Connect with us

Aktuale

Shtrenjtohen çmimet e banesave në Tiranë, këto janë arsyet

Published

on

Çmimet e apartamenteve kanë shënuar një tjetër rritje gjatë muajve të fundit, pas një periudhe stanjacioni. Sipas operatorëve të tregut, shtrenjtimi ka ndodhur në të gjitha zonat dhe është i dukshëm në pallatet e reja që sapo kanë nisur të ndërtohen. Mesatarisht, nëse do të  blesh sot një banesë, duhet të paguash 100-150 euro më shumë për metër katror, sesa pak kohë më parë, madje në disa zona rritja është dhe më e fortë në 300-600 euro më shumë.

Dy janë arsyet e kësaj tendence, sipas operatorëve, së pari rritja e taksave dhe së dyti qarkullimi i parave informale dhe pastrimi i tyre përmes ndërtimit.

“Në zonën e unazës së vogël ka një rritje deri në 3.5% të çmimeve, më e ulëta krahasuar me zonat e tjera, ku çmimet luhaten deri 1150 euro. Zona e bllokut ka dyfshin e rritjes, flasim 8.8% në indeks dhe në vlera çmimet shkojnë mesatarisht deri në 1450 për metër. Ajo që ka pësuar rritjen më të ndjeshme është zona jashtë unazës, ku flasim për një kapërcim deri në 17% në harkun kohor të një viti. Nga një mesatare prej 850 euro për metër sot flasim për çmime deri në 1050 euro”, pohoi Ylli Sula, sipërmarrës.

Sula thotë se në këtë tendencë më shumë luajnë rol elementet jashtë tregut sesa ato të brendshëm.

“Në shumë raste gjenden hapësira përdoren për pastrim parash, si në investim edhe në blerje. Në qoftë se ne kemi këto çmime në rritje dhe vijim të shitjes do të thotë që fuqia blerëse ekziston, nëse kjo fuqi është e përqendruar në disa duar, janë po prapë elementë jashtë tregut”.

Edhe Juliana Nela, eksperte në kompani imobiliare, konfirmon rritjen e çmimeve, që sipas saj është shumë e fortë dhe nuk justifikohet vetëm me shtimin e taksave.

“Në rast se taksat janë shtuar me 60 apo 70 euro për metër, dhe cilësia mund të ketë çuar në rritje kostoje me 20 apo 30 euro, shtrenjtimi i çmimeve është herë tre apo herë katër në raport me kostot. Pra 300 deri në 600 euro për metër rritje. Në zona që ne si agjenci dikur nuk kemi guxuar të merrnin të shisnim prona për më shumë se 900 euro metri, objektet e reja kanë dalë me 1600 euro, dhe me aq sa kemi informacion të gjitha po shiten. Është zona e Astirit në të cilën ne kemi tentuar të mos kapërcenim 500 euro, tashmë na vjen me 670 euro për metër katror”, pohon ajo.

Edhe Nela është e mendimit që në këtë rritje të fortë po ndikojnë aktivitetet informale. “Vazhdimi i parave të çuditshme, patjetër që ka ndikimin më të madh në këtë përmbysje dhe çudi të tregut imobiliar. Paga të ulëta, emigracion masiv, metra katror ndërtimi pafund të hedhura në treg dhe çmimet rriten. Është e palogjikshme”, pohon ajo.

Sipas ndërtuesve, ndryshimi i taksave nga ana e bashkisë dhe përmirësimi i cilësisë së punimeve, të kërkuara si standard, është një tjetër faktor që ka ndikuar në shtrenjtimin e çmimeve.

“Ne jemi vendi me taksat më të larta në Ballkan. Tatimi mbi fitimin është 10% në Kosovë, në Maqedoni po kështu, në Mal të zi po kështu. Ndërsa tek ne çdo ditë rriten taksat, tashmë 3% e vlerës së banesave që i duhet dhënë bashkisë. Këto janë kosto që shkojnë në xhepin e atij që do të blejë”, thotë H. Fratari, ndërtues.

Taksat që bashkia i ka vendosur për ndërtuesit do ti kalojnë si barrë blerësit të apartamentit, e megjithatë në bazë të të dhënave, kjo rritje e çmimeve në brenda pak muaj, është më e lartë, se ajo që do të duhej të reflektohej si pasojë e taksave të shtuara.

“Çdo lloj rritje që u ka ndodhur ndërtuesve, absolutisht është reflektuar në çmim tek konsumatori. Nëse ne krahasojmë vlerën e çmimeve të pronave në 4 vitet e fundit, rritja është absolutisht më e lartë nga vetë tregu imobiliar, sesa ajo e ndikuar nga rritja e taksave”, thotë Sula.

Edhe pse ka rritje çmimesh, shitjet kanë vijuar normalisht, duke mos e njohur stanjacionin. Sipas agjentëve imobiliarë kjo kërkesë e lartë, për të blerë me çmime të kripura, ndikohet edhe nga disa faktorëve të tjerë, kryesisht nga para informale që hyn në vend.

