Aktuale
Shtyllat elektrike në Podujevë vendosen në mes të trotuarit
Shtyllat e ndriçimit publik dhe ato të shenjëzimit vertikal janë vendosur në mes të trotuareve në rrugën kryesore të qytetit të Podujevës. Kjo rrugë, që mban emrin e heroit Zahir Pajaziti, nga zyrtarët komunalë është premtuar se do të bëhet moderne, pas zgjerimit dhe ndërtimit të infrastrukturës përcjellëse. Por ky zgjerim po del të jetë pengesë për kalimtarët, për shkak të vendosjes së shtyllave në trotuar.
Ky projekt që Komunës i ka kushtuar rreth 1 milion euro, nga ekspertë të komunikacionit rrugor po vlerësohet si joprofesionale vendosja e shtyllave në trotuar, e disa pothuajse në mes të tyre. Bekim Ahmeti ka treguar se sa duhet të jetë largësia e këtyre shtyllave nga guri skajor i trotuarit. Ai ka treguar edhe rrezikun që mund të shkaktojnë këto shtylla kur janë afër skajit të rrugës, përafërsisht siç janë vendosur në këtë rrugë në Podujevë, shkruan sot Koha Ditore.
“Ekziston standardi për vendosjen e shtyllave elektrike ndriçuese po edhe të shtyllave të sinjalizimit vertikal…Largësia nga trotuari për shtylla ndriçuese dhe shtylla të sinjalizimit vertikal duhet të jetë ≥ 1.0 metra (minimum një metër nga guri skajor i trotuarit)”, ka theksuar Bekim Ahmeti.
Por, sipas tij, në Kosovë problem mbeten mbikëqyrja dhe gjithashtu edhe mangësitë në projekte.
“Në Kosovë në shumicën e rasteve mungon mbikëqyrja, por edhe projektimet kanë mangësi… Po pasojat mund të jenë aksidente me automjet në shtyllë që ka raste përfundon edhe me vdekje, pengon dukshmërinë gjatë ngasjes te shtyllat e ndriçimit…”, është shprehur Ahmeti.
Në anën tjetër, zyrtarët komunalë thonë se organi mbikëqyrës e përcjell realizimin e punimeve në këtë rrugë. Zëdhënësi Nazmi Elezi thotë se nëse ka shmangie nga projekti do të intervenohet.