Aktuale
Serbia kërkon që gjysma e Gazivodës të jetë pronë e AKS-së!

Sipas mediave serbe, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq i ka thënë zyrtarëve të BE-së se nuk do të nënshkruajë dhe nuk do të pajtohet që Prishtinës t’i lihet në dorë 100 për qind pronësia e Gazivodës.
Çështja e menaxhimit të Gazivodës nuk është përmendur në asnjë marrëveshje me Prishtinën dhe fjala është për një hidro-potencial shumë të rëndësishëm. Rreth liqenit artificial dhe hidrocentralit Gazivoda, afër Zubin Potokut, dhe nënstacionit të Valaçit po “thyhen shtizat” sepse me të vërtetë, ai që i kontrollon ato ka nën kontroll burimet e energjisë në veri të Kosovës, por edhe burimet e ujit për të gjithë territorin e Kosovës, raporton tutje portali serb Kurir, shkruan zëri.info.
Ato i menaxhon “Elektroprivreda Srbije-EPS” dhe serbët në veri praktikisht nuk e paguajnë energjinë elektrike, gjegjësisht niveli i pagesës është rreth 11 për qind. Gazivoda, përndryshe, gjeneron dhjetëra milionë euro të ardhura çdo vit vetëm nga uji. Pjesë e hidrosistemit është dhe kanali Ibër Lepenc që praktikisht është resurs vital i ujit për territorin e Kosovës, që nga furnizimi me ujë me anë të ujitjes e deri te ftohja e termocentralit në Obiliq. Asetet e këtij kompleksi të tërë janë me vlerë të paçmueshme, dhe Prishtina nuk është pajtuar në Bruksel për një ide të kompanisë përzier që do të themelohej rishtazi, por si një kompani filiale brenda EPS-së. Prishtina nuk dëshiron aspak për të negociuar, duke argumentuar se bëhet fjalë për asetet e tyre, të cilat përndryshe i janë shitur një kompanie turke, e cila megjithatë, nuk mund të hyjë në pronë, sepse ajo është nën kontrollin e EPS-së, ndërsa Beogradi kërkon së paku që gjysma e saj të jetë pronë e Asociacionit të Komunave serbe- AKS, thekson në fund Kurir