Sipas Raportit Europian të drogave për vitin 2019, Në Shqipëri cash-i i përfituar nga kontrabandimi i drogave futet në Shqipëri me makina dhe investohet në pasuri të paluajtshme, ndërtim dhe turizëm.

Pas arritjes së pikut të çmimeve a pritet të ketë stanjacion për tregun imobiliar?

Për momentin Tirana është e mbingopur me ndërtime, ndonëse nuk është shfrytëzuar maksimalisht. Por, për shkak të taksave dhe të parave informale që po investohen në ndërtim, për të gjithë ata që kanë një punë me të ardhura të rregullta, blerja e një apartamenti tashmë është pothuajse një mision i pamundur. Por, a mund të presim ulje, teksa Shqipëria ka hyrë sërish në një cikël emigraconi çka mund të reduktojë kërkesën për banesa?

“Nëse ky largim jashtë Shqipërisë do të vazhdojë, edhe pjesa e atyre që do të vijnë në Tiranë do ketë një tendencë që do të mbingopet, ky është momenti për të parë sesa stoku i ndërtimeve në pritje të këtij fluksi të ardhurish në Tiranë do ketë mbetur pa u ezauruar nga kërkesa e tregut. Ulje nuk ndodh, mund të ketë stopojë rritje, por ulje nuk mund të ketë”, thotë Sula./Marrë me shkurtime nga Monitor

Aktuale

Deodorantë, shishe uji plastike…: Çfarë nuk duhet të lini në vetura në ditët e nxehta?

Published

on

Dielli dhe nxehtësia kanë një efekt shkatërrues në disa gjëra që përdorim dhe nuk është e mençur t’i lëmë në vetura.

Duket e arsyeshme të mbani një shishe me ujë në veturën tuaj gjatë një vale të nxehtë. Megjithatë, bisfenoli A dhe ftalat në plastikë, kimikate që veprojnë si lidhës dhe e bëjnë plastikën fleksibël, po shkaktojnë shqetësim tek ekspertët që studiojnë efektet e tyre në shëndetin e njeriut. Lënia e ujit në shishe plastike në një makinë të nxehtë mund të bëjë që këto substanca të lëshohen në ujë, shkruan The Sunday Times.

Nxehtësia e madhe në vetura mund të dëmtojë bateritë e të gjitha pajisjeve që i përdorin, që nga kompjuteri, celularët… Ka edhe shishe me krem kundër diellit, të cilat nuk duhet t’i lini në diell (një paradoks interesant, apo jo?) sepse në disa raste mund të shpërthejnë. Më pas janë të gjitha spërkatjet, nga deodoranti tek llaku i flokëve. Kur temperatura arrin rreth 48 gradë Celsius, presioni në rezervuar rritet mjaftueshëm për të shkaktuar një shpërthim, thonë ekspertët. Kornizat plastike të syzeve të diellit mund të shtrembërohen dhe zbardhen, dhe lentet mund të shtrembërohen.

Disa ilaçe, si antibiotikët, duhen mbajtur në frigorifer. Ilaçet në përgjithësi nuk e tolerojnë nxehtësinë dhe disa prej tyre do të bëhen të papërdorshme pas ekspozimit ndaj temperaturave jashtëzakonisht të larta. Nëse përdorni injeksione adrenaline, dobia e tyre zhduket në automjetet e nxehta. E cila, natyrisht, është çështje jete ose vdekjeje.

Buzëkuqi do të shkrihet në temperatura të larta.

Është dokumentuar se kanaçet e gazrave mund të shpërthejnë kur ekspozohen ndaj nxehtësisë ekstreme. Edhe lëngu i portokallit mund të shpërthejë nëse lihet në makinë për një kohë të gjatë, dhe kjo do të thotë një brendshme ngjitëse…

Lënia e çakmakut të disponueshëm në makina në ditët e nxehta nuk është një ide e zgjuar. Shpërthimi i tyre mund të shkaktojë dëme të mëdha dhe madje të thyejë xhamin e përparmë./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Themelohet Oda e Minierave të Kosovës

Published

on

Me ceremoni të mërkurën është bërë hapja e Odës së Minierave të Kosovës që u konsiderua një hap tejet i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, raporton Ekonomia Online.

Themeluesi, Mentor Demi, ka thënë se kjo ceremoni është një hap shumë i rëndësishëm në drejtim të zhvillimit të industrisë së minierave në Kosovë.

Alaudin Kodra, anëtar i Bordit në Odën e Minierave të Kosovës, ka thënë se gjeologjia e Kosovës, është e pasur dhe pikërisht kjo ka qenë një nga arsyet e fillimit të tij për punuar në Kosovë.

“Ligji minerar është ligj i mrekullueshëm i cilësisë së lartë për dallim nga. Pjesa perëndimore e Kosovës është një vazhdimësi e gjeologjisë së Shqipërisë. Kosovës i duhen kompani serioze, dua të iu urojë gjithë të mirat të keni suksese”, ka thënë nder tjera Kodra.

