Aktuale
Shala: Marrëveshjet mes dy qeverive nxisin investimet e përbashkëta

Për mbledhjen e dy Qeverive Shqiptare që po mbahet në Pejë e ka komentuar Ministri i Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë, Endrit Shala.
Shala nëpërmjet një postimi ka thënë se vendimet që do të merren sot në mbledhjen e dy këtyre qeverive më shumë se kurrë më parë do të dërgojnë mesazhin e duhur të bashkëpunimit institucional dhe ekonomik. E kjo sipas tij do të nxis edhe investimet e përbashkëta dhe rritjen e shkëmbimeve tregtare mes Kosovës dhe Shqipërisë.
“Vendimet që do t’i marrim sot, këtu nga Peja, në mbledhjen e dy qeverive tona, më shumë se kurrë më parë të dërgojmë mesazhin e duhur të bashkëpunimit institucional dhe ekonomik, duke nxitur investimet e përbashkëta dhe rritjen e shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve tona, që kjo pastaj të shërbej në plotësimin e nevojave të tregjeve tona, por edhe më gjerë.E.Sh”, ka shkruar Shala.
Ndërkaq i pari i Qeverisë së Kosovës Ramush Haradinaj në hapjen e mbledhjes që po vazhdon edhe tani ka thënë se Shqipëria duhet të llogarisë cdo herë në Kosovën dhe anasjelltas.
Ndërsa sa i përket marrëveshjeve Haradinaj është shprehur i bindur se mundësia për të nënshkruar 9 marrëveshje, do të çojë deri në unifikimin e ekonomive të Kosovës dhe Shqipërisë.
“Jam i lumtur për të arriturat e këtij takimi të përbashkët dhe jam i bindur se mundësia për të nënshkruar 9 marrëveshje do të çojë deri në unifikimin e ekonomive tona dhe jo më kaq. E di që populli pret më shumë nga ne dhe ne do angazhohemi edhe më shumë dhe vetëm me punë do të marrim respektin e të gjithëve”, ka thënë Haradinaj.
Kryeministri shqiptar, Edi Rama, është treguar i ashpër me qasjen destruktive të Serbisë karrshi shtetit të Kosovës. Ai madje e ka komentuar me ‘What the fuck’, kërkesën e Serbisë ndaj një ministri kosovar për ta hequr nga fjalimi emërimin “Republika e Kosovës’.
Ndërkohë i pari i Qeverisë së Shqipërisë, Edi Rama ka folur për vendimin e Kosovës që të vendos tarifën 100 për qind ndaj Serbisë.
Ai është shprehur se përkrah fuqishëm vendosjen e kësaj tarife, duke paralajmëruar në anën tjetër 0 tarifa në doganat Kosovë-Shqipëri.
Me këtë rast, ai është shprehur shumë i shqetësuar edhe me propagandat e Serbisë kundër njohjeve të Kosovës dhe lobimit për tërheqjen e njohjeve nga ato shtete që tashmë e kanë bërë këtë gjë.
Sipas tij, është e papranueshme që Serbia të kërkojë të mos përdoret edhe emri “Republika e Kosovës”.
“Serbia po e bllokon Kosovën me instanca të shumta rajonale e kombëtare, duke kërkuar tërheqjen e njohjeve të Kosovës si Republikë. Kjo nuk është vetëm sfiduese por edhe provokuese deri në nevojën e reagimeve propercionale. Bllokimi i njohjes së Kosovës një inkurajim cinik. Mbrëmë një ministër i Kosovës më tregonte se si Serbia insistonte që të hiqej fjala Republikë e Kosovës dhe bënte presion te BE.
Kjo është What The Fuck-WTF, siç do thoshin anglezët.
Pra, vendosja e barrierave është e arsyeshme dhe ato nuk duhet të shihen si ekonomike, por politike.
