Aktuale
Debati i Asociacionit të Arkitektëve: Pro et Contra ish-“Gërmisë”

Edhe pse tashmë nuk do të rrënohet objekti i ish-Gërmisë, për ta shndërruar në Sallë Koncertale, Shoqata e Arkitektëve të Kosovës ka mbajtur një debat mes komuniteteve për të diskutuar për rrënimin apo jo të këtij objekti.
Drejtori i Kulturës në Komunën e Prishtinës, Yll Rugova është shprehur se duhet të punohet në një projekt që do të jetë imazh i Kosovës për shumë vite. Ai pranoi që Komuna e Prishtinës nuk ka pasur përvojë në përfitimin e fondeve ndërkombëtare për projekte.
“Na shumë rrallë kemi mbrri me thith fonde në këtë drejtim. Kjo është hera e parë dhe jemi befasuar se si kemi shkuar për t’i marr ato fonde. Kam biseduar edhe me një pjesë të arkitektëve dhe një sallë koncertale nuk mundet me u ndërtu me 2-3 milionë euro. Ideja është që mos me ndërtu një sallë koncertale të çfarëdoshme, por të kemi një i projekt që i mbetët Prishtinës për 50 vjetët e ardhshme. Nuk është se kemi shumë përvojë në konkurset ndërkombëtare. Jemi mundu që me i sjellë arkitektët që ta marojmë një ndërtesë shembull për të tjerët. Jam shumë i dyzuar në këtë pikë sepse mendoj se edhe trashëgimia kulturore është e mirë”, tha ai.
Rugova theksoi se në momentin që objekti ka hyrë në listën e mbrojtjes, BE ka kërkuar një lokacion si alternativë tjetër.
Ilir Gjinolli, profesor në Fakultetin e Arkitekturës, tha se duhet pasur kujdes me lokacionin e sallës koncertale. Sipas tij lokacioni më i mirë është afër Pallatit të Shtypit për shkak se është lokacion i hapur.
“Çështja e rrënimit, me vendos një sallë nuk mundemi në atë strukturë përveç se nëse rrënohet komplet e vetëm nëse ia ruajmë atë mbështjellës. Me rrëzu një objekt shkon në 2 milionë . Lokacionin si lokacion më i mirë është afër Pallatit të Shtypit. Është lokacion i hapur, nuk është që ka pengesa vizuale. Një sallë koncertale nuk mundet ne qenë e mbuluar me sallat e sportit, nuk mundet me qenë nën hijen e banesave të banimit”, është shprehur Gjinolli,duke qenë skepikt për idenë që kjo sallë të jetë për 600 persona.
Astrit Salihu, profesor i jashtëm në Departamentin e Filozofisë në Universitetin e Pristhinës, tha se ndonëse nuk është kundër ndërtimit të një salle koncertale ka rezerva sa i përket vlerës që ka Shtëpia e Mallrave ish-Gërmia në aspektin e identitetit të Prishtinës.
“Askush nuk është kundër sallës koncertale…Debati rreh asaj se ku do të bëhet më duket se është pak i vonuar. Unë e kuptoj edhe arkitektët që përpiqen që të ruajnë trashëgiminë por edhe kam rezervat për ata që thonë se shtëpia e mallrave është identitet i Prishtinës pavarësisht vlerave të saj arkitektonike. Identitete e fiksuara nuk na lejojnë që të jemi më fleksibil. Ajo nuk ka më asgjë nga identiteti fillestar që ka pas. Unë me atë që kemi nëse sot në Shtëpinë e Mallrave unë mendoj se ai objekt nuk vlen asgjë nuk shërben askujt”.
Ndërsa, Ilir Bajri, nga komuniteti i artistëve, tha se Prishtina duhet të ketë një sallë koncertale, duke shtuar se debati brenda komunitetit të artistëve lidhur me këtë çështje ka qenë shumë i dobët.
Debati i mbajtur në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare ka përfunduar pa ndonjë konkludim a sugjerim.
Ndërkohë Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj të sotme ka vendosur që të blejë këtë objekt nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, ndërsa objekti do t’i takojë Komunës së Prishtinës.
Kryeminstri Ramush Haradinaj tha se vlerat e trashëgimisë kulturore të këtij objekti do të ruhen.
“Komisioni Evropian ka ndarë një buxhet per një sallë koncetrale dhe pas shumë diskutimeve objekti më adekuat është objekti i Gërmisë, dhe ne marrim obligim qe ato aspektet e vlerës së trashigimisë kulturore të ruhen, por dedikimi i objektit ndërron në mënyrë që te thithet ky donacion që është nga 11 deri në 15 milionë euro”, tha Haradinaj
/Ndërtimi.info/
