Aktuale
Sërish telashe me kalanë e Vushtrrisë

Ka disa muaj që askush nuk mund të hyjë në hapësirat e Kalasë së Vushtrrisë. Kjo pasi ajo është mbyllur për vizitorët. Ky veprim e ka nervozuar ish-drejtoreshën e Kulturës në këtë Komunë, Shpresa Rama, e cila kërkoi hapjen sa më parë të dyerve të Kalasë.
“Kam marr e-maila dhe shkresa nga të rinjtë vazhdimisht që nuk e kanë mundësinë siç e kishin dikur që ta shfrytëzojnë Kalanë e qytetit për zhvillimin e aktiviteteve të ndryshme”, tha Rama.
Edhe hapjen e saj e premtoi kreu i komunës, Xhafer Tahiri por shtoi se fillimisht duhet plotësuar disa kushte që ka instituti i mbrojtjes së monumenteve.
“Kalaja do të hapet, do të jetë në funksion të qytetarëve ne d të kemi një zgjidhje të qëndrueshme për kalanë”, tha ai.
I pari i Vushtrrisë pati akuza për ish-drejtoreshën Rama.
“Drejtoresha nuk i ka dorëzuar çelësat e Kalasë në Komunë, i ka kthyer në institut për mbrojtjen e monumenteve. Ajo e dinë ku i ka lënë”, është shpreh Tahiri.
Por këtë Rama nuk e sheh si arsyetim.
“Nuk duhet të ekzistoj ai arsyetim. Sepse edhe në kohën time çelësat i ka mbajtur Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve. Mirëpo me kërkesa të vazhdueshme kam arritur me i marr ata çelësat”, tregoi Rama.
Megjithatë drejtues të Institutit të Monumenteve përmes postës elektorinke i thanë Klan Kosovës se për rihapjen e Kalasë së Vushtrrisë mungon buxheti dhe vullneti i Komunës.
“Kërkesa ka qenë jo përmbajtjesore pasi nuk janë specifikuar detyrimet të cilat do të kishte qenë e gatshme t’i merrte përsipër kjo komunë. SI dhe ka munguar një plan i përkohshëm i menaxhimit për këtë monument”, janë përgjigjur instituti i monumenteve.
Kjo ka qenë edhe arsyeja pse instituti ka kërkuar qe Komuna t’i përmbush disa kritere që kanë të bëjnë për mirëmbajtjen dhe qasjen për vizitorë. Angazhimin e një përgjegjësi për mirëmbajtje dhe menaxhim. Raporte të rregullta mujore në institut dhe mbulimin e shpenzimeve komunale në mënyrë që çelësat t’i kthehen Komunës së Vushtrrisë.
