Aktuale
Shtëpia e Herticëve do të kthehet në muze

Në shtëpinë-shkollë të Herticëve ndjekën shkollimin shumë figura politike. Në mesin e tyre edhe ish-Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.
Por, objekti në të cilën u shkolluan shumë gjenerata, është buzë shkatërrimit. Për të, me vite të tëra përveq familjes Aliu nuk u përkujdes askush prej institucioneve.
Por, duket se ky objekt nuk do të mbetet edhe për shumë kohë në këtë gjendje.
Shtëpia e Hërticëve që në periudhën 1992-1999 shërbeu si shtëpi-shkollë, pritet të kthehet në muze nga Komuna e Prishtinës.Në shtëpinë, që tashmë njihet si gjimnazi “Sami Frashëri”, u shkolluan rreth 10 gjenerata në kohën e sistemit paralel në Kosovë, shkruan Ndërtimi.info.
Se kjo shtëpi do të kthehet në muze, e ka bërë të ditur Drejtori i Kulturës në Komunën e Prishtinës, Yll Rugova përmes një postimi në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook.
Rugova ka thënë se ky muze duhet të bëhet edhe në përkujtim të zemërgjerësisë dhe sakrificës së familjeve që kanë dhënë shtëpitë e tyre për shkolla. Gjersa, përmendi edhe familjen Aliu, familje kjo e cila e ka ruajtur këtë ndërtese ndër vite dhe që po e vë në dispozicion të Komunës për muze.
“Shtëpia e Hërticëve do të kthehet në muze qysh edhe e meriton. Periudha e sistemit paralel të shkollimit ka rëndësi shumë të madhe për popullin e Kosovës dhe si e tillë duhet të kujtohet dhe shpjegohet si duhet për vetë neve që mos ta harrojmë, por të tregohet edhe për gjeneratat e reja që fatmirësisht nuk e kanë pëtjetuar atë”, ka shkruar Rugova në Facebook./Ndërtimi.info
