Aktuale
Shteti pa zgjidhje që të heqë dorë nga mbrojtja e 84 monumenteve
Mulliri i Sheh Litës, Kulla e Bushatit në Gjakovë e Manastiri i Shën Markut në Prizren janë vetëm tri nga 70 objektet, të cilat deri në vitin 2013 mbroheshin me ligj si monumente. Në tetor të atij viti – kur i ishte zgjatur afati ligjor edhe për një vit Listës së trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme – ishte vlerësuar se ato 70 objekte nuk paraqesin më vlera për t’u ruajtur nga shteti. Më 2014 kjo listë kishte 1441 asete që mbroheshin me Ligjin për trashëgimi kulturore. Tash pjesë e Listës janë 1617 monumente.
Por prej vitit 2013, asnjë monument nuk është larguar nga kjo listë, pos 23 ndërtesave që në tetor të vitit 2016 kaluan në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përhershme. Për gjashtë vjet Ministria e Kulturës ka pranuar 84 kërkesa për largim të aseteve nga Lista e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme. Ato vijnë nga qendrat rajonale të trashëgimisë kulturore e komunat. Por institucioni më i lartë kulturor në vend e ka të vështirë të veprojë.
MKRS-ja përballë kësaj situate del se nuk ka zgjidhje për kërkesat për largim të aseteve nga Lista e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme, e nuk ka as kujt t’i propozojë që një monument të verifikohet nëse duhet të jetë i mbrojtur përhershëm.
Drejtoresha e Departamentit të Trashëgimisë Kulturore në kuadër të MKRS-së, Vjollca Aliu, para zgjatjes së afatit ligjor edhe për një vit të Listës së përkohshme të trashëgimisë kulturore kishte kërkuar që të gjendet një zgjidhje në mënyre që të krijohet ndonjë tejkalim ligjor sa i përket shqyrtimit të kërkesave për largimin e aseteve nga Lista e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme.
Sipas Aliut, Departamenti i Trashëgimisë Kulturore dhe institucionet vartëse çdo 6 muaj e bëjnë vlerësimin e kërkesave për përfshirje apo largim nga Lista. Sipas saj, një numër i konsiderueshëm i tyre janë propozime për largim të aseteve të caktuara nga Lista.
Shoshi ka thënë se qëndrimi i një aseti më shumë se një vit në Listën e Trashëgimisë Kulturore nën mbrojtje të përkohshme ka pasoja edhe financiare, pasi secili pronar ka të drejtë të kërkojë kompensim financiar nëse aseti nuk futet në Listë të përhershme./Koha.net