Aktuale
Shala ia hedh fajin KEK-ut për shpronësime në Hade
Ministri në detyrë i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferat Shala në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës ka folur lidhur me situatën energjetike në vend.
Duke folur për çështjen e shpronësimeve në dy fshatrat ku duhet të hapen mihje për nxjerrjen e thëngjillit, Shala ka thënë se kërkesa për shpronësime bëhet nga Korporate Energjetike e Kosovës, pastaj aprovohet nga Ministria e Financave, ndërsa plani i zhvendosjes bëhet nga MMPH.
Ai ka thënë se gjatë një periudhe 2 vjeçare janë ndërtuar 10 shtëpi pa leje në fshatrat Hade e Shipitullë. Shala po ashtu ka thënë KEK është vonuar në procesin e shpronësimit dhe marrëveshjet me banorë.
Ai më tej ka thënë se gjatë mandatit të tij janë ndërprerë të gjitha ndërtimet pa leje dhe janë rrënuar ato që kanë qenë në ndërtim e sipër, por që nuk kanë pasur leje. Shala ka thënë se në situatën aktuale të shpronësimit të pronave nuk mund t’i shpejtojnë procedurat pasi kështu është e paraparë më ligj.
Kurse, ministri Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci ka thënë se janë në bashkëpunim të ngushtë me të gjitha palët për të mos pasur krizë të furnizimit me energji.
“Pas vendimit që është marr në Qeveri më 21 korrik është hap rrugë që përmes shpronësimit të zgjidhet kjo çështje”, ka thënë Stavileci.
Ai ka thënë se më 10 gusht ku do të mbahet dëgjimi publik secili institucion do të mund të veprojë sipas kompetencave ligjore. Sipas tij nuk ka vend për panik pasi edhe për kohën sa ka rezerva siç deklaruar KEK janë në përputhje me afatet ligjore kur mund të fillojë shpronësimi.
Stavileci ka thënë se edhe në variantin më të keq, nëse dështon shpronësimi kanë marr masat për të evituar krizën energjetike.
Ndërsa, kryeministri, Isa Mustafa ka thënë se janë duke marr të gjitha masat ligjore që kjo çështje të zgjidhet. Sipas tij nuk do të ketë hyrje në prona jashtë ligjeve.
You must be logged in to post a comment Login