Connect with us

Ndërtim

“Shallvaret” e Tiranës, historia dhe ndërtimi i pallateve të famshme

Published

on

Përveç vendalinjve, janë të paktë ata që e dinë se përse një nga zonat më të njohura në qendër të kryeqytetit quhen pikërisht “Shallvare”. E konsideruar si një pikë orientimi, “Shallvaret” kanë ruajtur këtë emër pavarësisht sistemeve që kanë ndërruar. Cila është historia e Shallvareve, dhe pallateve që morën emrin e zonës?

Nga familjet e njohura që jetonin në këtë zonë, te fusha e sportit, arkitekti Strazimiri që i projektoi ato bashkë me pallatet “Agimi”; si ndryshoi Tirana prej fillimit të arkitekturës moderne të viteve ’30 në atë rus vetëm nga ndikimi i Bashkimit Sovjetik?

Në një rrëfim Orhan Sakiqi, inxhinier ndërtimi, që ka banuar në shtëpinë e Këlliçve, në qendër të Shallvares, kujton ndërtimin e tyre, ballkonin-tribunë të shtëpisë ku vinte për të ndjekur aktivitetet festive e sportive Ahmet Zogu dhe Enver Hoxha.

Sakiqi nga vjen ky emër, “Shallvaret”?

Janë dy mundësi: E para, emri mund të jetë marrë nga Miltiadh Shallvari, një pasanik tokash. Së dyti, Shallvare në turqisht, sipas prof. Demir Alizoti, do të thotë brekushe. Kjo edhe nga thënia e historianit Agim Bardhi, sipas të cilit fusha ka shërbyer si shesh lojërash për garnizonin turk, i cili ndodhej fare afër, përballë Bankës së Shtetit. Më pas, në vitin 1916, sheshi është përdorur si pistë avionësh për ushtrinë austriake.

Fusha mori vlera sportive pas themelimit të KS Tirana në vitin 1920 nga drejtimi i Selman Stërmasit, pasi ajo ishte tokë ranore e nuk mbante ujë. Nga 1925 u bënë disa dhoma zhveshjeje, më pas në vitet ’30 pista e atletikës dhe një tribunë e vogël prej dërrase, e cila u prish gjatë luftës.Si e kujtoni Shallvaren e atyre viteve?

Rrugicat e Shallvares ishin të shtruara me kalldrëm me gurë lumi, me mure rrethues të ulëta, ku pas tyre dalloheshin zambakët e bardhë e mëllagat shumë ngjyrëshe, me shtëpi me dyer pa çelësa. Nga veriu ka qenë shtëpia e Ali Topit, që me ndërtimin e ndërtesave pranë Bankës u prish; një godinë ku ishte klubi i Partizanit, afër shtëpisë së Topit, ishte shtëpia trekatëshe e familjes Shijaku, që më parë ka shërbyer edhe si shkollë. Ngjitur me të ka qenë shtypshkronja “Gutenberg”, e para e tillë në Tiranë, pronë e familjes Ndroqi.

Aty pranë kanë banuar inxhinieri i Bashkisë, Spiro Vinjau, dhe familjet e hershme tiranase Dashi. Haxhi Hafiz Mahmud Dashi ka qenë imami i parë i xhamisë së re, ndërtuar në Rrugën e Kavajës me kontributin e banorëve të zonës në truallin e dhuruar nga bamirësi Dine Hoxha. Më tej, shtypshkronja e Qazim Kasharit, që shërbeu më vonë për shtypjen e bonove të thesarit. Përkundrejt shtypshkronjës ishte shtëpia, materniteti, klinika e dr. Bashos, që më vonë ka shërbyer si “Shtëpia me Gjethe”. Në Shallvare ka banuar historiani Osman Myderizi, ngjitur me të banonte sopranoja Tefta Tashko.

