Featured
Shtëpizat simpatike për librashitës në kryeqytet, po “kalben” pa libra
Shtëpizat e reja të librit që pritet të shfrytëzohen nga librashitësit, u vendosën në sheshet e Prishtinës më 24 prill të këtij vitit.
Komuna e Prishtinës ka shpallur në qershor të vitit 2016 fituesin e konkursit në fushën e Arkitekturës dhe Dizajnit të Enterierit për projekt-propozimin arkitektonik “Këndi i librave’’ në sheshet “Zahir Pajaziti’’ dhe “Nëna Terezë”.
Fituese e këtij projekti është shpallur kompania “Studio 11”, e cila për dizajnin është paguar 1.200 euro.
Konkursi i hapur nga ky institucion për shfrytëzimin e këtyre shtëpizave është mbyllur para më tepër se një muaji, përkatësisht më 28 korrik, ndërsa aplikuesit ende nuk kanë marrë përgjigje.
Në këtë konkurs thuhet se përzgjedhja e shfrytëzuesve të shtëpizave në këndet e librave do të bëhet nga një komision i posaçëm, i formuar nga kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.
Pasi që numri i shtëpizave do të jetë i kufizuar, janë vendosur disa kritere në mënyrë që përzgjedhja e shfrytëzuesve të bëhet sa më e drejtë dhe transparente.
Komuna u ka kërkuar shitëseve individualë të sjellin dëshmi se kanë shitur libra në sheshet e kryeqytetit së paku për tri vitet e fundit, kurse shtëpive botuese që të jenë të regjistruar në Administratën Tatimore të Kosovës, si dhe të jenë të pajisura me arka fiskale.
Numri i përgjithshëm i shtëpizave është tetë, ku secila do të shënohet me numrin përkatës. Aty thuhet se ndarja e shtëpizave do të bëhet menjëherë pas përfundimit të procesit të përzgjedhjes.
“Tarifat për shfrytëzimin e shtëpizave në këndet e librave janë përcaktuar duke u bazuar në Rregulloren për shfrytëzimin e hapësirave publike, (Rregullorja nr. 011102782/2011), ku pagesa aplikohet në bazë të hapësirës publike, të cilën e zë një shtëpizë. Shfrytëzuesit e shtëpizave do të jenë të obliguara të paguajnë paraprakisht shumën prej 10 euro në muaj për metër katror, për periudhën e shfrytëzimit të shtëpizës në hapësirë publike”, bëhet e ditur në konkursin e Komunës së Prishtinës.
Të kontaktuar nga gazeta “Zëri”, nga zyra për media e Komunës së Prishtinës, thonë së emrat e atyre që do të mund t’i shfrytëzojnë këto shtëpiza do të publikohen së shpejti.
“Sipas dispozitave ligjore në fuqi, është emëruar komisioni vlerësues dhe është në proces të vlerësimit të aplikacioneve. Presim që shumë shpejt të dalin me rezultate. Sapo të përfundojë puna e komisionit, do ta njoftojmë publikun lidhur me numrin e aplikantëve dhe me ata që kanë fituar të drejtën e shfrytëzimit të kiosqeve. Vlerësimi bëhet sipas kritereve që janë përcaktuar në fillim, dhe që janë publikuar në thirrjen për aplikim”, thonë ata.
Por për shitësit, që kanë kaluar shumë dimra duke shitur libra në rrugë, kjo pritje nuk është e arsyeshme.
Njëri nga ta, Besian Zeneli, thotë për “Zërin” se kjo vonesë ndoshta po bëhet për shkak të fushatës elektorale që pritet të nisë së shpejti.
“Sipas mendimit tim po i ruajnë t’i përurojnë për fushatë, sepse konkursi ka një muaj që ka përfunduar dhe rezultatet është dashur të dalin javë më parë”, thotë ai, duke shtuar se kriteret për aplikim kanë qenë të thjeshta dhe si person që merret me librin që një kohë të gjatë dhe shet prej vitesh aty, nuk ka pasur vështirësi t’i plotësojë ato kritere dhe të aplikojë.
Gazeta “Zëri” merr vesh se përveç shitësve që janë aty për këto shtëpiza kanë aplikuar edhe disa nga shtëpitë botuese të njohura të vendit.
Në raportimet e më hershme për këtë çështje zyrtarë të komunës i patën thënë “Zërit” se shitësit e vjetër do të kihen parasysh.
Rikujtojmë se gjatë dimrit të vitit 2013, në fund të mandatit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, në krye me Isa Mustafën, në Prishtinë, shitësve të librave në Prishtinë iu ofruan disa shtëpiza të vogla të drurit, të cilat ata i refuzuan unanimisht, ndaj ato mbetën të pashfrytëzuara për një kohë të gjatë nëpër sheshet e Prishtinës.
Aso kohe shitësit që janë të vendosur në sheshet e Prishtinës që nga paslufta i refuzuan ato shtëpiza, me arsyetimin se nuk i plotësojnë kushtet elementare.
Këto të rejat, gjithnjë sipas tyre, dallojnë shumë nga ato që u janë ofruar më herët, sepse për ta është tejet e rëndësishme të kenë një hapësirë ku mund t’i lënë librat e tyre e jo t’i bartin çdo ditë dhe të mbrohen nga shiu e bora.
Projekti “Këndet e librit” i cili mëton t’i plotësojë kushtet e punës për këta librarë ishte i paraparë me programin e kryetarit aktual të Prishtinës, Shpend Ahmetit.