Aktuale
Shkakton kancer në Kosovë, kërkohet Ligj për heqjen e Asbestit

Vazhdon të jetë shqetësues përdorimi i Asbestit nëpër çati të ndërtesave, shtëpive dhe tubat e shkarkimit, i cili po shkakton kancer te qytetarët. Për ta ndal këtë “murtajë”, nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti ka kërkuar që të bëhet një ligj i cili mundëson që urgjentisht të largohet lënda e Asbestit nga përdorimi.
“Asbesti është një lëndë që sjellë sëmundje në Kosovë dhe kudo që është i përdorur. Prandaj mendoj që duhet të nxirret një ligj sa i përket kësaj lënde e cila është njëra nga shakataret e tumoreve dhe kacereve në Kosovë. Një ligj i cili e mundëson heqjen në mënyrën e duhur jo në mënyrën primitive qysh e bëjmë ne nganjëherë thu që jemi jo nga lëndë njerëzore por lëndë tjera. Pra, me rregulla që parasheh Bashkimi Evropian, pra të hiqen me urgjencë, mbulesat e shtëpive, mbulesat e ndërtesave dhe tubat e shkarkimit të Asbesti”, tha Haliti përcjell Ndërtimi.info
Ai në foltoren e Kuvendit tha se miratimi i këtij ligji do t’i çlironte ambientin, por me theks të veçantë do t’i çlironte qytetarët që jetojnë në ndërtesa shoqërore të cilat kanë përbërje të Asbestit.
“Besoj që Ministria e Ambientit, e Financave dhe të gjithë ata që janë përgjegjës duke përfshirë edhe ministrin e Integrimeve këtë çështje do të shqyrtojmë edhe me komisione parlamentare dhe do të miratojmë një ligj i cili e çliron realisht ambientin, qytetarët e Kosovës, i çliron qytetarët që jetojnë në ndërtesa shoqërore ku ka përbërje asbesti nga kjo murtajë. Po e quajë murtajë sepse e tillë është dhe e tillë trajtohet nëpër vendet e civilizuara”, theksoi Haliti.
Për këtë shqetësim muaj më parë Avokati i Popullit, në pajtim me kompetencat dhe përgjegjësitë ligjore, ka filluar hetimet Ex Officio (sipas detyrës zyrtare), lidhur me ndotjen e mjedisit nga materialet dhe mbeturinat e patrajtuara me përbërje të asbestit.
Sipas Avokatit, depërtimi i lehtë i fibrave të asbestit në organizimin e njeriut nëpërmjet rrugëve të frymëmarrjes dhe kontaminimi që këto fibra krijojnë në organizimin e njeriut, duke shkaktuar një varg sëmundjesh kancerogjene dhe të organeve të frymëmarrjes, e bën jashtëzakonisht shqetësues rrezikun e vazhdueshëm për shëndetin dhe jetën e njeriut nga materialet me përbërje asbesti.
