Aktuale
Sharku: Moskoordinimi institucional ka degraduar tokën bujqësore
Diskrepanca në koordinim e Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe institucioneve shtetërore lidhur me privatizimin e tokave bujqësore, sipas inxhinierit bujqësor, Afrim Sharku, i kanë shndërruar këto sipërfaqe në sipërfaqe të betonizuara.
Në një intervistë për “Kohën Ditore”, Sharku ka sqaruar që një gjë e tillë ka bërë që të bëhet humbja permanente e tokës bujqësore.
Përveç humbjeve të tokave bujqësore, Sharku problematike e sheh edhe ndryshimin e destinimit të hapësirës së mbetur. Përgjegjësinë për këtë Sharku ua delegon institucioneve. Sipas tij, ridestinimi është bërë që tokat e deleguara për bujqësi sidomos qeverisja lokale i ka kthyer në zona që mund të shfrytëzohen edhe për qëllime jobujqësore. Kjo, sipas tij, ka shkaktuar humbje permanente të tokës bujqësore.
Sharku ka thënë se moskoordinimi i institucioneve të nivelit qendror dhe lokal; Mungesa e stafit profesional në nivel qendror dhe lokal dhe legjislacioni pa zbatim efektiv, posaçërisht nga qeveritë lokale janë arsyet kryesore që Kosova çdo ditë humb tokë bujqësore.
Sharku ka thënë se bujqit janë të integruar në një masë të kufizuar për vendimmarrje e që nuk mund të ndikojnë në krijimin e politikave të favorshme për bujqit.
KD: Sa ka qenë sipërfaqja e tokës bujqësore para luftës?
Sharku: Sipas të dhënave statistikore të pasluftës, Kosova ka pasur një sipërfaqe prej 1.088.700 Ha (afro 1.1 milionë ha), nga e cila, vetëm tokë bujqësore llogariten të jenë 577 mijë hektarë ose 53%.
KD: A keni njohuri sa tokë bujqësore ka tash Kosova?
Sharku: Sipas të dhënave të fundit të regjistrimit të bujqësisë, tokë bujqësore llogariten të jenë 413.635 hektarë apo 41.9 për qind e gjithsej sipërfaqes së tokës në Kosovë. Mirëpo, Raporti i Gjelbër i fundit i Ministrisë së Bujqësisë publikon të dhënat e shfrytëzimit të sipërfaqeve të tokave bujqësore në 416.072 ha.