Aktuale
Shpenzohen vetëm 100 mijë euro për projekte kapitale në Podujevë

Zyrtarët e dy partive opozitare, LVV e PDK, kanë akuzuar komunarët e Podujevës se kanë prezantuar projekte të bëra gjatë fushatës zgjedhore si të realizuara në tremujorin e parë të vitit 2018.
Sipas tyre, janë pak nisma të procedurave të prokurimit për realizimin e projekteve të sivjetme, shkruan sot “Koha Ditore”. Këshilltari i Vetëvendosjes, Vendenis Lahu, thotë se duke krahasuar punën e deritashme, ky vit nuk do të jetë i mbarë sa u përket projekteve kapitale.
“Duke analizuar raportin për tremujorin e parë të 2018, në shikim të parë vërehet logjika e njëjtë qeverisëse. Edhe ky raport si ata të mëparshmit tregon për një buxhet të planifikuar dobët, pa politikë zhvillimore dhe për veprime ad- hock e pa vizion. Ky raport po ashtu nuk plotëson një parim bazë të cilin duhet ta plotësojë një raportet i menduar e përgatitur mirë- transparencën”, ka thënë Lahu, duke komentuar raportin financiar janar-mars 2018.
“Nga buxheti i planifikuar për vitin 2018 prej 21.372.177 eurosh, përveç problemeve që ka në strukturën e shpenzimeve ku shpenzimet kapitale nuk marrin pjesë në masën e duhur në buxhet, raporti tregon se ka probleme të mëdha edhe në realizimin e të hyrave vetjake. Në planin e realizimit të investimeve kapitale për këtë tremujor, realizimi është shumë i ulët karshi buxhetit të planifikuar.
Sipas këshilltarit të LVV-së, nga 6.489.514 euro të planifikuara për investime kapitale për vitin 2018, në këtë tremujor janë shpenzuar vetëm 1.72 për qind e atij buxheti.
