Aktuale
Shkelje ligjore me leje ndërtimore dhe hetime në Prizren

Në 40 ka shkuar numri i objekteve të identifikuar në të cilat është bërë shkelje ligjore. Përveç, kësaj Prizreni po ka problem edhe me objektet të cilat janë ndërtuar në pronën e hekurudhës. Për problemet me ndërtime tashmë janë edhe duke u zhvilluar hetime nga Prokuroria.
Të gjitha këto probleme dhe shkelje tjera ligjore me leje ndërtimi janë përfshirë në analizën e organizatës “Ec Ma Ndryshe” për raportin e Komisionit Evropian për Kosovën.
“Mini-hidrocentralet nuk janë shqetësimi i vetëm i shprehur nga autoritetet komunale të Prizrenit mbi defektet e trashëguara nga qeverisjet e kaluara në planifikim dhe ndërtime. Në prill të këtij viti, drejtuesit e Komunës së Prizrenit kanë identifikuar 34 raste të dyshimta të shkeljeve ligjore që kanë të bëjnë me lejet ndërtimore, tejkalimin e lejeve si dhe ndërtimeve pa leje dhe këto raste i janë dorëzuar prokurorisë për inicimin e hetimeve për keqpërdorimet eventuale. Sipas tyre dyshimet janë se ka pas shkelje të dispozitave të Ligjit për ujërat, pastaj Ligjit për Qendrën Historike të Prizrenit, Ligjit për Trashëgiminë Kulturore, Ligjit për Hekurudhat. Ky numër i rasteve sipas informatave të fundit ka shkuar në 40 sosh”, thuhet në këtë analizën e EC-it.
E, për gjashtë muaj Komuna e Prizrenit nuk ka lëshuar leje ndërtimore për shkak të problemi me ndërtimet në pronën e “Infrakos”-it.
“Sipas autoriteteve lokale, Komuna e Prizrenit për më shumë se gjashtë muaj nuk ka mundur të lëshojë leje ndërtimore, si pasojë e vendimit gjyqësor për pezullimin e zbatimit të PZHK-së, PPU-së dhe 2 PRRU-ve, që ndërlidhej me pretendimet për uzurpimin e pronave të Hekurudhës, gjegjësisht ndërtim në brezin e saj pa bazë ligjore. Për hartimin e dokumenteve të planifikimit hapësinor, ish-qeverisjet në Prizren nuk e kanë përfshirë në proces fare “Infrakos”- in. Për ta zhbllokuar këtë vendim gjyqësor, Komuna është detyruar të bëjë marrëveshje me ndërmarrjen “Infrakos”, e cila i menaxhon hekurudhat, duke u obliguar që së bashku me ekipin e tyre në terren të bëjë lirimin e trasesë së hekurudhës”, thuhet tutje.
Sipas EC, në shtator 2018 ka filluar aksioni i Inspektoratit në këtë zonë për lirimin nga uzurpimet në rastet ku ka ndërtime në pronën e Hekurudhës. Ndërsa sa i përket ndërtimeve të larta, shumica prej tyre janë bërë jashtë pronës së “Infrakos-it” dhe Komuna ka theksuar se nuk do të bëhen ndërhyrje në to, por ka theksuar se për këto ndërtime qeverisja e kaluar ka lëshuar leje në kundërshtim me Ligjin për Hekurudhat, pasi me legjislacion parashihet që vija ndërtimore duhet të jetë në 25 metra distancë nga aksi i hekurudhës.
Për gjithë këtë çështje janë duke u zhvilluar hetime nga Prokuroria Themelore e Prizrenit.
“Sipas kryetarit Haskuka, disa ish drejtorë të ekzekutivit të kaluar dhe zyrtarë të tjerë të Komunës së Prizrenit, janë duke u hetuar nga Prokuroria Themelore në Prizren me dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare në lidhje me këtë çështje. Në muajin korrik Prokuroria Themelore e Prizrenit pat bërë të ditur se ka ngritur 18 aktakuza ndaj personave që dyshohen për uzurpimin e pronës së Hekurudhave të Kosovës në këtë qytet. Ky organ i akuzës pat theksuar se është duke punuar edhe në 31 raste tjera të kësaj natyre”, theksohet nga EC.
Ndërkaq, sipas EC, Drejtuesit e Prokurorisë në Prizren patën pohuar se krahas rasteve të uzurpimeve, po hetohen edhe zyrtarët e institucioneve publike që kanë lejuar ndërtime pa leje apo që kanë dhënë leje ndërtimi në këtë zonë në kundërshtim me legjislacionin.
