Aktuale
Shtërpca s’e di kush dha leje për vazhdimin e punimeve për hidrocentral, do të ketë protesta
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2017/11/shterpce.jpg)
Sërish punimet për ndërtimin e hidrocentralit në Shtërpcë do të ndërpriten.
Së paku, kështu është thënë pas takimit ndërmjet zyrtarëve të komunës, Ministrisë së Mjedisit, shoqërisë civile, si dhe institucioneve të sigurisë.
“Udhëheqësit lokalë kanë thënë qartë se do të jenë në anën tonë, që komuna do t’i tërheqë dokumentet dhe do të konfirmojë ndalimin e ndërtimit. Ky vendim qëndron, por nuk e di nëse është valid. Bazuar në bisedat që kishim, del se vendimi i Komunës së Shtërpcës duhet të vërtetohet dhe ne do të marrim sqarime se çfarë do të ndodhë tutje”, ka thënë Dobrivoje Stevanoviq, profesor i Bujqësisë, raporton KTV.
Banorët e Shtërpcës ditë më parë kanë protestuar kundër punimeve për këtë hidrocentral.
Në takimin e mbajtur të hënën në Shtërpcë, të pranishëm ishin edhe përfaqësues të banorëve, të cilët thanë se me ndërtimin e hidrocentraleve, po dëmtohen.
“Me këtë dëmtohet uji i pijshëm, i nevojshëm për shtëpinë ose për fermat. Këto rrezikohen të gjitha, madje edhe uji i nevojshëm për kafshë këtu dëmtohet. Edhe po të kishte alternativë ne do ta kishim vështirë, por këtu nuk kemi fare alternativë. Andaj dhënia e lejes është krejtësisht në kundërshtim me Ligjin për ujërat në Kosovë”, ka thënë Milovan Filipoviq, përfaqësues i banorëve.
“Qytetarët kërkojnë që punimet të ndalen, meqë po rrezikohet uji i pijshëm e qysh në vitin 2016 komuna ka sjellë vendim që të ndërpriten këto punime për hidrocentral derisa të gjendet mënyra alternative për t’i furnizuar qytetarët me ujë. Komuna do të bashkëpunojë afër me qytetarët për t’i ndihmuar për të gjetur zgjidhje afatgjate”, ka thënë Ivica Tanasijeviq, nënkryetar i Shtërpcës.
E, asamblisti nga Nisma, Rifat Rrustemi, ka thënë se në janar të këtij viti, Kuvendi komunal kishte marrë vendim për ndërprerjen e përkohshme të punimeve.
Shtërpca, komunë me shumicë serbe, shtrihet në Parkun Kombëtar të Sharrit dhe ndërtimi i hidrocentraleve në këtë zonë është paraparë të bëhet krejt afër këtij parku, që mbrohet me ligj të veçantë.
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2022/04/logo-ndertimi.png)