Më kujtohet edhe sot vdekja dhe varrimi i saj nëpërmjet fushës së Shallvares për të kaluar më pas te Bami. Aty ka qenë dhe është shtëpia e tregtarit Hamdi Dizdari, sot e dr. Kapshticës. Në atë zonë, pra te Shallvarja, kanë jetuar familja e prof. Mehmet Vokshit, Hoxhollit, Çulit, Zavalanit, agronomit Ali Ypi, Kusi, familja e mjeshtri të tenisit Sali Nallbanit, familjet Daja, Alliu, Lazri, Gjoçaj, familja e muzikantëve Lela, etj. Nga ato ndërtime sot ka mbetur vetëm shtëpia e Ndroqit.

Shtëpia juaj ka qenë pikërisht aty?

Vetë kam lindur te “Materniteti i dr. Bashos”, mjek i Zogut, i diplomuar në Austri, që e kishte atë ndërtesë edhe klinikë mjekësore. Shumë afër me të ishte shtëpia jonë dykatëshe e ndërtuar nga Masar Këlliçi, gjyshi im, deputet i Parlamentit të parë shqiptar që ndodhej në mesin e fushës së sportit, jo më shumë se 50 m larg saj.

Duke qenë se ajo nuk kishte tribunë qendrore për autoritetet, si e tillë, për disa kohë ka shërbyer ballkoni i shtëpisë sonë. Në këtë tribunë ka qëndruar Ahmet Zogu për të parë manifestimin me kuaj të kryer nga kozakët. Fusha ka shërbyer edhe për manifestime ushtarake. Ajo ishte edhe një qendër dëfrimi për rininë tiranase ku mblidheshin për lojërat popullore, festa fetare, si dhe studentët që vinin nga jashtë për pushimet verore. Mbas 1944 në tribunën tonë vinte edhe komandanti.

Për cilin komandant e keni fjalën?

Duke qenë si e vetmja shtëpi afër fushës me ballkon në katin e dytë që shërbente si tribunë, për të parë ndeshje apo manifestime, aty ka ardhur edhe Enver Hoxha, ashtu si edhe Zogu e ka shfrytëzuar atë ballkon për të ndjekur aktivitetet sportive të kohës. Kur vinte Enver Hoxha, Edhe familjarët dilnim disa orë përpara, pasi shtëpia kontrollohej. Ndërsa kur vinte Zogu, jo. Në shtëpinë tonë, siç ju thashë, banonim së bashku me dajën tim, Reshat Këlliçi, Bedihanë gruan, e tre djemtë e tij, dr. Adnanin, Masarin e Zamirin.

Aty kanë kaluar adoleshencën edhe Luan e Skifter Këlliçi, të afërmit tonë. Ndër më frekuentusit e saj ka qenë Sejfulla Malëshova kur ishte ministër, por edhe më vonë kur e shpallën “oportunist”. Madje, në këto vite kur ai vinte te Reshati, daja im, që e kishte shok të ngushtë, shtëpia jonë rrethohej. Deri në vitin 1964, kur ajo u prish dhe u ndërtua shkolla “20-Vjetori”.

Si filloi ndërtimi pallateve?

Duke qenë se Tirana nuk kishte ndërtime të mjaftueshme, dhe pas prishjes me Jugosllavinë kërkoheshin ndërtime masive, me idenë që të jenë pranë Komitetit Qendror, rreth Bllokut, pra, të një elite qeveritare që po krijohej. Për të ndërtuar bllokun e madh me pallate, u shfrytëzua zona e Shallvares si e lirë që ishte dhe në qendër të Tiranës. Pamja kryesore e Shallvareve ishte e zgjedhur mirë, nga lindja, pasi përballë saj ishte vetëm lulishte “Rinia”, e cila brenda një nate u mboll me pemë nga studentët e Institutit Bujqësor.

