Connect with us

Aktuale

Shkeljet në tender që çuan në humbjen e donacionit 306 mijë euro për Bifurkacionin

Published

on

Zvarritjet e shumta në tenderin për rregullimin e shtratit të lumit te bifurkacioni dhe trotuaret pranë lumit Nerodime i kanë humbur këtë projekt Komunës së Ferizajt. I njëjti ishte financuar edhe nga Ministria e Mjedisit. Për shkak të shkeljeve ligjore, në fund Komunës i ka munguar dokumenti i disponueshmërisë së mjeteve.

Mungesa e zotimit të mjeteve është arsyeja e anulimit të tenderit për rregullimin e shtratit të lumit te bifurkacioni.

Për këtë tender disa herë është vendosur në Organin Shqyrtues të Prokurimit për shkak të shkeljeve ligjore që janë bërë.

Por, kur Komuna e Ferizajt kishte arritur të përmbyllte një proces të prokurimit, asaj i mungonte dokumenti i zotimit të mjeteve.

Në mungesë të këtij dokumenti, Komisioni Rregullativ i Prokurimit ka refuzuar të publikojë “njoftimin për dhënien e kontratës” të kësaj komune.

Pas këtij vendimi të KRPP-së, Komuna e Ferizajt ka vendosur të anulojë komplet procedurën e prokurimit.

Në Komunën e Ferizajt thonë se për shkak të zvarritjes së procedurës së prokurimit ka ardhur deri tek humbja e donacionit dhe për pasojë edhe anulimin e projektit të prokurimit “Rregullimi i shtratit të lumit te Bifurkacioni dhe trotuaret pranë lumit Nerodime”.

Menaxheri i prokurimit në Komunën e Ferizajt, Feim Ibrahimi thotë tha se ka qenë një proces i tejzgjatur.

“Arsyeja për anulim të tenderit ka qenë mungesa e mjeteve financiare dhe mos përtëritja e marrëveshjes me Ministrinë e Planifikimit Hapësinor për vitin 2017”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Prokurimit të Komunës së Ferizajt. “Për shkak të zotimit të mjeteve, KRPP nuk ka publikuar Njoftimin e dhënies së kontratës”.

Kjo zyre i ka dhënë qasje “Gazetës Jeta në Kosovë” në marrëveshjen e lidhur në mes të Komunës së Ferizajt dhe Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor për financimin e këtij projekti.

Në këtë dokument thuhet se mjetet janë të siguruara vetëm për vitin 2016. Në Zyrën e Prokurimit thonë se e njëjta marrëveshje nuk është ripërtërirë në vitin 2017, pas zvarritjes që kishte ndodhur për shkak të shkeljeve në procedurat e prokurimit.

E në marrëveshjen e nënshkruar thuhet se procedurat e prokurimit duhet të finalizohen brenda vitit 2016, në të kundërtën nëse e njëjta zvarritet gjithë kostoja e realizimit të projektit do t’i mbetet Komunës.

Përkundër që Komuna e Ferizajt nuk kishte mjete për këtë projekt, e njëjta kishte vazhduar evaluimin e tenderit dhe disa herë ishin marrë vendime për dhënie të kontratës, anulim dhe seanca në OSHP.

Zyrtari tjetër nga zyra e prokurimit të Ferizajt për “Gazetën Jeta në Kosovë” theksoi se pas urdhëresës së fundit të OSHP-së për rivlerësim të ofertave, është formuar komisioni i rivlerësimit.

Ky komision i rivlerësimit e ka rekomanduar për kontratë kompaninë “Mali Art & Avduli”, por sipas tyre KRPP-ja nuk e ka publikuar dhënien e kontratës, sepse u ka munguar zotimi i mjeteve.

Donacioni i cili ka qenë i dedikuar për projektin në fjalë sipas zyrtarëve komunalë është tërhequr për shkak vonesave në procedura të prokurimit dhe Komuna nuk ka zotuar mjete tjera për të vazhduar me procedura të prokurimit.

Historia

Ky tender ka një histori 14 mujore, aq sa ka zgjatur procesi i prokurimit nga momenti i inicimit të tenderit deri në ditën e anulimit  të tij, më 8 dhjetor të vitit 2017.

