Aktuale
Shtëpia e harruar e Universitetit

Kanë nisur t’i thahen gjethet lules së zgjatur edhe nëpër grilat e derës së oborrit. Shenjë se dera ka kohë që nuk është hapur.
Kurrkush nuk del as në derën e shtëpisë pas disa përpjekjeve të kota me thirrjen “O i zoti i shtëpisë”. Kalimtarët e rastit njoftojnë shkurtimisht: “Nuk është kurrkush. Duket se jetojnë në Pejë”.
Dy shtëpi më lart një zonjë në të dyzetat ia del që në telefonin e vjehrrit plak ta sigurojë numrin e të zotit të shtëpisë në këndin që lidh rrugët “Muharrem Berisha” e “1 Tetori”, shkruan sot Koha Ditore.
Përballë shtyllës së tabelës së kaltër në trotuar mezi dallohet nëpërmjet degëve pllaka e zezë. Në pllakë, sipër portreteve me të bardhë të rektorit të ndjerë, Ejup Statovci, dhe të katër krerëve të Unionit të Pavarur Studentor të Universitetit të Prishtinës, “Hasan Prishtina”, Bujar Dugolli, Albin Kurti, Driton Lajçi e Muhamet Mavraj, shkruan: “Në këtë shtëpi më 1.10.1997 rektori prof. dr. Ejup Statovci iu bashkua protestës së studentëve, dhe doli në ballë të tyre”. Në pjesën e poshtme të pllakës, të vendosur më 1 tetor 2001, shkruhet: “Studentët dhe profesorët e Universitetit të Prishtinës”.
Të pakta janë shtëpitë në lagjen “Velania” që nuk kanë ndryshuar pamjen prej vitit 1997. I zoti i shtëpisë ku ishte vendosur Rektorati i UP-së në fillim të viteve nëntëdhjetë, Xhevdet Shoshi, tani jeton me familje në Pejë. Fillimisht heziton të rrëfejë historinë për shtëpinë-Rektorat, para së cilës u mbajt protesta masive studentore e 1 tetorit 1997. Megjithatë rrëfimin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore.