Zëvendësministri i Industrisë, Sipërmarrjes dhe Tregtisë, Mentor Arifaj, ka thënë se kontributi i madh për të ardhur deri te hapja e Odës është për tu vlerësuar.

“Do ta luajë një rol ndërmjet një katalizatori i akterëve të shumtë dhe investitorëve potencial qoftë vendor apo ndërkombëtarë. Oda do ta luajë një rol të rëndësishëm në kuptimin e avancimit duke përfshirë njësi të ndryshme në arenën ndërkombëtare në sektorin e minierave”, ka thënë ai.

Nurten Deva, Rektor i Universitetit Isa Boletini, ka thënë se zhvillimi i industrisë minerare ka një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik.

“E përgëzojë zotëri Demin për guximin që ka ndërmarrë një hap të tillë për themelimin e një odë nga privatët. Nuk e kanë pas mbështetjen e duhur për të arritur vizionin në planet e tyre strategjike”, ka thënë Deva. Andor Lips, Drejtori jo-ekzekutiv në Western Tethyan Resources, ka thënë se Osat kanë shumë të rëndësishme si një lloj urë lidhëse në mes të investitorëve të huaj dhe institucioneve shtetërore./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Gjykata e Apelit anulon vendimin për ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit në Vjosë

Published

on

Pas 10 vitesh nëpër procese gjyqsore, banorët e Mallakastrës fituan të parën betejë ligjore për çështjet mjedisore në vendin tonë. Gjykata Administrative e Apelit në Tiranë anuloi të mërkurën vendimin për ndërtimin e hidrocentralit Poçem në lumin Vjosa. Gjykata i dha të drejtë banorëve dhe organizatave mjedisore, duke konfirmuar aktvendimin e plotë të shkallës së parë dhe argumentet e tij në mbështetje të pretendimeve të paditësve.

Vendimi shënon fitoren përfundimtare të çështjes së parë mjedisore të trajtuar nga Gjykata në Shqipëri.

Beteja ligjore ka nisur në dhjetor të vitit 2016 nga EcoAlbania, EuroNatur dhe Riverwatch, së bashku me 38 banorë të fshatit Kutë në Mallakastër. Ata kundërshtuan ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit, duke pretenduar se “procedurat e ndjekura për dhënien e kontratës koncensionare si dhe procesi i konsultimeve me publikun, ishin zhvilluar në shkelje të legjislacionit shqiptar dhe të konventave ndërkombëtare”.

Banorët dhe organizatat fituan betejën e parë në maj të 2017, kur Gjykata Administrative e Shkallës së Parë vendosi në favor të tyre.

Palët e paditura janë Ministria e Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Avokati i Shtetit (në emër të Ministrisë së Energjisë) dhe shoqëria koncesionare (Kovlu Energy), të cilat apeluan vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Pas 8 vitesh Gjykata e Apelit ka vendosur të rrëzojë padinë e tyre dhe të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Ndërkohë që vijonte kjo betje ligjore, banorë dhe organizata mjedisore si EcoAlbania nisën fushatën në mbrojtje të lumit Vjosa “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës”.

Pas një beteje të gjatë, në Mars 2023, lumi Vjosa dhe degët e tij Drino, Bënça, Shushica dhe Kardhiqi, u shpallën Park Kombëtar duke ofruar mbrojtje ligjore edhe nga 45 hidrocentralet e planifikura për t’u ndërtuar në gjithë basenin e Vjosës.

Drejtues i Eco Albania Olsi Nika në një reagim për mediat tha se “edhe pse ky vendim vjen në një tjetër realitet, pas shpalljes së Parkut Kombëtar të Vjosës, ne e konsiderojmë si një arritje për komunitetin, aktivistët dhe avokatët e angazhuar në mbrojtjen e lumit Vjosa, të cilët e kanë ndjekur këtë çështje me rigorozitet dhe vendosmëri”.

Hidrocentrali i Poçemit, ishte aktpadia e parë e një çështjeje mjedisore në Gjykatën Administrative në Shqipëri. Ajo i hapi rrugën shumë çështjeve të tjera mjedisore të ngritura nga organizatat dhe banorët për të kërkuar të drejtën për ruajtjen e pasurive natyrore të vendit.

Avokati i çështjes Vladimir Meçi tha se vendimi përfundimtar përbën një arritje në ndërtimin e praktikës gjyqësore administrative që lidhet me te drejtën mjedisore në Shqipëri.

“E gjithë ecuria e çështjes së kundërshtimit të ndërtimit të HEC-it të Poçemit në rrugë gjyqësore, është një model pioner për të gjithë ata që kanë qenë pjesë e tij, përfshirë Organizatat, komunitetin, ne avokatët por edhe vetë gjykatën”, tha Meçi./Mediqa Ndërtimi

Continue Reading

Trending