Procesi i prokurimit “Rregullimi i shtratit të lumit te Bifurkacioni dhe trotuaret pranë lumit Nerodime” ka filluar në tetor të vitit 2016 me një vlerë të parashikuar prej 306 mijë e 315 euro për tri vite.

Ky projekt ishte pjesë e donacioneve nga Komisionit Europian. Për vitin 2016 për këtë projekt ishin të zotuara 65 mijë euro, 100 mijë euro ishin planifikuar për vitin 2017, dhe për vitin 2018 ishte planifikuar edhe pjesa tjetër prej 141 mijë e 315 euro.

Bazuar në dokumentet e tenderit për rregullimin e shtratit të lumit te bifurkacioni sipas planifikimeve në pjesën e punëve përfshihej: pastrimi i terrenit, rrënimi i gërmadhave, rregullimi i pjesëve anësore të lumit me material të gurit natyror, rregullimi i trotuareve me kubëza betoni si dhe të vendosja e ulëseve të reja.

Në nëntor të vitit 2016, për kontratë është rekomanduar kompania “Linda shpk” me ofertën e tij prej 269 mijë e 888 euro apo 36 mijë 427 euro më lirë se sa ishte i planifikuar projekti, duke i mposhtur 7 kompani tjera që kishin ofertuar.

Kundër këtij vendimi të Komunës së Ferizajt ishin ankuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit dy operatorë ekonomikë: konsorciumi “Mali Art & Avduli” dhe konsorciumi tjetër “Pro & Co Group shpk & Kema Company”.

Gjykata e Tenderëve i kishte dhënë të drejtë këtyre kompanive duke e kthyer lëndën në rivlerësim, pasi kishte gjetur shkelje ligjore.

Në vendimin e OSHP-së të datës 30 dhjetor të vitit 2016, përfaqësuesi nga kKomuna e Ferizajt kishte deklaruar se konsorciumit “Mali Art & Avduli” u kishin munguar referencat për punët e njëjta, siç ishte kërkuar në dosjen e tenderit.

Për konsorciumin “Pro & Co Group shpk & Kema Company”, përfaqësuesi i Komunës së Ferizajt kishte deklaruar se përveç referencave të kërkuara i mungonte edhe certifikata e biznesit për punë adekuate.

Paneli shqyrtues i OSHP-së kishte konstatuar se pretendimet ankimore ishin të qëndrueshme dhe kishte vendosur që lëndën të kthehet në rivlerësim, pasi kishte konstatuar se që të dy konsorciumet posedonin referenca për kryerjen e punëve të ngjashme.

Komuna e Ferizajt në shkurt të vitit 2017 kishte publikuar ‘njoftimin për anulimin e dhënies së kontratës’ me urdhrin e OSHP-së duke çuar lëndën në rivlerësim.

Komuna e Ferizajit e kishte formuar komisionin për rivlerësimin e ofertave të pranuara për këtë tender, ndërsa, në shkurt të vitit 2017, për kontratë ishte rekomanduar konsorciumi “Mali Art & Avduli” me ofertë e tyre prej 249 mijë e 693 euro. Oferta e këtij konsorciumi ishte për 56 mijë e 622 euro më lirë se sa vlera e planifikuar e kontratës. Oferta e këtij konsorciumi njëherit ishte ofertë më e lirë për 20 mijë e 195 euro se sa kompania “Linda shpk”, e cila u shpall fituese  herën e parë.

Telenovela e këtij tenderi kishte vazhduar, pasi sërish kishte ankesë në Gjykatën e Tenderëve.

Tashmë, ishte ankuar kompania “Linda shpk”, e cila herën e parë ishte rekomanduar për kontratë.

Në seancën e mbajtur në OSHP, me datën 7 prill të vitit 2017, përfaqësuesi i kompanisë ‘Linda Shpk’ kishte deklaruar se konsorciumit “Mali Art & Avduli” u mungonte certifikata e biznesit për punët adekuate dhe kodet adekuate.

Kjo kompani kishte thënë se njëri nga anëtarët e konsorciumit, kompania “Mali Art” si aktivitet biznesor e kishte gastronomi-hoteleri e jo me ndërtim. Sipas kompanisë “Linda shpk” mangësi kishte edhe në dokumentin e marrëveshjes së konsorciumit, ndërsa oferta financiare e kompanisë ‘Avduli’ nuk e kishte vulën dhe nënshkrimin.

