Aktuale
Shasha fajëson institucionet për humbjen e grantit 12 milionësh për deponinë
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2019/06/auto_deponi-121560408909.jpg)
Demush Shasha nga Instituti Epik ka thënë se humbja e projektit në vlerë prej 12 milionë eurosh për ndërtimin e deponisë në Fushë Kosovë ka ardhur si pasojë e mungesës së hapave teknik të institucioneve qendrore dhe lokale.
Ai thotë se fillimisht MMPH dhe Qeveria e Kosovës e kanë identifikuar projektin për deponinë si një nga projektet parësore.
Shasha në “Express Intervista” tha se është dashur të themelohet një kompani publike që do të menaxhonte deponinë.
“Për të lejuar BE-në që të bëhet kontraktimi i fondeve është dashur të themelohet një kompani publike që do të menaxhonte këtë deponi, pasi ajo duhet të ketë persona të kualifikuar. Këto dakordanca janë bërë në vitin 2015”, thotë ai.
Ai thotë se është dashur të ndahet një lokacion për ndërtimin e kësaj deponie, që projekti të shkonte përpara.
Sipas tij, ka pasur mungesë të të gjithë hapave teknik dhe nuk ka qenë vetëm problemi i lokacionit.
Ai thotë se Fushë Kosova është përmendur si lokacion potencial, pasi nga grupi punues është vlerësuar si vend më i përshtatshëm.
“Ne pamë që ka munguar një dialog mes institucioneve qendrore dhe atyre lokale. Çështja e ndërtimit të magazinave është kontroverse. Tema të këtilla tërheqin një vëmendje më të madhe”, ka shtuar ai.
Shasha thotë se institucionet duhet të menaxhojnë me kohë projektet e tilla komplekse.
Ai thotë se mbetjet e rrezikshme në vendet e Kosovës kanë ndodhur si pasojë e kontaminimit me vite, të tokës dhe ujit.
Ai thotë se Kosova është i vetmi vend në Ballkan që rangohet në klasin më të ulët sa i përket ambientit.
“Kjo çka ka ndodhur rreth storjes së 12 milionë eurove nuk është rast specifik. Kosova nuk ka arritur të përmbush reformat në rrugët integruese. Asaj i mungojnë kapacitetet bazë teknike për të përmbushur reformat”, ka shtuar ai.
Shasha thotë se duhet të ketë përkushtim politik të sinqertë për të shtyrë përpara reformën politike integruese.
“Në asnjë formë nuk mund të shpjegojmë ndryshe përveç mungesës së kapaciteteve dhe vullnetit për të zbatuar projekte të tilla të rëndësishme. 25 milionë euro i janë dhënë Kosovës për të përkrahur administratës publike, deri tash është dashur mjetet është dashur të disbursohen në buxhet të Kosovës, por ende nuk ka ndodhur”, ka thënë ai.
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2022/04/logo-ndertimi.png)