Connect with us

Aktuale

Serena Del Mar, “qyteti i ëndërruar” që po ndërtohet privatisht [foto]

Published

on

“Duket utopiane, e di”, thotë Daniel Haime, teksa qëndron mbi hartën e Serena del Mar, qytetit që po ndërton në Detin Karaibean. Ai ka në plan të transformojë një territor prej më shumë se 1000 hektarësh, (në dalje të Kartagjenës, në Kolumbi, të blerë nga familja e tij në vitin 1968) në një metropol plot gjallëri ku lojtarët e pasur të golfit do të jetojnë me emigrantët e varfër.

Do të ketë spitale moderne, shtëpi për familje me pak të ardhura dhe shkolla shtetërore. Do të ketë një mol për varka, korsì biçikletash, një hotel luksoz dhe restorante buzë detit. Një ditë, “vaporetët”, tragetet e vegjël autobusë, mund ta lidhin Serena Del Mar me qendrën e qytetit të Kartagjenës.

Kjo duket si kohë e mbarë për të ndërtuar një qytet në Kolumbi. Në vitin 2016, qeveria dhe grupi rebel FARC nënshkruan një marrëveshje paqeje që i dha fund një konflikti 50-vjeçar. Ekonomia është gjallëruar nga një optimizëm i kujdesshëm. Bogota dhe Medellin, dy qendrat më të mëdha, janë bërë qytete model për stilin urban dhe “smart”. Por jo Kartagjena. Mund të jetë vërtet një nga qytetet me rritjen më të shpejtë, por, sipas Nikolas Galarza Sançez, një studiues në “Institutin Marron për Menaxhim Urban” të Universitetit të Nju Jorkut, është gjithashtu një shembull se si nuk duhet të zgjerohet një zonë urbane.

Është zgjeruar në një mënyrë tipike për Amerikën e Jugut: pallate të larta për të pasurit, të ndërtuara buzë detit, dhe lagjet e të varfërve, të cilët kanë ngritur ndërtesa të shëmtuara dhe informale në zona ku shpesh ka përmbytje.

Galarza dhe kolegët e tij po punojnë me qeverinë kolumbiane që të menaxhohet rritja e popullsisë në 100 qytete të ndryshme nëpër të gjithë vendin.

Universiteti i Biznesit të Andesit

Serena Del Mar ndodhet rreth 11 kilometra më larg, përgjatë bregut, dhe po zhvillohet privatisht nga kompania e Haimes, “Novus Civitas”. Ai planifikon të mbulojë një pjesë të rritjes së qytetit. Pas 30 vitesh mund të ketë rreth 100,000 banorë. Plani bazë (Masterplani) është skicuar nga EDSA, një firmë amerikane që përqendrohet shumë te ndërtimet e gjelbra. Dizenjot e tyre përballen me dy sfida të mëdha: qyteti duhet të përballojë edhe rritjen e shpejtë të popullsisë, edhe ndryshimet klimatike.

Shumica e qyteteve të zhvilluara së fundmi nëpër botë bazohen te idetë e La Korbusierit, i cili mbështeste shembjen e qendrave historike dhe zëvendësimin e tyre me super-blloqe pallatesh të rrethuara nga gjelbërimi, ose “kulla në park”, pa i kushtuar shumë vëmendje ndryshimeve në mjedis. Vizioni i Haimes është për një qytet të gjelbër, ku dizenjoja udhëhiqet nga natyra. Ai është frymëzuar nga veprat e Ian McHarg, arkitekt skocez dhe një nga pionierët e ndërtimit ekologjik, që në vitet 1960.

Mes arkitektëve për Serena del Mar është edhe Brandon Haw, firma e të cilit merret me katër ndërtesa, përfshi një shkollë biznesi për Universitetin e Andesit. “Ajo që na mëson historia”, thotë ai, “nuk është stili, por mënyra se si njerëzit i organizonin qytetet dikur, në mënyrë që të zbuteshin kushtet e klimës.” Ashtu si në qytetin e vjetër të Kartagjenës, ku rrugët kanalizonin erën dhe shtëpitë ndërtoheshin pas oborresh me pemë, edhe universiteti kap flladet e veriut dhe i shtyn si hinkë drejt një rezervuari dekorativ në qendër, i cili pastaj ndihmon që të freskohet hapësira. Fletët vertikale, ndryshimi modern që po u bëhet fletëve horizontale të grilave koloniale, që u vendoseshin dritareve, e mbrojnë fasadën nga drita e diellit.