Kjo kompani pretendonte se as sigurimi i ofertës i konsorciumit “Mali Art & Avduli” nuk ishte në emër të dy anëtarëve, si dhe u mungonin referencat për punët e ngjashme.

Eksperti shqyrtues kishte konstatuar se referencat e ofruara nga konsorciumi “Mali Art & Avduli” për ndërtimin e rrugëve ishin të vlefshme duke aluduar se fjala ishte për ndërtim.

Sigurimi i ofertës për ekspertin ishte në rregull edhe pse ishte vetëm në emër të kompanisë “Mali Art” pasi ai ishte lider i konsorciumit.

Ndërsa për ofertën financiare eksperti konstatonte se në formularin e dorëzimit të ofertës financiare figuronte nënshkrimi dhe vula e dy kompanive pjesë të konsorciumit.

Përfaqësuesi i komunës së Ferizajt në këtë seancë iu kishte drejtuar panelit me arsyetimin se ka shpallur fitues konsorciumin “Mali Art & Avduli” pas rekomandimit të OSHP-së që tenderi të shkojë në rivlerësim dhe rivlerësimit nga komisioni i dytë.

Vendimet e OSHP-së

Në seancë OE “Linda shpk” kishte kërkuar që lënda të kthehej në rivlerësim, ndërsa Komuna e Ferizajt kishte kërkuar vazhdim të procedurave të prokurimit me arsyetimin se dëshironin ta kursenin buxhetin pasi oferta e kompanisë fituese pas rivlerësimit ishte më e lirë se oferta e ankuesit.

Komisioni rivlerësues i Komunës së Ferizajt me fjalën “Jo” kishte plotësuar rubrikën se konsorciumi “Mali Art & Avduli” ishte i papërgjegjshëm.

Zyrtari përgjegjës i prokurimit pa ndonjë koment kishte nënshkruar raportin  e rekomanduar dhe prapëseprapë e kishte rekomanduar që me kontratë të shpërblehej konsorciumin “Mali Art & Avduli”. Për këtë arsye dhe në bazë të disa fakteve paneli i OSHP-së kishte vendosur që lëndën ta kthejë në rivlerësim.

Komuna e Ferizajt e kishte zbatuar vendimin e OSHP-së, duke e anuluar “dhënien e kontratës” dhe duke e kthyer lëndën në rivlerësim. Pas rivlerësimit, Komuna e Ferizajt e kishte rekomanduar për kontratë kompaninë e tretë që ishte në këtë garë.

Më 8 maj të vitit 2017 për kontratë është rekomanduar konsorciumi “Pro & Co group dhe Kema Company” me ofertën e tyre prej 251 mijë 093 euro, apo 55 mijë e 222 euro më lirë se sa projekti i planifikuar.

Oferta e konzorciumit “Pro & Co group dhe Kema company” ishte më e lirë për 18 mijë e 795 euro se sa oferta e “Linda shpk” fituese për herën e parë, ndërsa për 1 mijë e 400 euro më shtrenjtë se sa oferta e konsorciumit “Mali Art & Avduli” fituese për herën e dytë.

Sërish kishte ankesa në Gjykatën e Tenderëve kundër vendimit të Komunës së Ferizajt për ta shpërblyer me kontratë konsorciumin “Pro & Co group dhe Kema company”.

Ishin ankuar dy kompanitë të cilat ishin rekomanduar për kontratë në të kaluarën: kompania “Linda shpk” dhe konsorciumi “Mali Art & Avduli”.

Në seancën e mbajtur në OSHP, me 12 qershor 2017, përfaqësuesi nga konsorciumi “Mali Art & Avduli” kishte thënë se problemet e njëjta janë diskutuar në dy seancat e mëparshme të OSHP-së.

“Në vendimin e panelit të parë edhe certifikata edhe deklarata janë cilësuar të pranueshme, ndërsa në vlerësimin e dytë janë vlerësuar të papranueshme. Ky është vendim në kundërshtim me vetveten”, citohet përfaqësuesi i konsorciumi “Mali Art & Avduli” në vendimin OSHP-së.

Në këtë seancë përfaqësuesi nga kompania “Linda shpk” kishte deklaruar se kompanitë tjera rivale nuk i plotësonin kushtet për tu shpërblyer me kontratë, sepse ishin të papërgjegjshme dhe si kompani e treta me radhë më e lira e meritonte tenderin.

