Featured
Shfrytëzuesit e rërës dhe zhavorrit kanë dëmtuar lumin Drin

Ramiz Krasniqi nga Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale, në emisionin “Express” të KTV-së, ka thënë se shfrytëzuesit e rërës dhe zhavorrit janë dëmtuesit më të mëdhenj të ambientit dhe shkaku i nxjerrjes së këtyre resurseve lumi Drin ka devijuar shumë rrjedhën.
Krasniqi ka thënë se Kosovës do t’i kushtojë shumë devijimi i shtratit të lumit Drin derisa ka shtuar se ky devijim është bërë në Pejë, Gjakovë dhe Prizren.
“Gjendja më e keqe është nga kompanitë ilegale që shfrytëzojnë resurset pa leje”, ka thënë Krasniqi, i cili ka sqaruar se zgjatja e procedurave gjyqësore ndaj këtyre shfrytëzuesve shtyn ata që të operojnë edhe më tej.
“Shfrytëzuesit më të mëdhenj janë ata të rërës dhe zhavorrit. Ata bëjnë dëmin më të madh ambientit. Pas raporteve në terren, vendimi shkon nga zyra ligjore në Gjykata dhe ndiqen nga ato, por procedura vonohet shumë dhe kjo shtyn operatorët ilegalë që të vazhdojnë edhe më tej”, ka theksuar Krasniqi.
“Shumica prej tyre pas gjobës e ndërpresin punën ose licencohen. Problemin më të madh e kemi me ata që e shfrytëzojnë resurset sepse ata ndërrojnë vende”, ka shtuar ai
Duke folur për gurthyesit në Kosovë, Krasniqi ka thënë se janë 142 kompani të licencuara të gurthyesve, të cilat operojnë kryesisht në Ferizaj dhe Kaçanik.
“Janë të shtrirë kryesisht në rajone ku ka më shumë gurë. Vitin e kaluar ka pasur aplikime më së shumti nga Ferizaj dhe Kaçaniku. Kjo është bërë për shkak të punimeve në autostradë”, ka thënë Krasniqi.
Vitin e kaluar ndaj KPMM-së kompanitë kanë pasur 23 milionë euro borxhe, 10 milionë prej të cilave i ka Trepça. Krasniqi në emisionin “Express” të KTV-së, ka thënë se borxhin e Trepçës e ka për obligim ta paguajë Qeveria e Kosovës.
“Borxhet e Trepçës para aprovimit të ligjit i ka paguar AKP-ja, por me ndryshimin e ligjit, Trepça shndërrohet në një ndërmarrje shoqërore dhe tash borxhet për të duhet t’i paguajë Qeveria e Kosovës”, ka thënë veç të tjerash Krasniqi.
