Aktuale
Shpend Ahmeti premton rimëkëmbjen e Pallatit të Rinisë, borxhet janë mbi 3 milionë euro

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka vizituar Pallatin e Rinisë në Prishtinë, për herë të parë pas marrjes nën administrim nga komuna.
I pari i kryeqytetit ka thënë se Pallati i Rinisë ka nevojë për rimëkëmbje. Ai ka thënë se kjo fazë do të jetë e vështirë ngase borxhet që kalkulon Pallati, arrijnë shifrën mbi 3 milionë euro.
“Idea është që prej sot të fillojmë rimëkëmbjen e pallatit dhe kjo nuk do të jetë fare punë e lehtë. Gjendemi vetëm në njërin prej problemeve që ka nevojë për rimëkëmbje, faza e parë është faza emergjente, ku duhet ta stabilizojmë sa i përket edhe pagave të punëtorëve e pastaj të shohim me borxhet sepse ato arrijnë vlerën diku mbi 3 milionë euro”, ka thënë Ahmeti, raporton Ekonomia Online.
Ai ka thënë se gjiganti, që është qendra kryesore publike ka nevojë për rimëkëmbjen dhe do të punojnë në këtë drejtim duke rinovuar objektet dhe qendrat.
“Sot do diskutojmë edhe mbi këtë sallë të djegur, përfshirë edhe qendrën e njohur si Qendër për të Rinj, ku ka qenë edhe salla e kuqe, edhe galeria, ASK, do t’i diskutojmë si projekte të veçanta të cilat kanë nevojë për rinovime. Deri në fund të vitit do ta kemi një ide më të qartë për rimëkëmbjen e këtij gjiganti sepse është qendra kryesore publike”, ka deklaruar Ahmeti.
“Parashihet që investimet të arrijnë vlerën prej dhjetëra milionë eurosh, veç i kemi bërë kontaktet e para me BE-në, të shikojmë a mund të aplikojmë për IPA fonde që në vitet në vijim të përfshihen këto projekte. Ndoshta do vazhdojmë edhe me pishinën olimpike këtu mbrapa, këto nuk mund të financohen vetëm nga komuna por, duhet të gjejmë edhe donacione dhe forma të tjera financimi. Pritet që këtë javë ta regjistrojmë si ndërmarrje komunale. Ka probleme sepse punëtorët nuk i kanë marrë pagat që dy muaj dhe kërkohen autorizime”.
Ndërsa, drejtori i Pallatit të Rinisë, Ilir Dugolli, tha se pas një kohe të gjatë, Pallatit të Rinisë pritet t’i kthehet vlera.
“E di që ka vështirësi por këto janë procedura qe ndoshta detyrimisht do ta vonojnë . Jemi në pozicionin më emergjent, duhet ta bëjmë një përllogaritje edhe shikim i pikave më emergjenteve që hap pas hapi të kalojnë tek tjerat organizative dhe konstituive. Tash emergjent është të nxirren pagat e punëtorëve, sepse jemi në muajin e tretë që nuk kemi marrë paga. Janë 104 punëtorë”, ka thënë Dugolli.