Qendra tregtare e qytetit do të ndërtohet rreth një kanali me përrenj që zgjaten përmes zonave të banuara. Tre të katërtat e zonës do të përbëhen nga parqe, lumenj të mbrojtur, bimë rizofore (bimë që zhvillojnë rrënjë si degë të forta në ujë, aty ku trupi ujor lidhet me bregun, duke ndihmuar shumë kundër përmbytjeve), dhe me pemë Samani,  (pemë me kurorë shumë të madhe, që rriten në Amerikën e Jugut).

Parqet do të kenë shumë pemë Samani, me kurora gjigante, që rriten në Amerikën e Jugut.

Kanalet do të jenë të hapur, që uji i detit të freskojë rizoforet. Kur të bjerë shi, uji do të kalojë përmes luginave, të cilat nuk janë të përshtatshme për të ndërtuar shtëpi, por të shkëlqyera për fusha golfi, pasi vaditja e përhershme i mban fushat gjithnjë të gjelbra. Themelet e ndërtesave do të jenë përmbi nivelin e detit, që të mbrohen nga rritja e nivelit të ujit në të ardhmen.

Në brigje do të ketë bimë rizofore kundër përmbytjeve

Dhe meqë pabarazia e të ardhurave ekonomike është shumë e lartë në Kolumbi, ajo që e bën këtë projekt më të pazakontë se të tjerët është ndjeshmëria e planifikuesit ndaj problemeve shoqërore. Ashtu siç ndodh në qytetet e tjera të Kolumbisë, edhe në Kartagjenë po shpërngulen banorë që duan t’i shpëtojnë dhunës së lartë në zonat rurale. Disa dekada më parë, një grup refugjatësh nga zonat e largëta të vendit, u vendosën për të jetuar në një plazh që tani është pjesë e Serena Del Marit.

Pronarët e tokës kanë një detyrim ligjor që të bien dakord me ata që banojnë në tokën e tyre për mënyrën se si do të zhvillohet zona, një ligj që shpeshherë është mënjanuar. Por pasi e nënshkroi marrëveshjen në prani të zyrtarëve shtetërorë, Haime premtoi se Serena Del Mar do të kishte shtëpi, shkolla dhe vende pune për këta banorë. Shtëpitë e tyre do të mbeten aty ku janë. Kur të duan të zgjerohen, në zonën e tyre do të ketë shtëpi me çmim të lirë.

Ndërtimi i kësaj vepre ka nisur dhe shumë shpejt pritet të nisin funksionet e para, si hapja e universitetit dhe shpërngulja e familjeve. Do të ketë autobusë në stacione dhe një spital me 400 shtretër, të modeluar nga firma e njohur e Moshe Safdie, me konsulentë nga John Hopkins Medicine International. Spitali do të pranojë pacientë të mbuluar nga sigurimet shtetërore të Kolumbisë.

Më shumë se 50% e popullsisë së botës jeton në qytete, dhe OKB parashikon se kjo shifër ka për të shkuar në 66% deri në vitin 2050. Nëse plani i Haimes do të jetë pozitiv, nëse lojtarët e pasur të golfit përzihen në mënyrë të suksesshme me emigrantët e varfër, ndërtuesit do të vijnë të studiojnë se si e bëri.

Rebecca Dalzell, The Economist

Aktuale

Deodorantë, shishe uji plastike…: Çfarë nuk duhet të lini në vetura në ditët e nxehta?

Published

on

Dielli dhe nxehtësia kanë një efekt shkatërrues në disa gjëra që përdorim dhe nuk është e mençur t’i lëmë në vetura.

