Featured
Shkaqet e rrëshqitjes së dheut në rrugën për Prishtinë do të prezantohen në SHBA

Në kryeqytet dhe në komuna tjera të Kosovës mund të hasim në rrugë të cilat janë të dëmtuara e disa prej tyre për shkak të rrëshqitjes së dheut. Nga më flagrantet janë në rrugën e Veternikut dhe në Dragodan, por edhe në rrugën Gjilan – Prishtinë. E pse ndodhë nuk është dhënë ndonjë arsye nga institucionet kompetente. Por, përgjigjen e kësaj ka synuar inxhinieri i ndërtimtarisë, Naser Morina, shkruan Ndërtimi.info.
Morina tashmë ka realizuar një punim shkencor për shkaqet e rrëshqitjes së dheut në rrugën Gjilan – Prishtinë. Për të paraqitur këtë punim Morina ka marrë ftesë edhe nga “Internacional Conference on Applied Human Factors and Ergonomics”, në Washington Hilton të SHBA-së.
Ai, tregoi për Ndërtimi.info se punimi është realizuar në vitin 2012, derisa i tëri është realizuar me mjete vetanake.
Sipas tij, rrëshqitjet e dheut janë shumë specifike, që në vende të tjera me këtë problem merren grupe të caktuara të ekspertëve.
Ai, tregoi konkretisht se çka po shkakton rrëshqitjet e dheut në rrugë.
“Degradimi i ambientit, prerja e pyjeve dhe si specifik te rrëshqitjet është se nëse vendi i tillë preket në mënyrë jo adekuate ajo vetë zgjerohet, një element tjetër është edhe ujërat nëntokësorë. Do të thotë që gjatë hapjeve të reja të traseve të rrugëve duhet të merret parasysh si i qasemi këtyre problemeve, ku në botë merren grupet e ekspertëve, e jo sikur te ne merret ndoshta vetëm një inxhinier, edhe bile jo i profesionit adekuat”, theksoi ai.
Ndërsa, në konferencën në të cilën është ftuar do të marrin pjesë rreth 2 mijë ekspertë të fushave të ndryshme, ku ai synon të përfitoj diçka.
“Dëshiroj të prezantoj mendimet e mija për këtë studim dhe ti shkëmbejmë përvojat e kolegëve që mirën me këtë fushë, që tutje ti zbatoj në fushën për të cilën jam tu specializua”, tha ai.
Derisa punimin pret ta paraqes para ekspertëve të vende të ndryshme, Morina shprehet i zhgënjyer me mos-përkrahjen nga organet e vendit.
“Dua të theksoj se në të shumtën e rasteve nuk ka fare ose minimum bashkëpunim nga disa organe të caktuara, kur të duhen rezultatet për studimet rreth disa fushave, për ndonjë rezultat paraprak, pasi që nuk kemi mundësi me i pas rezultatet paraprake nga ai studim. Shkurt me theksua në Kosovë nuk je i dëshiruar për ndonjë studim, gjë që nuk kam problem në shteti e Bosnjës dhe Hercegovinës – Sarajevës ku jam duke i përfunduar studimet e doktoratë”, shtoi ai.
E, që të jetë pjesë e kësaj konference Morina kërkon që të ndihmohet për t’i mbuluar shpenzimet e udhëtimit./ndertimi.info/
