Aktuale
Shoqëria civile e opozita nesër në protestë për Kullën e Sylejman Vokshit

Me një pankartë të madhe me mbishkrimin “Udhëtim në kohë”, lëvizja Vetëvendosje në Gjakovë, të dielën ka shprehur revoltën e saj kundër dëmtimit të kullës së Sylejman Vokshit.
Sipas saj, e njëjta në një të ardhme të afërt, mund të ndodhë edhe me kullat në Gllogjan e Prekaz, raporton KTV.
E, shoqëria civile në Gjakovë, mëngjesin e së hënës do të organizojë protestë, për të kërkuar shfuqizimin e planit për ndërtimin e banesave shumëkatëshe në afërsi të kullës së Vokshit, me moton “Mos e prek kullën”.
Një veprim i tillë, për ndërtimin e objekteve të ndryshme, sipas tyre, do të ketë vetëm një rezultat, që përgjithmonë, vlerën historike dhe kulturore të kullës në fjalë, ta zhdukë.
Kundër thirrjes së kryetarit Gjini, ka votuar edhe opozita, e cila vlerëson se duhet rishikuar mirë plani, i cili do të mund të shkatërronte një pjesë të rëndësishme kulturore të Gjakovës.
Ndërkaq, ish-kryetarja e Gjakovës, Mimoza Kusari – Lila, thotë se kryetari aktual Ardian Gjini, duhet të mos lejojë shkatërrimin e kullës, duke lejuar ndërtimin e objekteve të larta në afërsi të kullës.
Sipas saj, kulla duhet që të restaurohet sa më shpejt dhe pronarëve të kullës t’u paguhet vlera e shpronësimit.
Kusari – Lila, tregon se vite më parë, pa dëshirën e tyre, i është dhënë leje një kompanie për ndërtimin e një objekti shumëkatësh, e tani kjo rrezikon të ndodhë edhe në distancë 20-metërshe nga kulla e Sylejman Vokshit.
Por, kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini ka thënë gjatë javës se me planin e tij nuk do të cenohet Kulla dhe se komuna nuk i ka paratë që duhen për kthimin e pronës në komunale.