Përfaqësuesi nga Komuna e Ferizajt kishte thënë në seancën e OSHP-së se janë në hall me këtë tender.

“Herën e parë kemi shpall ‘OE Linda’ fitues, dhe ka pasur ankesë nga ‘Mali Art’ dhe janë aprovuar ankesat. Ne kemi bërë komision të ri dhe kemi rivlerësuar ofertat dhe fitues është shpallur ‘Mali Art’ dhe prapë ka pasur ankesë dhe sërish janë aprovuar ankesat. Kjo është hera e tretë dhe nuk dimë çka të bëjmë më shumë pasi kemi respektuar vendimet e OSHP-së”, kishte deklaruar përfaqësuesi nga Komuna e Ferizajt.

Eksperti shqyrtues kishte kërkuar që edhe njëherë të bëhet vlerësimi i ofertave.

“Unë përmes raportit kam propozuar që sipas nenit 72 të LPP-së të rishikohen ofertat, të rivlerësohen dhe të arsyetohet me dëshmi dokumentare në raport me LPP-në përgjegjshmërinë apo papërgjegjshmërinë e OE”, kishte deklaruar eksperti shqyrtues.

Derisa tenderi për rregullimin e shtratit të lumit të Bifurkacioni ishte në procedurë, në seancën e OSHP-së është përmendur edhe fakti që pronari i kompanisë “Linda shpk” ishte në burg, ndërsa deklarata nën betim ishte ‘nënshkruar’ nga i njëjti.

Pas kësaj paneli shqyrtues i OSHP-së kishte marrë vendim që lënda të shkojë për të tretën herë në ri-vlerësim për arsye se OE “Mali Art & Avduli” nuk mund të shpallej fitues, sepse ishte i papërgjegjshëm, ndërsa OE “Linda shpk” ishte eliminuar pa arsye, sepse në formularin e tenderit te pjesa C dhe deklarata nën betim iu kishte përmbajtur të dhënave siç e kërkonte dispozita e LPP-së.

Më 24 korrik 2017 Komuna e Ferizajt publikon ‘njoftimin për anulimin’ e komplet aktivitetit të prokurimit me arsyetimin se asnjë nga OE te cilët kishin ofertuar nuk kishin qenë të përgjegjshëm

Sërish lënda kishte shkuar në OSHP, për të katërtën herë.

Ishin ankuar kompania “Linda shpk” konsorciumi “Mali Art dhe Avduli”.

Pas këtij vendimi, OSHP-ja e lëshon një urdhëresë përmes të cilës e kërcënon me gjobë prej 5 mijë euro Komunën e Ferizajt në rast se nuk e kthen në rivlerësim këtë proces të prokurimit.

Gjithashtu, ishte paralajmëruar se do të merren masa edhe ndaj zyrtarit përgjegjës të prokurimit, përmes inicimit të procedurës për marrjen e certifikatës së prokurimit për bishtnim apo ikje të përmbarimit të vendimeve të OSHP-së.

Komuna e Ferizajt i ishte bindur urdhrit të OSHP-së duke e anuluar ‘njoftimin për anulim’ dhe duke e kthyer në rishqyrtim procesin e prokurimit.

Pas ankesës për të pestën herë të kompanisë “Linda shpk” në OSHP  më në fund OSHP-ja kishte marrë vendim që ta lejojë komunën e Ferizajt që të anulojë komplet aktivitetin e prokurimit në mungesës të ofertave të përgjegjshme dhe ta ritenderojë aktivitetin e prokurimit nëse ka vullnet. Arsyetimi i panelit të OSHP-së ka qenë nënshkrimi që është bërë nga pronari i kompanisë “Linda” në dokumentet e tenderit, në kohën kur i njëjti ishte në burg.

“Në mungesë te ofertave të përgjegjshme gjithmonë duke pasur parasysh se sipas vendimeve paraprake të gjithë OE pjesëmarrës në këtë aktivitet të prokurimit janë shpallur të papërgjegjshëm, aktiviteti i prokurimit: “Rregullimi i shtratit te lumit Bifurkacioni dhe trotuaret pranë lumit Nerodime — projekt 3 vjeçar”, duhet te ritenderohet nëse AK ka interes lidhur me këtë” shkruante në fund të vendimit të OSHP-së”, thuhet në vendimin e OSHP-së./Kallxo.com

Aktuale

Deodorantë, shishe uji plastike…: Çfarë nuk duhet të lini në vetura në ditët e nxehta?

