Aktuale
Shqipëria me “Në shtëpinë tonë (Apart)” në Bienalen e Venecias 2020
“Në shtëpinë tonë (Apart)” është titulli i projektit me të cilin Shqipëria do të prezantohet në Bienalen Ndërkombëtare të Arkitekturës në Venecia. Ministria e Kulturës e Shqipërisë ka bërë të ditur se ky propozim i grupit, të përbërë prej Fiona Mali, Irola Andoni, Malvina Ferra, Rudina Breçani dhe Thomas Logoreci, është përzgjedhja për edicionin e 17-të të ngjarjes së madhe, që sivjet mbahet prej 23 majit deri më 29 nëntor.
“Si do të jetojmë së bashku?”, është koncepti kuratorial që ka zgjedhur presidenti i Bienales së Venecias, Pablo Baratta, së bashku me kuratorin Hashim Sarkis. Ai me titullin e ekspozitës “Si do të jetojmë së bashku?” (How will we live together?) u ka bërë thirrje arkitektëve që të imagjinojnë hapësira për të jetuar së bashku.
Projekti “Në shtëpinë tonë (Apart)” u përzgjodh nëpërmjet thirrjes për projekt-propozime e hapur prej 26 gushtit deri më 20 tetor. Ndryshe nga Kosova, në këtë formë, Shqipëria e përzgjedh projektin përderisa Ministria e Kulturës ka rolin e komisionarit. Janë dy faza të procesit selektiv nga një juri ndërkombëtare e përbërë nga Armand Vokshi, Simon Battisti, Arta Dollani, Stefano Boeri dhe Driant Zeneli.
Projekti “Në shtëpinë tonë (Apart)” trajton temën e fqinjësisë në Shqipërinë e pas viteve ’90, krahasuar me atë para ’90-s, kur një fqinjësi e mirë konsiderohej një fat. Autorët janë nisur nga episode filmash shqiptarë, si ai “Në shtëpinë tonë” i vitit 1979 nën regji të Dhimitër Anagnostit, nga ku projekti ka marrë edhe titullin.
Pjesë e ekipit të projektit është Fiona Mali – arkitekte dhe planifikuese, Irola Andoni arkitekte dhe disenjatore grafike, Malvina Ferra, po ashtu, arkitekte me eksperiencë në planifikim urban dhe fokus zhvillimin e qëndrueshëm, Rudina Breçani – arkitekte me pasion për dizajnimin grafik dhe projektimin e qëndrueshëm dhe producenti e shkrimtari, Thomas Logoreci.
Arkitektja Fiona Mali ka thënë se kanë sjellë elemente shtesë që prezantojnë kinematografinë, kulturën dhe traditën shqiptare në ngjarjen e madhe të arkitekturës.
“Mendoj që një temë shumë e mirë për të trajtuar temën e bashkëjetesës është fqinjësia. Të gjithë e dimë jo vetëm në Shqipëri, por tani është edhe një fenomen global që nuk arrijmë dot të njihemi me fqinjët tanë siç njiheshim dikur”, ka thënë Mali për mediat shqiptare.
Anëtari i jurisë, Driant Zeneli, i cili vitin e kaluar e përfaqësoi Shqipërinë në edicionin e 58-të të Bienales Ndërkombëtare të Artit në Venecia, ka numëruar disa arsye për përzgjedhjen e këtij projekti.
“Është goxha heterogjene prezantimi i pavijoneve në Bienalen e Arkitekturës dhe shpeshherë ato marrin nga performanca, nga artet vizive. E kjo është shumë mirë. Projekti është heterogjen, e ndihmon dhe e çliron pak nga tensioni vetëm projektual-arkitektonik”, ka thënë ai.
Kosova, të premten, ka bërë të ditur emrin e arkitektit që do të kurojë Pavijonin e Kosovës për të njëjtën ngjarje me rëndësi ndërkombëtare. Arkitekti Maksut Vezgishi, i cili do ta përfaqësojë vendin, në ditën e emërimit të tij si kurator i Pavijonit të Kosovës, ka thënë për “Kohën Ditore” se do të niset nga mjedisi i vendit për të prekur tema që e preokupojnë shoqërinë edhe në aspektin global. Komisare e Pavijonit nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit është emëruar Jehona Shyti, drejtoreshë e Departamentit të Kulturës në këtë ministri. MKRS-ja nuk shpall konkurs për përzgjedhjen e projektit përfaqësues.