Shtëpia jonë nuk u prek, pasi ndërtimi përfshinte zonën para saj. Arkitekti ishte Gani Strazimiri, që kishte studiuar në Bashkimin Sovjetik. U aplikua stili klasik rus, pasi ashtu ndërtohej në ato vite në republikat sovjetike e për pasojë edhe në Shqipëri. Punohej kryesisht me mjete primitive, me skelete dërrase, me tulla, apartamente të vogla, po kështu ballkonet, ndërtesa të mbuluara me çati që më vonë u hoqën duke mos e ruajtur stilin e vjetër. Gati tre vjet, 1951-1953, vazhdoi ndërtimi i plotë i pallateve në Shallvare. Pastaj u vijua me pallatet “Agimi”, matanë Lanës, edhe këto të stilit total sovjetik, madje projekte të ngjashme me ato që ndodhen në Moskë.

Kujtoj inxhinierët ndërtues, si Koço Tomçe, Ballkize Nallbani, etj. Unë isha nxënës në Teknikumin e Ndërtimit dhe i ndiqja nga afër punimet edhe për të mësuar nga ky profesion. Zbatues ishte ndërmarrja e ndërtimit “21 Dhjetori”. Kur përfunduan, ato ishin ndërtesat më të larta në Tiranë. Fillimisht u ndërtua blloku i parë në formë “L”-je, pastaj i dyti, ai me hark përgjatë Lanës dhe i treti, ai në formë “U”-je, në qendër. Kati parë, me përjashtim të pjesës qendrore, ishte pa dyqane pasi kishte bodrume, të cilat fillimisht u përdorën dhe u shfrytëzuan si magazina, pastaj si banesa për familje të persekutuara, të varfra, të cilat i jepte kryesia e lagjes.

Më vonë u ndërtuan edhe tri rrugët kryesore që e rrethonin bllokun e Shallvareve: Rruga “4 Shkurti”, ajo paralel me Tajvanin (sot “Rugova”), ajo “Zhan D’Ark” përgjatë Lanës (sot “Fishta”) dhe rruga “Myslym Shyri”, që u hap në vitin 1964 pasi u prish Parku Sportiv Rinor. Fushat e Tenist Nallbanit u zhvendosën atje ku janë sot, në krah të Pallateve të Bardha, dhe unë kam qenë arkitekti i projektit të sistemimit të tyre. Donin t’i bënin fusha basketbolli, por ngulën këmbë Bilbil Klosi e Isuf Alibali, pasi ishin admirues dhe praktikues të tenisit.

Po pallatet “Agimi” kur u ngritën dhe pse u quajtën kështu?

Janë vite ku rritet në mënyrë progresive e të shpejtë numri i popullsisë së Tiranës dhe pikërisht në atë periudhë kërkesa për ndërtimin e pallateve, shtimin i apartamenteve, ishte imediate. Duke shfrytëzuar sërish terrenin e lirë, sapo përfundoi objekti i pallatit të Shallvareve, në vitet 1953- 55 u punua për ndërtimin e atyre “Agimi”, paralel në krahun tjetër përgjatë Lanës, që ishin si një vazhdimësi e pallateve të Shallvareve, pasi edhe për to u aplikua e njëjta strukturë arkitektonike.

Me pamje krejtësisht veriore, ai bllok ndërtimesh ishte pranë Bllokut të udhëheqjes. Morën emrin “Agimi” si simbolin që përfaqëson kjo fjalë. Ndryshe nga Shallvaret, si krah pune u përdorën rreth 500-600 të burgosur që kanë punuar për ndërtimin e pallateve “Agimi”. Madje, gjatë punës pati edhe një tentativë arratisjeje, u rrethua e gjithë lagjja, deri sa e kapën të larguarin.

Ndërtim

Arabia Saudite ndërton një tjetër park të madh ujor në qytetin Qiddiya

Published

on

Fondi sovran i pasurisë së Arabisë Saudite ka njoftuar ndërtimin e një parku të dytë të madh tematik ujor për qytetin Qiddiya në jugperëndim të Riadit.

Parku Aquarabia do të ketë 22 udhëtime dhe përvoja miqësore për familjen, me bazë uji. Ai mbështetet nga Kompania e Investimeve të Qytetit Qiddiya (QIC), e cila është në pronësi të Fondit të Investimeve Publike të Arabisë Saudite (PIF).

