Aktuale
Serbia vazhdon bashkëpunimin me Kinën, 3 miliardë dollarë për infrastrukturë e ndërtim në Serbi

Bashkëpunimi i Sebisë me Kinën po vazhdon. Këtë të martë Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç pati një vizitë dy ditore në Pekin, ku nënshkroi disa marrëveshje miliona dollarëshe për projekte të ndryshme, përfshirë ndërtimin e infrastrukturës, fabrikave dhe parkut industrial.
Zyrtarët serbë të martën nënshkruan marrëveshje me Kinën me vlerë 3 miliardë dollarë gjatë një vizite dy-ditore në Pekin, të cilat përfshijnë investimet ekonomike kineze dhe blerjen e pajisjeve të reja ushtarake nga Beogradi.
“Kontratat që nënshkruam në mënyrë dramatike ndryshojnë pozicionin e Serbisë; ne do të jemi porti për investimet kineze në të gjithë rajonin”, tha në Pekin Presidenti serb Aleksandar Vuçiç.
Vuçiç, i cili bëri udhëtimin në Pekin me disa prej ministrave të tij, i quajti marrëveshjet “injeksione të mëdha në ekonominë tonë”.
Agjencia shtetërore e lajmeve Tanjug njoftoi se presidenti kinez Xi Jinping tha gjatë takimit me Vuçiç se Serbia është një “mik i mirë, i ndershëm dhe një partner i mirë”.
“Ju po mbështesni marrëdhënie të mira afatgjata me Kinën, duke punuar në planin afatgjatë për të përmirësuar marrëdhëniet tona dhe bashkëpunimin tonë, dhe unë e vlerësoj shumë këtë”, tha Xi.
Marrëveshjet e nënshkruara përfshijnë një vlerë prej 900 milionë dollarësh me Shandong Linglong Tire Co të Kinës për të ndërtuar një fabrikë në qytetin verior të Serbisë, Zrenjanin dhe gjithashtu me kompaninë kineze Zijin Mining Group, e cila si një partner strategjik do të investojë 1.46 miliardë dollarë në minierat serbe RTB-Bor gjatë gjashtë viteve të ardhshme.
Marrëveshje të tjera lidhen me ndërtimin e infrastrukturës, siç është ndërtimi i rrugëve dhe i urave në të gjithë Serbinë, si dhe rindërtimi i hekurudhave të vendit.
Serbia gjithashtu nënshkroi një marrëveshje me kompaninë kineze CRBC për të ndërtuar një park industrial pranë Beogradit, i cili do të përfshijë më shumë se 1 mijë kompani kineze, u njoftua.
“Do të jetë parku më i madh industrial kinez në Europë,” tha ministri i ekonomisë Sinisa Mali në një njoftim për shtyp të martën.
Mediat serbe gjithashtu raportuan se gjatë vizitës së Vuçiqit në Kinë ranë dakord që Serbia të blejë gjashtë dronë ushtarakë nga grupi i industrisë së avionëve Chengdu të Kinës, nga të cilat dyja do të armatosen.
Vuçiç tha se Serbia po negocion gjithashtu me një kompani kineze që është e interesuar të investojë në veri të Kosovës.
Sipas Zyrës së Statistikave Serbe, tregtia midis Serbisë dhe Kinës është në rritje.
Në periudhën janar-qershor 2017, në Kinë pati eksport në vlerë 29.4 milionë dollarë. Kjo shifër u rrit në 38.1 milionë dollarë në të njëjtën periudhë të këtij viti.
Importi nga Kina u rrit edhe më shumë. Shuma totale ishte 779.3 milio
në dollarë në gjashtë muajt e parë të vitit 2017, e cila më pas u rrit në 1.026 milionë dollarë në të njëjtën periudhë të këtij viti.
Një raport i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, BERZH, botuar në shtator 2017, pohoi se ka “shqetësime legjitime” për investimet kineze, sepse kompanitë kineze shërbejnë si përfaqësuese për shtetin kinez dhe punësojnë pak për vendasit, ndërsa projektet e infrastrukturës dhe marrëveshjet e kreditimit ngarkojnë qeveritë me detyrime të mëdha e borxhe.
Në vitin 2015, një hetim i BIRN-it tregoi se si Energoprojekt Niskogradnja, kompania e angazhuar për ndërtimin e një pjese të rrugës së korridorit 11 të Beogradit e Malit të Zi, u dha një kontratë prej 75 milionë dollarësh një konsorciumi prej tre firmave të lidhura me partitë në pushtet të Serbisë dhe të cilat kishin pak ose aspak përvojë për ndërtimin e rrugëve.
Marrëveshja ndërshtetërore e vitit 2009 midis Serbisë dhe Kinës për ndërtimin e Korridorit 11 nuk kërkonte mbikëqyrje publike ose publikimin e një tenderi në emërimin e nënkontraktorëve, një klauzolë e shfrytëzuar nga Energoprojekt Niskogradnja, sipas dokumenteve të marra nga BIRN.
