Aktuale
Shtyhet për vitin e ardhshëm gjykimi për tenderin milionësh në KEK
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2017/12/samiii-.jpg)
Është shtyrë për vitin e ardhshëm gjykimi ndaj ish-kryetarit të Skenderajt Sami Lushtaku, drejtorit të KEK-ut, Arben Gjukaj dhe pesë të akuzuarve tjerë, në rastin e tenderit gjashtë milionësh në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK).
Të martën në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ishte paraparë vazhdimi i këtij gjykimi, mirëpo trupi gjykues ka aprovuar kërkesën e mbrojtësit të Sami Lushtakut, avokatit Arianit Koci, për shtyrjen e kësaj seance.
Arsyet e kësaj kërkese, sipas Kocit, kanë të bëjnë me problemet shëndetësore që ka klienti i tij, për çka ka thënë se nuk ka pasur kohë të përgatisë dokumentet shtesë mjekësore, për arsyetimin e kësaj rrethane.
Por, ai ka thënë se pavarësisht që Lushtakut i është përkeqësuar gjendja shëndetësore, të martën është paraqitur në këtë seancë, për të kryer obligimin sipas tij, ndaj gjykatës, prokurorisë dhe publikut.
“Me keqardhje e informoj trupin gjykues se i mbrojturi im sot nuk e ndien veten mirë, për natyrën e sëmundjes se tij nuk mund te flas por është fakt notor që ka probleme shëndetësore Sami Lushtaku qe disa vite. Interesi i tij është që ky proces gjyqësor të përfundoj për të sa më shpejtë. Prandaj unë besoj se kërkesa e tij për shtyrjen e kësaj seancë është e bazuar dhe e nevojshme sepse me të vërtetë nuk ka mundësi ta përcjell këtë seancë deri në fund”, ka deklaruar avokati Koci.
Ndërsa, i akuzuari Lushtaku ka deklaruar para trupit gjykues, se në vazhdimësi është duke marr trajtim mjekësor dhe prandaj kërkon që kjo seancë të shtyhet.
“Dëshiroj ta njoftoj trupin gjykues që në vazhdimësi jam në trajnim mjekësor edhe këtu edhe në Shqipëri. Nuk kisha dasht me u keqkuptu se po du me i ik kësaj seance”, ka deklaruar Lushtaku.
Pas kësaj, trupi gjykues ka marr aktvendim me të cilin ka aprovuar kërkesën për shtyrjen e kësaj seance, vazhdimi i së cilës është caktuar për 19 shkurt 2018, nga ora 09:00, shkruan Betimi Për Drejtësi.
Në seancat e kaluara, Sami Lushtaku dhe të tjerët ishin deklaruar të pafajshëm në lidhje me akuzat me të cilat ngarkohen në këtë rast.
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2022/04/logo-ndertimi.png)