Featured
Sfida e një arkitekti për të arreduar bukur një shtëpi me buxhet të kufizuar
Një apartament që dominohet nga ngjyra të ngrohta dhe absolutisht befasuese
Një rrugicë e veçuar dhe e qetë, një lagje me banesa individuale, diku-diku edhe vila, ku në njërin krah gjendet Qyteti Studenti e në tjetrin parku i madh i liqenit. Kjo është vendndodhja e apartamentit që Ingrid Martini ka punuar së fundmi për disa miqtë e saj, dhe që ka zgjedhur ta ndajë me ne. Apartamenti ndodhet në katin e tetë të një ndërtese prej dhjetë katesh dhe na ofron pamje surprizë të zonës, përmes të gjitha dritareve dhe vetratave të tij
Përdorim i sofistikuar i linjave, formave, teksturave, e mbi të gjitha, i ngjyrave. Kjo është gjëja e parë që bie në sy, sapo hyn në apartament. Përveç faktit që gëzon privilegjin e pamjeve shumë panoramike, ky apartament ofron edhe shumë mundësi të tjera, si për shembull fakti që ndodhet në një nga zonat më të lakmuara të qytetit të Tiranës.
“Një çift, miq shumë të mirë të mitë, me të cilët kemi punuar edhe në objekte të mëparshme, blenë këtë apartament dhe më besuan mua projektin e interierit të tij, pa më vënë kushte. Pa asnjë kufi apo kundërshti. Kisha liri të plotë, përveç buxhetit në dispozicion; ai ishte i kufizuar”, – na tregon Ingridi. Ishte praktikisht puna e ëndrrave të një arkitekti. Duhej thjesht imagjinatë dhe shumë dashuri për të bërë një punë të bukur, duke qëndruar “out of the box”. E vetmja sfidë ishte buxheti.
MOBILIET janë miks stilesh, duke nisur që nga divani i madh, extra large, me dizajn, i prodhuar në Skandinavi, shumë minimalist, modern, që kombinohet suksesshëm me dy poltrona për ambiente të jashtme, të thurura me kashtë. Kështu, u vendos që motivi kryesor të ishte ngjyra ose më saktë loja me ngjyrat. Është pikërisht përdorimi i guximshëm me ngjyrat, kombinimi i pazakontë i nuancave, vendosja e tyre nëpër pjesë të konsideruara klishe, si tavane ose tualete, një nga arsyet që e kanë bërë arkitekten të spikatë, si një ndër zërat e qartë e me një stil lehtësisht të identifikueshëm. I gjithë apartamenti dominohet nga ngjyra të ngrohta, absolutisht befasuese. Kemi nuance pastel të bezhës, rozës, të së kaltrës, të blusë, të kafes në çokollatë, të së gjelbrës dhe të së verdhës. Për më tepër, në tualete gjejmë të kombinuara në ngjyrat e pllakave lisho: lejla me të verdhë dhe të kaltër me krem.
Kombinimi i materialeve natyrale vazhdon me tavolinën e mesit, në dru masiv, të patrajtuar.
Pjesa e ambientit të gatimit, po ashtu ka një element dekorativ surprizë: pllakën që vesh murin deri në lartësinë e tavanit. E pasur me një dekor floreal të stilizuar, pllaka i jep shumë shije, identitet e frymëmarrje këtij ambienti në përmasa relativisht të kufizuara. Por dhe fakti që arkitektja ka zgjedhur të mos ketë njësi të varura në lartësi, tipike për kuzhinat e gatimit. Një element tjetër që spikat dhe i jep shije e karakter të pangatërrueshëm këtij apartamenti banimi, janë sigurisht dekori dhe aksesorët.
Elementet dekorative që veshin muret, mobiliet dhe dritaret janë zgjedhur me shumë përpikëri e shije dhe janë në sintoni me njëra-tjetrën. Çdo detaj, edhe ai më i vogli, është studiuar, i përshtatur për të shkuar me pjesën tjetër. Që nga pikturat e mëdha, te vizatimet me laps në korniza të vogla, e deri te vazot me lule, të kombinuara në ngjyrë e balancë volumesh.