Duket e arsyeshme të mbani një shishe me ujë në veturën tuaj gjatë një vale të nxehtë. Megjithatë, bisfenoli A dhe ftalat në plastikë, kimikate që veprojnë si lidhës dhe e bëjnë plastikën fleksibël, po shkaktojnë shqetësim tek ekspertët që studiojnë efektet e tyre në shëndetin e njeriut. Lënia e ujit në shishe plastike në një makinë të nxehtë mund të bëjë që këto substanca të lëshohen në ujë, shkruan The Sunday Times.

Nxehtësia e madhe në vetura mund të dëmtojë bateritë e të gjitha pajisjeve që i përdorin, që nga kompjuteri, celularët… Ka edhe shishe me krem kundër diellit, të cilat nuk duhet t’i lini në diell (një paradoks interesant, apo jo?) sepse në disa raste mund të shpërthejnë. Më pas janë të gjitha spërkatjet, nga deodoranti tek llaku i flokëve. Kur temperatura arrin rreth 48 gradë Celsius, presioni në rezervuar rritet mjaftueshëm për të shkaktuar një shpërthim, thonë ekspertët. Kornizat plastike të syzeve të diellit mund të shtrembërohen dhe zbardhen, dhe lentet mund të shtrembërohen.

Disa ilaçe, si antibiotikët, duhen mbajtur në frigorifer. Ilaçet në përgjithësi nuk e tolerojnë nxehtësinë dhe disa prej tyre do të bëhen të papërdorshme pas ekspozimit ndaj temperaturave jashtëzakonisht të larta. Nëse përdorni injeksione adrenaline, dobia e tyre zhduket në automjetet e nxehta. E cila, natyrisht, është çështje jete ose vdekjeje.

Buzëkuqi do të shkrihet në temperatura të larta.

Është dokumentuar se kanaçet e gazrave mund të shpërthejnë kur ekspozohen ndaj nxehtësisë ekstreme. Edhe lëngu i portokallit mund të shpërthejë nëse lihet në makinë për një kohë të gjatë, dhe kjo do të thotë një brendshme ngjitëse…

Lënia e çakmakut të disponueshëm në makina në ditët e nxehta nuk është një ide e zgjuar. Shpërthimi i tyre mund të shkaktojë dëme të mëdha dhe madje të thyejë xhamin e përparmë./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Themelohet Oda e Minierave të Kosovës

Published

on

Me ceremoni të mërkurën është bërë hapja e Odës së Minierave të Kosovës që u konsiderua një hap tejet i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, raporton Ekonomia Online.

Themeluesi, Mentor Demi, ka thënë se kjo ceremoni është një hap shumë i rëndësishëm në drejtim të zhvillimit të industrisë së minierave në Kosovë.

Alaudin Kodra, anëtar i Bordit në Odën e Minierave të Kosovës, ka thënë se gjeologjia e Kosovës, është e pasur dhe pikërisht kjo ka qenë një nga arsyet e fillimit të tij për punuar në Kosovë.

“Ligji minerar është ligj i mrekullueshëm i cilësisë së lartë për dallim nga. Pjesa perëndimore e Kosovës është një vazhdimësi e gjeologjisë së Shqipërisë. Kosovës i duhen kompani serioze, dua të iu urojë gjithë të mirat të keni suksese”, ka thënë nder tjera Kodra.

Zëvendësministri i Industrisë, Sipërmarrjes dhe Tregtisë, Mentor Arifaj, ka thënë se kontributi i madh për të ardhur deri te hapja e Odës është për tu vlerësuar.

“Do ta luajë një rol ndërmjet një katalizatori i akterëve të shumtë dhe investitorëve potencial qoftë vendor apo ndërkombëtarë. Oda do ta luajë një rol të rëndësishëm në kuptimin e avancimit duke përfshirë njësi të ndryshme në arenën ndërkombëtare në sektorin e minierave”, ka thënë ai.

Nurten Deva, Rektor i Universitetit Isa Boletini, ka thënë se zhvillimi i industrisë minerare ka një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik.

