Aktuale
“Shqipëria është zotuar se do të reflektojë për taksën në raport me Kosovën”

Berat Rukiqi, nga Oda Ekonomike e Kosovës, ka thënë se qeveria e Shqipërisë është zotuar se do të reflektojë për taksën e caktuar për Rrugën e Kombit, për bizneset kosovare.
Pas një takimi që ka pasur si përfaqësues i bizneseve të Kosovës me qeverinë shqiptare, Rukiqi ka thënë se pala kosovare ka kërkuar lehtësira në këtë taksë, e të paguajë njëjtë sikurse banorët lokalë.
“Takimi ishte reflektim i ankesave dhe reagimeve të shumta në Kosovë për propozimin për vendosjen e taksës që në variantin e parë kishte dështuar për shkak të vlerës së lartë. Si reflektim me rekomandim të kryeministrit Edi Rama ishte një proces konsultues me bizneset e Kosovës të përfaqësuara nga Oda Ekonomike e Kosovës. Është pajtueshmëri e përgjithshme se duhet të ketë mjete të siguruara për financimin e mirëmbajtjes. Ka kosto të shtrenjtë të mirëmbajtjes. Tuneli shpenzon 600 mijë euro energji elektrike në vit”, ka thënë ai në Express Intervistën në KTV.
“Megjithatë, ka operatorë që dërgojnë deri 70 mijë turistë nga Kosova e kompani që bëjnë eksport-import. Ata dhanë propozimet e tyre që varijonin që të mos ketë taksë fare dhe të paguhej nga buxheti i Shqipërisë, të ketë subvencionim edhe nga Kosova deri sa të ketë përmirësim të aspektit ekonomik dhe tregtar. Propozimi më i pranueshëm për ta ishte të ketë taksë që na trajton njëjtë si pjesën e komunitetit lokal. Është standard ndërkombëtar që komuniteti lokal përfiton nga kjo kur s’ka rrugë tjetër alternative. Ka zotim nga ta se do të reflektojnë mbi këto pika”, ka shtuar ai.
Rukiqi ka thënë se qeveria shqiptare është arsyetuar se vendimi ishte marrë shumë vite më herët.
Kujtojmë se fillimisht taksa për Rrugën e Kombit ishte 5 euro, por ajo nuk hyri në funksion asnjëherë pas protestës së qytetarëve të Kukësit që dogjën kabinat për pagesë.
