Arkitekturë
Sfidë për Kosovën, arkitektura që ofron ambient më miqësor për njerëzit

Është hapur konferenca tre ditore Ndërkombëtare e Institutit Amerikan të Arkitektëve (AIA)–Evropë, në të cilën po marrin pjesë rreth 100 arkitektë për të diskutuar me temën “Hapësira rinore dhe transformimi urban”.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Greg Delawie në hapjen e konferencës, ka folur për rëndësinë që ka arkitektura dhe një ambient miqësor për njerëzit.
Delawie, siç raporton KosovaPress, theksoi se është tejet e rëndësishme transformimi i hapësirave publike për të mirën e qytetarëve.
Ai u shpreh se ka interesim të veçantë për arkitekturën, meqë babai i tij ishte arkitekt.
“Jam shumë i kënaqur që keni menaxhuar ta zgjidhni vendin e duhur për t’u mbledhur për këtë takim evropian, në Prishtinë, Kosovë. Jam shumë i emocionuar se po flasim për një temë kaq me interes, përdorimi dhe transformimi i hapësirave publike për të mirën e të gjithë qytetarëve. Diplomacia është puna ime e vërtetë, por kam interes të veçantë për arkitekturën. Babai im ka qenë arkitekt në Kaliforni, San Diego. Ai ka kaluar shumë kohë për t’i bërë hapësirat publike më të mira për njerëzit”, tha Delawie.
Diplomati amerikan me këtë rast ka treguar edhe detaje lidhur me ndërtesën e re të ambasadës amerikane, e cila po ndërtohet në Prishtinë, e që sipas Delawie, pritet të përfundojë këtë vit.
Sipas tij, ndërtesa e re e ambasadës amerikane pritet të plotësojë kriteret e duhura për mbrojtjen e ambientit, zvogëlimin e shpenzimeve të energjisë si dhe uljen e ndotjes së ajrit.
“Është një model i ndërtimit që dua të diskutoj, që do të përfundojë këtë vit, kjo është ambasada jonë e re, ambasada po bëhet me idenë e gjelbërimit që nga fillimi procesit të dizajnit, drejtimi i ambasadës na lejon të marrim dritën dhe nxehtësinë e ditës”, shtoi ai.
Delawie shtoi se po mundohen që ta ndikojnë edhe në uljen e ndotjes së ajrit. Diplomati amerikan po ashtu u shpreh se Prishtina ka sfida infrastrukturore, në përmirësimin e së cilave arkitektët mund të ndihmojnë shumë.
Derisa ka përmendur dy projekte me të cilat ka punuar ambasada amerikane, sponsorizimin e vizitës së disa ekspertëve amerikanë në Mitrovicë si dhe mbështetjen për festivalin Anibar, që mbahet çdo vit në Pejë.
Delawie në fund u drejtua atyre që vizitojnë Kosovën për herë të parë, duke u thënë se do ta shijojnë vendin.
Në këtë konferencë mori pjesë edhe ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, e cila tha se Ministria sigurohet që të konsultohen qytetarët para çdo ndërhyrjeje apo projekti në hapësirat publike.
“Ministria ka punuar shumë që të plotësojë kornizën ligjore që rregullon sistemin e ndërtimeve të veçanta në Kosovë, ligji që hyri në fuqi në vitin 2013, rregullon instrumentet e ndërtimeve të veçanta dhe përgjegjësitë e institucioneve dy nivele; qendror dhe atë lokal”, u shpreh ajo.
Reshitaj bëri të ditur se kjo ministri është duke analizuar instruksionet administrative.
Ministrja po ashtu vlerësoi rolin e qytetarëve në planifikimin hapësinor, duke thënë se pjesëmarrja e tyre ndikon në përmirësimin e kushteve.
Reshitaj përmendi edhe mundësitë që janë duke ofruar për të rinjtë që të kontribuojnë në këto projekte për ndërtimin e qyteteve dhe fshatrave. Ajo paraqiti edhe disa projekte të cilat po zhvillohen edhe në komunat minoritare të Kosovës.
Konferenca do të zgjasë deri me 8 prill ku do të bëjnë prezantime shumë arkitektë vendor e ndërkombëtar.