PIF tha se parku i ri ujor do të ishte më i madhi në rajon dhe do të plotësonte Qytetin Six Flags Qiddiya prej 1 miliard dollarësh, parkun kryesor të qytetit dhe parkun e parë Six Flags që do të projektohet dhe ndërtohet jashtë Amerikës së Veriut. Kontraktorët e Përgjithshëm Almabani të Arabisë Saudite dhe Bouygues i Francës nënshkruan një marrëveshje për të ndërtuar atë park tematik ujor, i cili mbulon një sipërfaqe prej 320,000 m2, në vitin 2021.

Uji i ricikluar do të përdoret në ujitjen dhe ftohjen e Aquarabia, ndërsa PIF premtoi se mbetjet e ujit do të “uleshin deri në 90%”.

Të dy parqet janë në ndërtim dhe janë caktuar për t’u përfunduar në vitin 2025, me një datë hapjeje ende për t’u komunikuar.

Qyteti Qiddiya do të shfaqë disa atraksione argëtuese, sportive dhe kulturore, duke përfshirë një zonë lojrash dhe e-sportesh, stadiumin Mohammed bin Salman me shumë sporte, një pistë sportive motorike dhe parkun tematik të shpallur së fundmi Dragon Ball.

Argëtimi, koha e lirë dhe sportet janë një nga 13 sektorët strategjikë të PIF për investime, në përputhje me Vizionin 2030 të Arabisë Saudite, i cili synon të diversifikojë ekonominë e Mbretërisë së pasur me naftë./Media Ndërtimi

Continue Reading

Ndërtim

Kompanitë e ndërtimit shohin përfitime në efikasitet për shkak të dimrave të butë?

Published

on

Në gjithë globin, ciklet rajonale të dimrit shihen si periudha në rënie për produktivitetin e ndërtimit, por një raport i ri nga institucioni financiar holandez ING sugjeroi se tregu evropian ka rritur efikasitetin mes stinëve të ftohtë.

“Moti më i ngrohtë i dimrit do të thotë që kontraktorët evropianë të ndërtimit po përjetojnë më pak ndërprerje të biznesit ndërsa klima jonë ngrohet,” tha ekonomisti i lartë i ING Maurice van Sante në raportin e titulluar Kompanitë e ndërtimit shohin përfitime në efikasitet për shkak të dimrave më të butë.

Duke ofruar të dhëna të përpiluara nga ING Research, NASA dhe Our World in Data, van Sante vuri në dukje se anomalitë e temperaturës në hemisferën veriore arritën lartësi rreth dy gradë (Celsius) më të larta, mesatarisht, se në 1985.

“Ne donim të shihnim nëse temperaturat në rritje kanë pasur tashmë një ndikim të matshëm në ciklet vjetore të prodhimit të kompanive evropiane të ndërtimit,” tha Van Sante, duke vënë në dukje se dy tregues janë përdorur në matje:

Pjesa e kompanive që përmendin nivelet e tyre të prodhimit ishte e kufizuar gjatë periudhave të dimrit (janar dhe shkurt) dhe verës (korrik dhe gusht) për shkak të kushteve të motit.

Ndryshimi i vëllimeve aktuale të ndërtimit në këto periudha

Ajo që gjeti studimi ishte një reduktim me më shumë se 30% i kontraktorëve të BE-së, gjatë tre dekadave të fundit, të cilët thanë se aktivitetet e tyre ishin të kufizuara për shkak të motit të keq nga janari në shkurt.

Vera me vapë mbytëse nuk është problem për ndërtimin evropian!

Gjersa fitimet në produktivitet në dimër mund të shihen si pozitive, temperaturat në rritje globale – në përgjithësi – nuk janë.

Megjithatë, van Sante tha se një humbje reciproke e produktivitetit në verë (nga nxehtësia ose moti ekstrem) thjesht nuk po ndodh në një mënyrë të matshme.

Megjithatë, ai vuri në dukje se nivelet rekord në verë po rrisin shpeshtësinë e ditëve të punës të anuluara.

