Aktuale
Shkolla Moderne e Prishtinës me lëshime që shihen nga “qielli”

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti bashkë me nënkryetarin, Selim Pacolli, drejtorin e Arsimit Jonuz Salihaj dhe disa asamblistë vizituan sot përfundimin e punimeve në objektin e shkollës fillore dhe të mesme të ulët në lagjen “Arbëria”, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.
“Shkolla që do të mbajë emrin “Mehmet Gjevori” në përbërje ka gjithsej 12 dhoma mësimi , prej të cilave 2 dhoma mësimi për nivelin e arsimit parafillor, 10 dhoma mësimi për nivelin e arsimit fillor dhe të mesëm të ulët dhe 4 dhoma për kabinete, kuzhinën dhe hapësirat të tjera përcjellëse sipas kërkesave dhe standardeve bashkëkohore”, thuhet në komunikatë.
Drejtoria e Arsimit pas analizës dhe vlerësimit të përgjithshëm mbi demografinë e popullsisë në lagjet apo zonimin ku shtrihen shkollat fillore, si: SHFMU “Meto Bajraktari”, SHFMU “Qamil Batalli” dhe SHFMU “Faik Konica”, konstatoi se numri i nxënësve në këto shkolla është i madh nëpër paralele prandaj rreth 17 paralele nga viti i ri shkollor 2018/19, do të transferohen në shkollën e re në lagjen “Arbëria” gje i gjithë procesi do të realizohet në koordinim të plotë me drejtuesit e shkollave dhe organet e brendshme të shkollës.
Mirëpo, në fotografitë e postuara të shkollës së sapo përfunduar janë vërejtur disa lëshime që tregojnë pakujdesi në detajet e ndërtimit të shkollës.
Në fotografi shihen skajet e dëmtuara tek platoja para shkollës ende pa filluar shfrytëzimi i objektit. Ndërsa në ambientin e brendshëm shihet mermeri i nxjerrë jashtë duke krijuar skaje të rrezikshme për fëmijët, prerje të tilla nuk duhet të ketë përveç në rastet kur është e domosdoshme, edhe atëherë ato duhet të mvishen me gomë.
Nga ajo që mund të shihet edhe në shkallë nuk është menduar shumë për fëmijë. Shkallë për shkolla duhet të projektohen mbi këto baza:
1. Shkallët në të dyja anët duhet të kenë mbajtëse (parmak) me lartësi 0.9m
2. Shkallët duhet të kenë parapet të plotë muri ose materiali tjetër, deri në lartësinë 0.65m
3. Lartësia e shkallës midis dy sipërfaqeve të shkelshme të jetë jo më shumë se 0.17m
4. Gjerësia e shkallëve varion jo më e vogël se 1.2 m
5. Hapësira e shkeljes të jetë jo më pak se 0.3m
6. Hapësira e shkeljes të trajtohet me material kundër rrëshqitjeve
7. Shkallët duhet të kenë ndricim natyral
8. Shkallët nuk duhet të kenë më shumë se 18 bazamakë në një rampë
Për më tepër, shkallët në shkolla duhet të plotësojnë kushtet e mëposhtme:
– Gjerësia e krahut të shkallëve: minimumi 1,2 m /100 nxënës + 0,2 cm për çdo 100 nxënës të tjerë dhe max. 3,0 m.
– Nuk duhet të projektohen dhe të zbatohen shkallë spirale dhe trapezoidale.
– Lartësia e parmakut të shkallëve duhet të jetë 1,10 m
– Për shkallë me gjerësi deri në 1,5 m parmaku vendoset vetëm në njërën anë
– Për shkallë me gjerësi deri në dy 2 m, parmaku duhet të vendoset nga të dyja anët
– Për shkallë më të gjera se 2 m duhet vendosur parmak edhe në mes
– Në çdo kat duhet të ketë minimumi dy shkallë në distancë nga njëra tjetra sa më të mëdhaqë të jetë e mundur.
Shkolla shihet që është breg një rruge (shih vijat e bardha) dhe nuk ka mbrojtje apo rrethim. Ky është rrezik permanent për fëmijët.
Më poshtë mund të shihni fotografitë e objektit, ndërsa javën e ardhshme do të bëhet edhe prezantimi i draft projekteve konceptuale i pesë objekteve shkollore që do të ndërtohen me programin PFI në bashkëpunim me Bankën Botërore.