Published

on

Dielli dhe nxehtësia kanë një efekt shkatërrues në disa gjëra që përdorim dhe nuk është e mençur t’i lëmë në vetura.

Duket e arsyeshme të mbani një shishe me ujë në veturën tuaj gjatë një vale të nxehtë. Megjithatë, bisfenoli A dhe ftalat në plastikë, kimikate që veprojnë si lidhës dhe e bëjnë plastikën fleksibël, po shkaktojnë shqetësim tek ekspertët që studiojnë efektet e tyre në shëndetin e njeriut. Lënia e ujit në shishe plastike në një makinë të nxehtë mund të bëjë që këto substanca të lëshohen në ujë, shkruan The Sunday Times.

Nxehtësia e madhe në vetura mund të dëmtojë bateritë e të gjitha pajisjeve që i përdorin, që nga kompjuteri, celularët… Ka edhe shishe me krem kundër diellit, të cilat nuk duhet t’i lini në diell (një paradoks interesant, apo jo?) sepse në disa raste mund të shpërthejnë. Më pas janë të gjitha spërkatjet, nga deodoranti tek llaku i flokëve. Kur temperatura arrin rreth 48 gradë Celsius, presioni në rezervuar rritet mjaftueshëm për të shkaktuar një shpërthim, thonë ekspertët. Kornizat plastike të syzeve të diellit mund të shtrembërohen dhe zbardhen, dhe lentet mund të shtrembërohen.

Disa ilaçe, si antibiotikët, duhen mbajtur në frigorifer. Ilaçet në përgjithësi nuk e tolerojnë nxehtësinë dhe disa prej tyre do të bëhen të papërdorshme pas ekspozimit ndaj temperaturave jashtëzakonisht të larta. Nëse përdorni injeksione adrenaline, dobia e tyre zhduket në automjetet e nxehta. E cila, natyrisht, është çështje jete ose vdekjeje.

Buzëkuqi do të shkrihet në temperatura të larta.

Është dokumentuar se kanaçet e gazrave mund të shpërthejnë kur ekspozohen ndaj nxehtësisë ekstreme. Edhe lëngu i portokallit mund të shpërthejë nëse lihet në makinë për një kohë të gjatë, dhe kjo do të thotë një brendshme ngjitëse…

Lënia e çakmakut të disponueshëm në makina në ditët e nxehta nuk është një ide e zgjuar. Shpërthimi i tyre mund të shkaktojë dëme të mëdha dhe madje të thyejë xhamin e përparmë./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Themelohet Oda e Minierave të Kosovës

Published

on

Me ceremoni të mërkurën është bërë hapja e Odës së Minierave të Kosovës që u konsiderua një hap tejet i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, raporton Ekonomia Online.

Themeluesi, Mentor Demi, ka thënë se kjo ceremoni është një hap shumë i rëndësishëm në drejtim të zhvillimit të industrisë së minierave në Kosovë.

Alaudin Kodra, anëtar i Bordit në Odën e Minierave të Kosovës, ka thënë se gjeologjia e Kosovës, është e pasur dhe pikërisht kjo ka qenë një nga arsyet e fillimit të tij për punuar në Kosovë.

“Ligji minerar është ligj i mrekullueshëm i cilësisë së lartë për dallim nga. Pjesa perëndimore e Kosovës është një vazhdimësi e gjeologjisë së Shqipërisë. Kosovës i duhen kompani serioze, dua të iu urojë gjithë të mirat të keni suksese”, ka thënë nder tjera Kodra.

Zëvendësministri i Industrisë, Sipërmarrjes dhe Tregtisë, Mentor Arifaj, ka thënë se kontributi i madh për të ardhur deri te hapja e Odës është për tu vlerësuar.

“Do ta luajë një rol ndërmjet një katalizatori i akterëve të shumtë dhe investitorëve potencial qoftë vendor apo ndërkombëtarë. Oda do ta luajë një rol të rëndësishëm në kuptimin e avancimit duke përfshirë njësi të ndryshme në arenën ndërkombëtare në sektorin e minierave”, ka thënë ai.

