Featured
Shtimja e Ferizaj japin tenderë për rregullim të shkollave pasi të fillojë mësimi
Shkendije Ahmeti
Drejtoritë e arsimit në komunat e Kosovës me të përfunduar viti shkollor në qershor nuk iu shkoi në mendje të kërkojnë nga OSHP që të shpallin tenderë për rregullimet apo renovimet e shkollave nëpër komuna. Ata pushuan thuajse sa nxënësit, raporton Ndertimi.info.
Edhe pse qe nevoja për rregullimet-renovimet nëpër shkolla, komunat vonuan që të iniciojnë këtë nevojë. Afrimi i 1 shtatori ua sjellë në mendje punët e pakryera.
E së fundmi Organi Shqyrtues i Prokurimit ka njoftuar për disa tenderë për rregullimin e shkollave të Komunës së Ferizaj dhe atë të Shtimes. Se pse është dashur të pritet që rregullimet nëpër shkolla të nisin në të njëjtën kohë me procesin mësimor, Drejtoria e Arsimit në Komunën e Shtimes e hedh fajin tek (OSHP).
Bëhet fjalë për rregullimin e shkollës fillore “Emin Duraku” dhe rregullimin e kulmit të shkollës “Hasan Prishtina” në Godanc.
Drejtori i Arsimit në Komunën e Shtimes, Hajrullah Ademaj, ka shfajësuar drejtorinë të cilën drejton duke hedhur fajin të OSHP, duke thënë se procedurat i udhëheq OSHP dhe jo Drejtoria e Arsimit.
“Këto informacione duhet t’i merrni në prokurim e jo në Drejtori të Arsimit. Se procedurat i udhëheq prokurimi e jo Drejtoria e Arsimit. Ata e bëjnë vlerësimin për kompanitë e ndryshme dhe kompanitë kontraktuese. Ata e vlerësojnë se a i ka plotësuar kushtet kompania apo jo”, tha Ademaj.
Megjithatë, Ademaj ka thënë se drejtoria që ai drejton i ka iniciuar me kohë kërkesën për tenderë në OSHP.
“Ju njoftojmë se: Për rregullimin e oborrit të Shkollës Fillore “Emin Duraku”, kërkesa jonë është bërë më datë 14.7.2017, ndërsa Organi Shqyrtues i Prokurimit ka bërë shpalljen me 19.7.2017. E rregullimi i Kulmit të ShFMU “Hasan Prishtina”. kërkesa jonë është bërë më datë 14. 7. 2017, ndërsa organi Shqyrtues i Prokurimit ka bërë shpalljen më datë 18.7.2017”, ka treguar Ademaj.
Por Ademaj pretendon që këto punime do përfundojnë para se të nis procesi mësimor.
“Punimet për rregullimin e oborrit të Shkollës Fillore “Emin Duraku” në Shtime kanë filluar më datë: 17. 8.2017, ndërsa për rregullimin e kulmit të ShFMU “Hasan Prishtina” kanë filluar më datë: 21. 8.2017, dhe meqë mësimi fillon më 4. 9. 2017 ka kohë ende në zhvillimin e punimeve, dhe gjithashtu, punëkryesi nuk do të zhvillojë punime në periudhën kohore kur nxënësit janë duke zhvilluar mësim. Afati i fundit për përfundimin e punimeve sipas kontratave, është data 30.9.2017”, ka shtuar ai.
Për rregullimin e kulmit të shkollës “Hasan Prishtina”, komuna ka ndarë 8 mijë e 991 euro, ndërsa punimet do kryhetn nga kompania fituese e tenderit “TOSI-V”
Për rregullimin e këtij kulmi, komuna ka ndarë 8 mijë e 991 euro.
Edhe Komuna e Ferizajt ka arsyetuar tenderin e vonshëm për renovim të shkollave.
Drejtori i Arsimit në Komunën e Ferizajt, Muhamet Halili për Ndërtimi.info, ka thënë se konstruktimi i murit dhe montimi i llasnjeve në shkollë fillore “Kemajl Hetemi” si dhe ndërtimi i murit dhe montimi i grilave në shkollën fillore “Afrim Abazi, nuk e pengojnë procesin mësimor dhe se këto punime do kryhen brenda dy ditëve.
“Këto punime nuk e pengojnë procesin mësimor aty janë që kemi bërë disa ndarje të shkollë. Në shkollën “Afrim Abazi”. Kjo punë përfundojë në pushim, saktësisht në këtë të shtune dhe të diele. Nuk janë tenderë që na pengojnë procesin mësimor. Të gjitha shkollat do të jenë të gatshme për 1 shtator e në mesin e tyre edhe këto dy shkolla”, sqaroi Halili.
Ndryshe kostoja për renovimet e dy këtyre shkollave në Ferizaj është 3, 800.00 euro.