Përderisa mund të duket sikur se një planet në ngrohje ka krijuar një mjedis ideal për aktivitetet e ndërtimit në disa seksione të Hemisferës Veriore, van Sante paralajmëroi në raportin e tij se këto ndryshime janë ‘diamante’ në atë që është bërë një mjedis gjithnjë e më i ashpër./Media Ndërtimi

Continue Reading

Ndërtim

Rritja e shitjeve në sektorin e ndërtimit u frenua në vitin 2023

Published

on

Pas rritjes dyshifrore në vitin 2022, ritmet e shitjeve në volum në sektorin e ndërtimit janë frenuar disi në vitin 2023, sipas të dhënave që INSTAT ka grumbulluar te kompanitë e ndërtimit.

Zakonisht në 3-mujorin e fundit të çdo viti ka një rritje të shitjeve në banesa, për shkak të blerjeve që bëjnë kryesisht emigrantët në këtë periudhë (shiko grafikun bashkëngjitur).

Në 3-mujorin e fundit të 2023, volumi i shitjeve në ndërtim u rrit me vetëm 1% nga 16.1% që ishte rritja në tremujorin e fundit 2022.

Gjatë gjithë tremujorëve të 2023, ritmet e rritjes së shitjeve në volum ishin më të ulëta se më 2022.

P.sh. në tremujorin e dytë 2023, volumi i shitjeve u rrit me vetëm 0.2%, në tremujorin e dytë rritja ishte me 5.2% nga 11.5% në të njëjtën periudhë të vitit 2022, shkruan Monitor.al

Me gjithë frenimin e ritmeve të rritjes, volumet e ndërtimit dhe shitjeve po rriten në sektorin e ndërtimit, edhe pse treguesit demografikë dhe inflacioni i lartë nuk po e frenojnë këtë trend si në Europë.

Tregu i pasurive të paluajtshme në Europë është në një fazë stanacioni nga rënia e kërkesës, teksa lufta në Ukrainë ka krijuar një efekt psikologjik negativ për investime në pasuri të paluajtshme.

Pavarësisht ngadalësimit, ndërtuesit vendas mbeten optimistë. Pas një rënie me 8 pikë në janar 2024, treguesi i besimit në ndërtim që matet nga Banka e Shqipërisë u rrit me 6.8 pikë përqindje në muajin shkurt. Ky tregues qëndron rreth 25 pikë përqindje mbi mesataren afatgjatë.

Rritja këtë muaj u përcaktua kryesisht nga vlerësimet më të mira për aktivitetin aktual ndërtues. Paralelisht me të, pritjet për punësimin dhe ato për çmimet në të ardhmen janë në rritje. Nga ana tjetër indeksi i besimit konsumator u rrit në disvarfor të blerjeve të mëdha në dy muajt e parë të vitit 2024.

Sektori i ndërtimit pësoi një rritje të vrullshme pas vitit 2016, kryesisht në sektorin e banesave. Rritja e lejeve në rekorde historike dhe sipërfaqes në ndërtim në pesë vjeçarin e fundit erdhi në një kohë që popullsia po pakësohet dhe po plaket nga rënia e lindjeve dhe emigracioni lartë të rinjve. Në kontradite më këto zhvillime çmimi i banesave është rritur me shpejtësi.

Ndërtimi është kthyer në motorin e rritjes ekonomike vitet e fundit. Në vitin 2022, sektori kontribuoi me 11.1 pikë % të vlerës së shtuar nga 9.4 pikë % që kontribuoi në vitin 2019. Ky kontribut u rrit më tej në vitin 2023, referojnë të dhënat jo përfundimtare.

Aktualisht, Shqipëria është vendi më i varfër i Europës dhe ka ekspozimin më të lartë të sektorit të ndërtimit në kontinent. Sipas Eurostat, në vitin 2022, ndërtimi kontribuoi me 11.2% të vlerës së shtuar bruto, ndërsa në BE, ky sektor kontribuoi me 5.5%./Media Ndërtimi

Continue Reading

Trending