Prishtinën brenda hartës së arkitekturës së kohës, me futë në lojën e arkitekturës së kryeqyteteve të mëdha. Unë i kam edhe ato projektet, në dosjet e mia. Ato janë projekte të cilat janë të gjitha parametrat e arkitekturës së modernes dhe modernes së hershme dhe i gjen brenda projekteve të tij, d.m.th e kupton se kë të bësh me një student, i cili është jashtëzakonisht i pjekur”, ka shtuar Sadiki për Ndërtimi.info.
Fehimu kishte arritur që të projektoj dy lagjet më ta njohura të kryeqytetit të Kosovës, atë Ulpiana dhe atë Bregu i Diellit. Mirëpo, kontributi i tij në Prishtinë ka bërë që të ngrihen edhe ndërtesa që sot e asaj dite mbesin identifikim i qytetit.
Arkitekti Sadiki, ka shtuar se profesor Fehmiu ishte projektues i Hotel Grand-it, por që shumë herë ishte tentuar që të fshihej autorësia e tij.
“Profesor Bashkimi është edhe bashkautor i Hotelit Grand, me të cilën unë jam habitur me një ngjraje të arkitekturës, kur kolegët e tij e kontestonin një gjë të tillë, që kanë punuar bashkë me të në fakultet, sikurse qenka kush e di ku në arkivë dhe me gjet kush është autor i saj. E kanë kontestuar që është autor. Por, nëse ti je profesionist dhe ke diçka më duke ose nuk më duket, duhet me shku te vendi i caktuar dhe vërtetua atë, që është arkivi, dosja. Profesor Bashkimi është prej projektit ideor, realizues, është edhe pjesë e procesverbalit të pranimit teknik”, ka shpjeguar ai.
Sipas Sadikit, për projektet e Fehmiu kanë shkruara edhe shumë revista të rëndësishme të kohës, e gjithashtu ato projekte janë ruajtur edhe në arkiva.
Ai, ka thënë se për projektet e rëndësishme që janë ndërtuara në Prishtinë gjatë viteve të 70-ta, ku hyn është Hotel Grandi, kanë shkruara revistat e rëndësishme të arkitekturës, Në Zagreb, duke shtuar se edhe në “Sallonin e Arkitekturës”, që ishte mbajtur çdo vit në Begorad është publikuar autorësia e Bashkim Fehmiut mbi projektimin e “Grand”-it.
Fehmiu projektet e tij i kishte ruajtur edhe në Banesën e tij. E kjo sipas Sadikit, lë përshtypje se ai e ka ditur sa neglizhent janë institucionet tona.
Sadiki këtë e thotë, derisa tregon se ishte bërë përpjekje që të zhduken dokumentet e punës Fehmit, pasi ishte privatizuar Arkivi i Entit të Urbanizmit, që e kishte themeluar dhe në të cilin kishte punuar Fehmiu.
Ai tregon se Fehmiu e ka ditur se nuk jemi të kujdesshëm dhe si rezultat secilin prej punimeve e ka ruajtur edhe në banesën e tij.
“Pas disa vjetësh e kam parë në televizion kur është privatizuar Enti i Urbanizmit se ato i kanë hedhë. Fatmirësisht kish qëllu një koleg i jonë që e ka pas zyrën afër dhe nuk ka lënë që të shkojnë dëm ato dhe i çun ë zyrën e vetë, dhe sot ika, e kam fjalën për Visar Gecin”, ka shtuar Sadiki.
Arbër Sadiki ka shtuar se gjithashtu ka pasur vështirësi në mbledhjen e të dhënave dhe dokumenteve për profesor Bashkim Fehmiun, pasi sipas tij studiuesve nuk i është dhënë qasje në to.
Biografi e shkurtër
Bashkim Fehmiu lindi në Gjakovë në vitin 1930. Ishte i biri i mësuesit dhe intelektualit prizrenas, Ibrahim Fehmiu. Është vëllau i aktorit më të madh shqiptar, Bekim Fehmiu dhe njërit nga nismëtarët e sportit në Kosovë, Arsim Fehmiu.
Në vitin 1947 diplomohet në shkollën normale, kurse në vtin 1950 pranohet në Fakultetin e Arkitekturës në Beograd. Ka diplomuar në vitin 1958. Së bashku me Suade Mekulin e cila ka diplomuar nëtë njëjtin vit në Fakultetin e Arkitekturës në Shkup, paraqesin dy arkitektët e parë të diplomuar në Kosovë.
Pas diplomimit është punësuar në Shërbimin Teknik tëKomunës së Prishtinës dhe pak vite më vonë themelon Entin e Urbanizmit të Prishtinës të cilin e udhëhoqi disa vite duke e shndërruar në institicionin më të rëndësishëm për zhvillimin urban dhe arkitekturor jo vetëm të Prishtinës por të gjithë Kosovës.
Nga viti 1965 deri në vitin 1969 bëri studime specialistike në Fakultetin e Arkitekturës në Beograd dhe në të njëjtënkohë ishte punësuar në Entin Urbanistik të Beogradit dhe një kohë ka qenë edhe udhëheqës i ekipit të hartimit ë Planit Gjeneral Urbanistik të Beogradit.
Që nga themelimi i Fakultetit Teknik në vitin 1965 ka qenë profesor i urbanizmit. Autoriteti i tij ka qenë vendimtar për hapjen e seksionit të Arkitekturës në kuadër të fakultetit teknik të Universitetit të Prishtinësnë vitin 1978.
Nga viti 1978 e deri më 1991 kur u pensionua, ka qenë shef i katedrës së Urbanzimit dhe Planifikimit Hapësinor ku punoi si pedagog në lëndët e urbanizmit. Është autor i disa projekteve urbanistik edhe arkitekturore të rëndësishme në Kosovë.
Punime – të huazauara nga punimet e Arbër Sadikit, që mund t’i gjeni në linqe më poshtë
Linqet e punimeve të Arbër Sadikit:
https://ubt-uni.academia.edu/ArberSadiki