Aktuale
Shqiptarët paguajnë 160 milionë euro taksa për rrugët në vit
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2018/08/rruget-shqiperi-autostrada-artikulli-5.jpg)
Shqiptarët paguajnë taksa direkte për rrugët gjatë një viti fiskal më shumë se sa qeveria shpenzon për mirëmbajtjen dhe ndërtimin e tyre.
Në vitin 2018 qytetarët paguan 19 miliardë lekë ose 159 milionë euro taksa direkte për rrugët, sipas të dhënave zyrtare nga tatimet. Nga kjo shumë 18.3 miliardë lekë ose 146 milionë euro u paguan nëpërmjet taksës së qarkullimit rrugor, sipas të dhënave zyrtare nga tatimet. Ndërsa rreth 600 milionë lekë ose mbi 4 milionë euro janë paguar taksa direkte nga rruga e Kombit (arkëtimet për rrugën e Kombit janë përllogaritur nga të ardhurat vjetore që përllogarit kompania në kontratë rreth 13 milionë euro. Taksat nisi të mblidhet gjatë tremujorit të fundit 2018).
Për të njëjtën periudhë qeveria shqiptare ka harxhuar nga fondet e brendshme buxhetore për ndërtimin e dhe mirëmbajtjen e rrugëve dhe gjithçka që ka lidhje me rrugët 15,4 miliardë lekë (123 milionë euro), sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Infrastrukturës. Nga kjo shumë 8,1 miliardë u përdoren për të ndërtuar rrugë, 2,1 miliardë lekë u përdoren për rikonstruksion dhe pjesa e mbetur u përdor për të mbuluar emergjencat, për sinjalistike, siguri etj.
Siç shihet nga të dhënat zyrtare, të ardhurat nga taksat e drejtpërdrejta nga rrugët ishin 19 për qind më të larta se shpenzimet nga fondet e brendshme në rrugë.
Vitin e kaluar opinioni publik u përfshi në debatin se barra fiskale me destinacion mirëmbajtjen e rrugëve ishte e lartë, teksa qeveria po vjel taksa direkte në rrugët kombëtare, duke nisur me rrugën e Kombit dhe në plan janë dhe rrugë të tjera kombëtare.
Tatimi që parimisht ka për destinacion mirëmbajtjen e rrugëve dhe që paguhet nga përdoruesit e automjeteve te çmimi i karburantit kalon disa fish nevojat e mirëmbajtjes që kërkon infrastruktura rrugore.
Shqipëria ka nivelin e taksimit më të lartë në rajon për naftën, për rrjedhojë vendi ka edhe e çmimin më të lartë të produktit në tregjet e pakicës.
Struktura e të ardhurave tatimore tregon se, TVSH-ja vazhdon të jetë kontribuuesi kryesor në të hyrat publike me 34% të të ardhurave tatimore, Tatimi mbi të ardhurat personale përbën 22 % të të ardhurave tatimore, Tatimi mbi fitimin zë 22 % të të ardhurave tatimore dhe Taksa e qarkullimit mbi karburantin zë 10% të të ardhurave tatimore.
Së fundmi, Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku tha se në shtator qeveria pritet të hapë tenderin për të zgjedhur fituesin për zgjerimin e rrugës Tiranë-Durrës dhe pas përfundimit të saj dhe rikonstruksionit të rrugës Tiranë-Plepa, autostrada me trafikun më të madh në vend do të bëhet me pagesë. Pas ndërtimit të rrugës dhe rehabilitimit të Tiranë Plepa, ata që do e përdorin autostradën do të paguajnë me telepass, në bazë të kilometrave që do të përshkruajnë. Balluku shtoi se nuk ka asgjë konkrete për tarifën dhe gjithçka do të vendoset pasi të shihen të gjitha ofertat.
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2022/04/logo-ndertimi.png)