Aktuale
Shpend Ahmeti ua prezanton ndryshimet në fushën e ndërtimit kompanive ndërtimore [video]
Kryetari i Prishtinës dhe kandidati për një mandat të dytë, Shpend Ahmeti mbledhi të shtunën disa nga përfaqësuesit e kompanive ndërtimore që investojnë në kryeqytet.
Para tyre, Ahmeti shfaqi pikat e tij kryesore për fushën e ndërtimit, për të cilat kërkoi mendim nga vet ndërtuesit.
Atë që Shpend Ahmeti premton se do ta bëjë në mbledhjen e parë të asamblesë në mandatin e ri është Harta Zonale e Prishtinës.
“Në mbledhjen e parë të Kuvendit Komunal që do ta bëjmë do ta iniciojmë Hartën Zonale se tani jemi gati për Hartën Zonale, pasi që i kemi bërë matjet gjeodezike për çdo lagje dhe Harta Zonale do të jetë sipas Ligjit të Ri. Harta Zonale është dokumenti apo bashkë me planin zhvillimor komunal ajo është plani rregullativ i qytetit krejt, e që pastaj e hap rrugën edhe për plane rregullative të hollësishme apo zgjidhje më të vogla apo më të mëdha sipas nevojës. Me zgjidhje në bllok, dhe zgjidhjet e ndryshme që parashihen”, tha Ahmeti.
Ahmeti gjithashtu foli edhe për pronat e barabarta në planifikim, pasi ka pasur pabarazi në prona kur dikujt i ka qëlluar prona në zonë gjelbëruese e dikujt në unazë, ku as nuk mund t’i shpronësohet e as t’i jepet leja për ndërtim.
Pika e dytë që kryetari i Prishtinës ua prezantoi ndërtuesve ishte shpronësimi me koeficient. Ai premtoi ndryshime, pasi në raste të ndryshme me kushtet e sotme shpronësimet do të zgjaten deri në 10 vjet.
“Do e bëjmë një elaborate të pronave dhe me i ofru pronarëve të tokës që pronën ta japin në këmbim në koeficiente I cili mund të transferohet ose përmes rrugës ose brenda planit rregullativ. Që neve na mundëson, se këtë e kemi marr prej shumë qyteteve dhe në Zvicër dhe në Gjermani edhe në Amerikë e bëjnë këtë, me shit ajër për toke i thonë thjeshtë. Kaniher nuk na pengon një kat më lartë por na mundëson që ta marrim një tokë e cila neve na mundëson që ta marrim një tokë e cila neve na mundëson me ndërtu rrugë, me ble për park , na mundëson për hapësira të ndryshme”, tha Ahmeti.
E drejtori ekzekutiv i kompanisë KAWA Group, Valon Vataj shprehu brengën e tij për mungesën e infrastrukturës në lagje të reja, teksa për shpronësime dha një ide.
Unë vetëm tash kam filluar me bërë një analizë dhe me i dhënë një propozim komunës se sa kish marr rruga, çafër forme, sa metra kishin shkuar në shpronësim të rrugës, sa Ish dashtë me iu dhënë pronarëve edhe në një far forme një segment I rrugës a kish mundur me u kry në periudhën e parë të mandatit të parë. Nuk do të thotë se na me marr rrugën me përfundu rrugën komplet por mundemi me marr segmente segmente, dhe mundemi me marr prej Veternikut dhe me shku pjesë-pjesë. Dhe po besoj që me një vullnet të mirë të Komunës dhe të asamblesë kishte mundur “Rruga A” me u bë me një kohë shumë të shkurtër”, është shprehur Vataj.
Vataj gjithashtu kërkoi që Komuna e Prishtinës ta bëjë një listë me prioritete emergjente të cilat do të mund të investonin kompanitë.
“Si kompani kisha pas qef që Komuna me pas një listë të projekteve emergjente. Se ne e dimë se buxhetin se si është, mundësia si është me i kry të gjitha nevojat, tu pas parasysh planin nëpër shkolla, fushat e futbollit nëpër lagje të ndryshme, parqe të ndryshme. Me pas një listë ku ne si ndërtues, që jemi përfituesit më të mëdhenj të qytetit ne me kontribu në qytet”, tha Vataj.
Pas kësaj kryetari Shpend Ahmeti tha se po mendojnë që të kenë një plan më afatgjatë për zëvendësimin e ndërtesave të reja, duke përfshirë edhe qendrën e Prishtinës dhe gjithçka do të mund të riplanifikohej duke përfituar edhe banorët aktual. Për këtë, drejtori i kompanisë “Tregtia” tha se ka dorëzuar një projekt shumë vite më parë.
“Aty e kam bërë një përshkrim, që pronari që e ka një banesë unë ia ofrojsha edhe 50 për qind më shumë. Do të thotë nëse i ka 100 metra, merr 150 metra. Komunës i paguaj taksë veç për metra ekstra që dalin jo për ato që janë se ato rrënohen se ato nuk kanë një taksë, Aty ka qenë një projekt propozim i jashtëzakonshëm dhe është mundësi më e mirë e mundshme për me i kthy objektet e vjetra në qendra të reja”, tha ai.
Në fund Ahmeti tha se tash e pas do të jetë edhe Komuna e Prishtinës, ajo që do të futet në bashkëndërtim me kompanitë private, dhe nga kjo do të përfitojë banesa për familjet sociale.