Arkitekturë
Shfaqja “Pesë stinët e armikut të popullit” shkërmoq betonin e harresës mbi veprën e Rexhep Lucit
Në sallën e mbushur plot, mbrëmë në Teatrin Kombëtar të Kosovës u dha premiera e shfaqjes “Pesë stinët e armikut të popullit” me regji nga Blerta Rrustemi – Neziraj dhe mbështetur mbi tekstin dramatik të dramaturgut Jeton Neziraj.
Shkruan: Agnesa Sejdiu
Në një situatë kaotike në të cilën gjendet qyteti i Prishtinës sot, gjë të cilën ishte munduar që ta luftonte arkitekti Rexhep Luci, kjo shfaqje paraqiti publikut kosovar siç është më së miri, gjendjen e krijuar.
Përveç kësaj shafqja trajtoi edhe disa tema të tjerë të cilat lidhen me po këtë industri. Vdekjet e shumta të punëtorëve në vendet e punës, kushtet jo-normale dhe masat që nuk po merren, për parandalimin e këtyre vdekjeve.
Në rolin e arkitektit, Armend Smajli dhe të katër aktorët e tjerë ia thanë këngës, kur ai kishte përfunduar planin e tij urbanistik dhe ishte mëse gati që ta prezantojë para të gjithëve.
“Një dashuri e re po lind, për qytetin për lirinë”, ishin vargjet e tyre që përfaqësonin planin e tij për të shpëtuar qytetin. Por ky manifestim zgjati shumë pak, kur të gjithë, përveç vajzës së tij, u kthyen kundër arkitektit, sepse ishin vetëm disa lakmitarë e të pangopur.
Ndër rreshta, “biznismeni” filloi të bërtiste me zë të lartë:“Fuqia ime shtrihet cep për cep të këtij qyteti, dhe misioni im është të ndërtoj, të mbindërtoj, e të rindërtoj”.
Personazhi i këtij biznismeni, i cili mban emrin “Meti” i luajtur nga Kushtrim Qerimi, arriti që të kthejë në anën e tij edhe përfaqësuesit e misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, edhe mediat, madje edhe mbështetësin e vetëm të planit të arkitektit, një komandant të luftës, duke iu ofruar “banesa të vogla 130 metra katrorë”.
Në planin e arkitektit ishte paraparë një park i madh në Bregun e Diellit, pasi toka në atë pjesë ishte e papërshtatshme për ndërtim, ndërsa “Meti” po insistonte se aty do të ndërtohej “City of Sun” apo “Qyteti i Diellit”. Dhe kështu u bë, ndërtimet e paligjshme e fituan luftën kundër arkitektit, por vetëm mbi trupin e tij të vdekur. Pas kërcënimeve me jetë që i kishte marrë, ai nuk ishte ndalur, derisa një ditë, dashuria e tij për qytetin u shua, pasi pushoi së rrahuri edhe zemra e tij.
“Do jetojmë si minj në këtë qytet, pa dritën e diellit, pa aromën e luleve në Pranverë, pa gjethet që bien në Vjeshtë. Sepse në betonin që po derdhet dhe do të derdhet, nuk do të ketë hapësirë për lule, apo pemë, apo gjithçka tjetër. Dhe do të vrapojmë midis këtyre ndërtesave si minj, duke kërkuar për pisllëk, sepse, do jemi mësuar të jetojmë në pisllëk dhe vetëm në pisllëk do të ndihemi rehat”, thoshte me gjysmë zëri, arkitekti i dërrmuar.
I veshur në tmerr nga situata në të cilën gjendej, do mësohemi të jetojmë me ajër të fëlliqur, tha ai, dhe sa me të drejtë e kishte.
“Do mësohemi të jetojmë pa dashuri për këtë qytet. Kështu do të jetojmë, dhe do të vdesim si minj”, ishin fjalët e fundit, para se të mbulohej në gjak, nga sulmet e të gjithë atyre që iu kundërvyen.
Teksa minutat e fundit ishin afruar, një publik i tërë kishte mbetur i shtangur nga ajo se sa të sakta kishin qenë predikimet e arkitektit, me situatën e krijuar, 20 vjet pas luftës.
Vetëm për nëntë muaj kanë humbur jetën nëntë persona në vendin e punës, në Kosovë./ndertimi.info/