Aktuale
Sërish ankesa për tenderin e ndërtimit të teleferikut në Kalanë e Prizrenit

Nuk po arrihet që të finalizohet tenderi për ndërtimin e teleferikut në Kalanë e Prizrenit.
Për këtë tender po vazhdojnë të shfaqen sërish probleme, meqë po pretendohet se Komuna e Prizrenit ka bërë shkelje të Ligjit të Prokurimit Publik (LPP), shkruan Ndërtimi.info
Sëfundmi të tilla pretendime po i shfaq konserciumi “Energoremont D.D-Dega në Kosovë & Energoremont D.D & KAG Asphalt Comany” Sh.P.K. Ky konsercium ka bka bërë ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OShP) me pretendimet se Komuna e Prizrenit ka bërë shkelje të neneve të LPP.
Në ankesë thuhet se Komuna e Prizrenit ka bërë shkelje të Ligjit të Prokurimit Publik 04/L-042 (qëllimi, shfrytëzimi më efikas, më transparent dhe më i drejtë i fondeve publike) i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin Nr.04/L-237, Ligjin Nr.05/l-92.
Më pas sipas konsorciumit komuna nuk ka respektuar as nenin 6 të LPP që ka të bëjë me ekonomicitetin dhe efikasitetin, nenin 59 të LPP ekzaminimin, vlerësimin dhe krahasimin e tenderëve si dhe nenin 62 përfundimi i aktivitetit të prokurimit.
Për këtë tender në dhjetor të vitit 2017 Gjykata e Tenderëve kishte gjetur se Komuna e Prizrenit i kishte eliminuar nga gara në mënyrë të kundërligjshme operatorët në tenderin për teleferikun e këtij qyteti.
Kujtojmë se projektin për ndërtimin e teleferikut me vlerë të parashikuar 3 milionë e 470 mijë euro të hapur nga Komuna e Prizrenit në 2017-ën e kishin refuzuar edhe shoqëria civile, por edhe Këshilli për Trashëgimi Kulturore për Qendrën Historike të Prizrenit dhe Departamenti i Trashëgimisë Kulturore.
Hapësira prej rreth 400 metrash katrorë afër kalasë, kishte rënë në kundërshtim edhe me Ligjin për Qendrën Historike të Prizrenit.
Sipas këtij ligji, aktivitetet ndërtimore apo transformuese në Qendrën Historike të Prizrenit, nuk duhet të tejkalojnë 150 metra katrorë.
Mosrespektimi i këtij neni, sipas Arbnor Morinës, nga Këshilli për Trashëgimi Kulturore, ka ndikim edhe në ndryshimin e pamjes së kalasë.
Të pakënaqur me projektin final janë edhe pjesëtarë të shoqërisë civile.