Nurten Deva, Rektor i Universitetit Isa Boletini, ka thënë se zhvillimi i industrisë minerare ka një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik.

“E përgëzojë zotëri Demin për guximin që ka ndërmarrë një hap të tillë për themelimin e një odë nga privatët. Nuk e kanë pas mbështetjen e duhur për të arritur vizionin në planet e tyre strategjike”, ka thënë Deva. Andor Lips, Drejtori jo-ekzekutiv në Western Tethyan Resources, ka thënë se Osat kanë shumë të rëndësishme si një lloj urë lidhëse në mes të investitorëve të huaj dhe institucioneve shtetërore./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Gjykata e Apelit anulon vendimin për ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit në Vjosë

Published

on

Pas 10 vitesh nëpër procese gjyqsore, banorët e Mallakastrës fituan të parën betejë ligjore për çështjet mjedisore në vendin tonë. Gjykata Administrative e Apelit në Tiranë anuloi të mërkurën vendimin për ndërtimin e hidrocentralit Poçem në lumin Vjosa. Gjykata i dha të drejtë banorëve dhe organizatave mjedisore, duke konfirmuar aktvendimin e plotë të shkallës së parë dhe argumentet e tij në mbështetje të pretendimeve të paditësve.

Vendimi shënon fitoren përfundimtare të çështjes së parë mjedisore të trajtuar nga Gjykata në Shqipëri.

Beteja ligjore ka nisur në dhjetor të vitit 2016 nga EcoAlbania, EuroNatur dhe Riverwatch, së bashku me 38 banorë të fshatit Kutë në Mallakastër. Ata kundërshtuan ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit, duke pretenduar se “procedurat e ndjekura për dhënien e kontratës koncensionare si dhe procesi i konsultimeve me publikun, ishin zhvilluar në shkelje të legjislacionit shqiptar dhe të konventave ndërkombëtare”.

Banorët dhe organizatat fituan betejën e parë në maj të 2017, kur Gjykata Administrative e Shkallës së Parë vendosi në favor të tyre.

Palët e paditura janë Ministria e Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Avokati i Shtetit (në emër të Ministrisë së Energjisë) dhe shoqëria koncesionare (Kovlu Energy), të cilat apeluan vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Pas 8 vitesh Gjykata e Apelit ka vendosur të rrëzojë padinë e tyre dhe të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Ndërkohë që vijonte kjo betje ligjore, banorë dhe organizata mjedisore si EcoAlbania nisën fushatën në mbrojtje të lumit Vjosa “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës”.

Pas një beteje të gjatë, në Mars 2023, lumi Vjosa dhe degët e tij Drino, Bënça, Shushica dhe Kardhiqi, u shpallën Park Kombëtar duke ofruar mbrojtje ligjore edhe nga 45 hidrocentralet e planifikura për t’u ndërtuar në gjithë basenin e Vjosës.

Drejtues i Eco Albania Olsi Nika në një reagim për mediat tha se “edhe pse ky vendim vjen në një tjetër realitet, pas shpalljes së Parkut Kombëtar të Vjosës, ne e konsiderojmë si një arritje për komunitetin, aktivistët dhe avokatët e angazhuar në mbrojtjen e lumit Vjosa, të cilët e kanë ndjekur këtë çështje me rigorozitet dhe vendosmëri”.

Hidrocentrali i Poçemit, ishte aktpadia e parë e një çështjeje mjedisore në Gjykatën Administrative në Shqipëri. Ajo i hapi rrugën shumë çështjeve të tjera mjedisore të ngritura nga organizatat dhe banorët për të kërkuar të drejtën për ruajtjen e pasurive natyrore të vendit.

Avokati i çështjes Vladimir Meçi tha se vendimi përfundimtar përbën një arritje në ndërtimin e praktikës gjyqësore administrative që lidhet me te drejtën mjedisore në Shqipëri.

“E gjithë ecuria e çështjes së kundërshtimit të ndërtimit të HEC-it të Poçemit në rrugë gjyqësore, është një model pioner për të gjithë ata që kanë qenë pjesë e tij, përfshirë Organizatat, komunitetin, ne avokatët por edhe vetë gjykatën”, tha Meçi./Mediqa Ndërtimi

Continue Reading

Trending