“E përgëzojë zotëri Demin për guximin që ka ndërmarrë një hap të tillë për themelimin e një odë nga privatët. Nuk e kanë pas mbështetjen e duhur për të arritur vizionin në planet e tyre strategjike”, ka thënë Deva. Andor Lips, Drejtori jo-ekzekutiv në Western Tethyan Resources, ka thënë se Osat kanë shumë të rëndësishme si një lloj urë lidhëse në mes të investitorëve të huaj dhe institucioneve shtetërore./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Gjykata e Apelit anulon vendimin për ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit në Vjosë

Published

on

Pas 10 vitesh nëpër procese gjyqsore, banorët e Mallakastrës fituan të parën betejë ligjore për çështjet mjedisore në vendin tonë. Gjykata Administrative e Apelit në Tiranë anuloi të mërkurën vendimin për ndërtimin e hidrocentralit Poçem në lumin Vjosa. Gjykata i dha të drejtë banorëve dhe organizatave mjedisore, duke konfirmuar aktvendimin e plotë të shkallës së parë dhe argumentet e tij në mbështetje të pretendimeve të paditësve.

Vendimi shënon fitoren përfundimtare të çështjes së parë mjedisore të trajtuar nga Gjykata në Shqipëri.

Beteja ligjore ka nisur në dhjetor të vitit 2016 nga EcoAlbania, EuroNatur dhe Riverwatch, së bashku me 38 banorë të fshatit Kutë në Mallakastër. Ata kundërshtuan ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit, duke pretenduar se “procedurat e ndjekura për dhënien e kontratës koncensionare si dhe procesi i konsultimeve me publikun, ishin zhvilluar në shkelje të legjislacionit shqiptar dhe të konventave ndërkombëtare”.

Banorët dhe organizatat fituan betejën e parë në maj të 2017, kur Gjykata Administrative e Shkallës së Parë vendosi në favor të tyre.

Palët e paditura janë Ministria e Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Avokati i Shtetit (në emër të Ministrisë së Energjisë) dhe shoqëria koncesionare (Kovlu Energy), të cilat apeluan vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Pas 8 vitesh Gjykata e Apelit ka vendosur të rrëzojë padinë e tyre dhe të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Ndërkohë që vijonte kjo betje ligjore, banorë dhe organizata mjedisore si EcoAlbania nisën fushatën në mbrojtje të lumit Vjosa “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës”.

Pas një beteje të gjatë, në Mars 2023, lumi Vjosa dhe degët e tij Drino, Bënça, Shushica dhe Kardhiqi, u shpallën Park Kombëtar duke ofruar mbrojtje ligjore edhe nga 45 hidrocentralet e planifikura për t’u ndërtuar në gjithë basenin e Vjosës.

Drejtues i Eco Albania Olsi Nika në një reagim për mediat tha se “edhe pse ky vendim vjen në një tjetër realitet, pas shpalljes së Parkut Kombëtar të Vjosës, ne e konsiderojmë si një arritje për komunitetin, aktivistët dhe avokatët e angazhuar në mbrojtjen e lumit Vjosa, të cilët e kanë ndjekur këtë çështje me rigorozitet dhe vendosmëri”.

Hidrocentrali i Poçemit, ishte aktpadia e parë e një çështjeje mjedisore në Gjykatën Administrative në Shqipëri. Ajo i hapi rrugën shumë çështjeve të tjera mjedisore të ngritura nga organizatat dhe banorët për të kërkuar të drejtën për ruajtjen e pasurive natyrore të vendit.

Avokati i çështjes Vladimir Meçi tha se vendimi përfundimtar përbën një arritje në ndërtimin e praktikës gjyqësore administrative që lidhet me te drejtën mjedisore në Shqipëri.

“E gjithë ecuria e çështjes së kundërshtimit të ndërtimit të HEC-it të Poçemit në rrugë gjyqësore, është një model pioner për të gjithë ata që kanë qenë pjesë e tij, përfshirë Organizatat, komunitetin, ne avokatët por edhe vetë gjykatën”, tha Meçi./Mediqa Ndërtimi

Continue Reading

Trending