Arkitekturë
Shkallët më spektakolare në botë, sipas The Guardian

Gurët e rrafshët apo betoni, i jepnin shkallëve më të veçanta në Evropë, Azi e Amerikë, një pamje mjaft të mërzitshme, para se atyre t’i shtoheshin ngjyrat e lloj-llojshme, arti dhe papërfillshmërija gjeometrike, duke u shndërruar kështu në kryevepra arti.
Gazeta e mirënjohur The Guardin, ka përzgjedhur një listë të shkallëve më spektakolare në botë, të cilën mund ta gjeni më poshtë;
Ngjyrat e ylberit janë gërshetuar në 272 shkallët që çojnë në tempullin Hindu, të shpellës Batu, në Malajzi.
Kompleksi i tempullit Hindu, që ndodhet rreth 13 kilometra larg nga kryeqyteti i Malajzisë është ‘shtëpia’ që strehon shumë shenjtorë e ornamente. Ky vend është tejet tërheqës për vizitorët veçanërisht gjatë kohës së festivalit të përvjetshëm tre-ditor të Thaipusam (mbahet në fund të janarit ose fillim të shkurtit, varësisht prej kalendarit Hindu).
Shkallët që datojnë nga viti 1920, fillimisht ishin ndërtuar nga druri dhe më vonë u zëvendësuan me gurë, u pikturuan me ngjyra të ylberit për ceremoninë e shenjtërimit të tempullit që do t’i bëhet gjatë kësaj jave (Kumbhabhishekam), ceremoni kjo që ndodh çdo 12 vjet.
Shkallët ‘labirint’ që gjenden në fshatin Abhaneri, Rajasthan, të Indisë janë një tjetër model tejet unik për shkak të konstruksionit dhe formës së tyre. Këto shkallë thuhet të jenë ndërtuar gjatë shekullit të 9 ose të 10, nga mbreti Chanda dhe mendohet të kenë qenë të dedikuara për perëndeshën hindu të gëzimit, Harshat Mata.
40km nga Bilbao, shkallët mesjetare shërbejnë si një urë lidhëse brenda një ishulli spanjoll. ‘Gaztelugatxe’, njihen ndryshe si ‘shkallët mbi qiell’, të ndërtuara në shekullin e 11 me gjithsej 241 shkallë. Përgjatë rrugës së ngushtë disa nga to të dërgojnë në ujërat përreth.
Vizitorët mund të gjejnë veten në një rrugë që ‘nuk çon askund’ me shkallët e pafundme në Munih, projektuar nga artisti danez Olafur Eliasson në vitin 2004. Spiralet e ndërthurura i japin atyre një pamje mahnitëse.
Këto shkallë zakonisht njerëzve iu rekomandohet që t’i shmangin. “Shkallët për në Qiell” të Kinës janë vertikale dhe gjenden në malet Taihang, të provincës Henan. Ato kanë për qëllim të ofrojnë emocionet e alpinizmit, pa llogaritur rrezikun gjatë ngjitjes. Vizitorët duhet të nënshkruajnë një formular të pëlqimit para ngjitjes në 91 metra. Ata duhet të jenë të shëndetshëm dhe nën moshën 60 vjeçare.
Artist kilian Jorge Selarón nisi një projekt mozaik në vitin 1990 në një hapësirë të rrënuar të Rio de Janeiros. Ai mbuloi gjithsej 215 shkallët e “Escaderia Selaron” me pllaka të thyera, qeramikë dhe pasqyra, duke i bërë ato tejet të veçanta. Misteri i vdekjes së tij ende qëndron. Në vitin 2013; trupi i tij u gjet në shkallët që ai kishte transformuar brenda dy dekadave.
