Aktuale
Shkolla e shkatërruar në Kamenicë [foto]

Dritaret i janë thyer, e salla e gjimnastikës ngjason në një shtallë plehrash ku vend kanë zënë jashtëqitjet e kafshëve dhe copat e thyera të xhamave.
Kjo është shkolla “Skënderbeu” e Lisockës së Kamenicës e cila ishte ndërtuar në vitin 1974.
Në këtë shkollë, që dikur numëronte mbi 300 nxënës për çdo vit, nuk ka as tualet e as ujë për pije.
Por, që prej viteve të pasluftës kur ka filluar të dëmtohet në këtë masë, ende ka nxënës që vijojnë mësimin në të.
13 nxënës të Lisockës së komunës së Kamenicës vijojnë mësimin këtu, shkollën që është paralele e asaj në Hogosht. Numër ky që është nën atë të mësimdhënësve dhe punëtorëve të shkollës, e që arrin në 16.
Mungesa e kushteve elementare për mësim nxënie, por edhe interaktivitet e konkurrencë të shëndoshë për nxënësit, po e brengos kryetarin e ri të Kamenicës, Qëndron Kastrati. Ky doli për të parë gjendjen nga afër e për të biseduar me banorët për një zgjidhje më të mirë për fëmijët dhe mësimdhënësit.
Megjithatë thotë se i janë paraqitur dy probleme në këtë drejtim.
Një zgjidhje mendohet të jetë sigurimi i transportit për nxënësit e Lisockës dhe dërgimi i tyre në shkollën më të afërt me kushte më të mira, si ajo në Hogosht.
Megjithatë edhe nëse kjo zgjidhje arrihet, sipas Kastratit problem mbetet akomodimi i mësimdhënësve që mund të mbesin pa punë.
Kastrati tregoi se sipas një analize që kanë bërë me ardhjen në qeverisje lokale del se prej 38 shkollave sa ka Kamencia, të nevojshme janë vetëm pesë. Ngase, si pasojë e shpërnguljes së madhe të banorëve nga kjo komunë është ulur numri i nxënësve.
Ai po ashtu tha se do të shkojnë me plan konkret për zgjidhjen çështjes së shkollave paralele, dhe atyre të kombinuara ku ka nxënës të klasës së parë e të katërt, apo kombinime të ngjashmebrenda një klase, te Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT). Dhe, se janë të interesuar që Kamenica të jetë model, apo pilot projekt edhe për komunat tjera.
Mbyllja e mësimdhënies në shkollën “Skënderbeu”, në Lisockë, nuk po mirëpritet edhe nga mësimdhënësit, për të cilët kryetari thotë se është i vetëdijshëm se janë të shqetësuar ngase frikohen për vendet e tyre të punës.
Një prej mësimdhënësve të kësaj shkolle, Naser Kërçeli, i tha KosovaPress-it se janë kundër ndërprerjes së mësimit në shkollë, por pranoi se duhet zgjidhje për kushtet e shkollës.
Megjithëse krejt ndryshe nga ky mësimdhënës mendon përfaqësuesi i fshatit Lisockë, Fadil Zuzaku, i cili ankohet edhe për performancën e mësimdhënësve si dhe shfaq edhe brengën për rrezikun që iu kanoset nxënësve për shkak të kushteve të mjerueshme të shkollës.
Ky e përkrah idenë e sigurimit të një transporti për nxënësit deri në zgjidhjen më adekuate për rregullimin e kushteve të shkollës së fshatit.
Problematika me degët paralele të shkollave nëpër fshatra, e që kanë numër të vogël të nxënësve si dhe klasa të kombinuara, nuk e prek vetëm komunën e Kamenicës.
Sipas statistikave të MASHT –it janë diku 311 shkolla të tilla, mirëpo nuk ekzistojnë të dhëna të sakta sa janë shkolla të vogla prej tyre, pra shkolla që kanë më shumë numër të mësimdhënësve sesa të nxënësve.
Drejtori i Qendrës Kosovare për Arsim (KEC), Dukagjin Pupovci tha për KosovaPress se vitin e kaluar vetëm në Prishtinë kanë punuar 22 paralele të tilla të kombinuara nëpër fshatra, ku në një klasë kanë mësuar edhe nënës të klasës sëpër dhe të dytë dhe kombinacione tjera që nuk janë të mira, sipas tij, për nxënësit.
Sipas tij, me rregullimin e infrastrukturës rrugore në Kosovë mësimdhënia përmes klasave paralele nëkëtë formë është e tejkaluar dhe as që ka nevojë për ekzistencë të shkollave të tilla.
Kësaj politike, sipas tij, duhet të i vjen fundi dhe duhet të gjendet mënyra tjera.
Një prej tyre, sipas tij, është të mos punësohen më mësimdhënës të ri ngase çdo vit 3 deri 5 për qind mësimdhënësve pensionohen.
Sipas formulës së financimit për shpërndarjen e granateve të arsimit, një mësimdhënës paguhet për 27.5 nxënës në zona të rrafshëta, derisa për 17.5 nxënës në zona malore.
Pupovci thotë se vazhdimi i degëve paralele të shkollave ku ka më pak nxënës se mësimdhënës duhet t vazhdojë vetëm në zona të cilat kanë vështirësi transportin edhe në sezon dimri, si zonat e Rugovës.
Një pjesë e madhe e shkollave të reja në Kosovë janë ndërtuar gjatë fushatave zgjedhore, dhe si pasojë e premtimeve elektorale në Kosovë.
Pupovci pohon se arsimi u përdor prej politikes për të gjeneruar vota, dhe në këtë formë janë hapur edhe shkolla pa asnjë plan për numrin enxënësve që ato do të kenë apo mënyrën se si do të zhvillohet arsimi.
E nëse nuk do të bëhet zgjidhje për këtë problematikë deri në shtatorin e këtij viti, nxënësit e Lisockëdo të vazhdojnë të vijojnë mësimin nën erën e kundërmimit të jashtëqitjeve të kafshëve dhe me mungesë të kushteve më elementare për mësim nxënie.
Një përgjigje rreth një zgjidhje të mundshme përmes politikave të reja shtetërore, KosovaPress, ka kërkuar edhe nga MASHT, por zyrtarët e kësaj ministre nuk janë përgjigjur.
