Aktuale
Shteti pa zgjidhje për mbrojtjen e përhershme shpall edhe 22 monumente
Ministria e Kulturës e ka ripërtërirë Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme për të shtatin vit.
Nëpërmjet nënshkrimit të saj, ministri i Kulturës në detyrë, Kujtim Gashi, ua ka zgjatur edhe për një vit afatin e mbrojtjes ligjore 1595 monumenteve. Pos kësaj, sivjet pjesë e kësaj liste janë bërë edhe 22 asete të tjera të trashëgimisë kulturore.
Por Lista e formuar më 2012 vazhdon të përballet me dy probleme: pamundësinë që monumentet të vlerësohen për mbrojtje të përhershme, dhe atë për heqjen e statusit të mbrojtjes. Këto probleme del që nuk do të kenë zgjidhje të shpejtë, megjithëse vazhdimisht kërkohet dalje nga kjo situatë.
Listës së ripërtërirë i janë shtuar disa monumente arkitekturore të Komunës së Klinës, kulla, kisha e ura. Si trashëgimi shpirtërore është futur “Sofra gjakovare” e zejet e vjetra të këtij qyteti. Si monumente janë renditur edhe disa ndërtesa të komunave të tjera.
Gjatë rishikimit të Listës, del se Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve ka dorëzuar një propozim për heqje nga lista të një aseti. Qendra e Trashëgimisë Kulturore në Prishtinë ka dorëzuar 4 propozime për futje në Listë, ajo e Prizrenit ka dorëzuar 9 propozime, QRTK-ja e Gjakovës 29 propozime, prej të cilave 20 për futje në Listë dhe 9 propozime për largim nga Lista. Të dhënat flasin se QRKT-ja e Mitrovicës ka pasur 7 propozime për largim nga Lista, e QRKT-ja e Gjilanit ka pasur 10 propozime të tilla e një për futje në Listë. QRTK-ja e Pejës ka dorëzuar një propozim për futje në Listë.
Asetet e trashëgimisë kulturore të përfshira në Listën e përkohshme të trashëgimisë kulturore këtë vit:
1. Mulliri i Cufë Smajlit, Rastavicë – Deçan
2. Mulliri i Seid Bukollës
3. Mulliri i Sheh Lipës, Devë – Gjakovë
4. Kulla e Ahmet Asllanit, Klinë
5. Ura e Vjetër e Gurit, Klinë
6. Kulla e Gjon Nikollës, Budisalc, Klinë
7. Stacioni i Trenit, Budisalc, Klinë
8. Kisha varrore e Shën Premtes, Dresnik – Klinë
9. Kulla e Shaban Ali Berishës, Grabanicë – Klinë
10. Kulla e Enver Maxharrajt, Gremnik – Klinë
11. Kisha e Zllakuqanit, Zllakuqan – Klinë
12. Shkolla Fillore e Vjetër, Pogragjë – Klinë
13. Kulla e Jakajve, Ranoc – Klinë
14. Kulla e Sali Tafilajt, Shtaricë – Klinë
15. Kulla e Haki Gashit, Sferkë – Klinë
16. Ura e Vjetër e Gurit, Budisalc – Klinë
17. Ndërtesa e Radio Prishtinës, Prishtinë
18. Monumenti i Skënderbeut, Prishtinë
19. Mulliri i Isuf Hoxhës, Shalë – Lipjan
20. Mulliri në fshatin Klinë e Ulët – Skënderaj
21. Sofra Gjakovare
22. Zejet e vjetra në Gjakovë (zdrukthëtar-kujtexhi, saraç, nallban, sahatçi, bukëpjekës, kazazët-mëndafshpunues, qëndisje me ar – dallamëpunues, qeleshepunues, pirograf, terzi, tabakpunues, kallajxhi, poçar, filigranpunues)