Aktuale
Sektori i ndërtimit me ngecje të mëdha në Raportin e Progresit

Në Raportin e Progresit për vitin 2019, për vendet e Ballkanit Perëndimor, në Kosovë përveç arritjeve që janë gjetur, janë veçuar edhe ngecje në fusha të caktuara, ndër to edhe tek siguria dhe shëndeti në punë.
E një sektor mjaft i rrezikuar po konsiderohet ai i ndërtimit, i cili përveç se nuk ka prosperuar ka shënuar regres për shkak të rritjes së numrit të aksidenteve dhe lëndimeve në vendin e punës.
Kjo gjë, sipas Raportit të Progresit po ndodhë për shkak se Inspektorati i Punës nuk po i ndjek me saktësi këto raste, raporton Ndërtimi.info.
Në raport theksohet se ndonëse është rritur ndjeshëm numri i inspektorëve të punës, megjithatë ky numër vazhdon të jetë i pamjaftueshëm.
“Sa i përket shëndetit dhe sigurisë në punë, korniza mbulon deri në një masë fusha specifike të cilat janë të rregulluara nga direktivat e BE-së. Pavarësisht rregullave ekzistuese për shëndetin dhe sigurinë në punë, fatalitetet në vendin e punë kanë shënuar rritje, prej 14 sa ishin në vitin 2017 në 21 vdekje, sa janë shënuar në vitin 2018. Inspektorati i Punës nuk i ndjek në mënyrë të duhur këto raste, ka shqetësime në lidhje me saktësinë e të dhënave për aksidentet në vendin e punës si dhe nën-raportimin e viktimave. Kjo gjë dëmton planifikimin efektiv dhe synimin e krijimit të masave parandaluese dhe inspektimeve në vendin e punës. Pasi që shumica e aksidenteve me fatalitet janë shënuar në sektorin e ndërtimit, Inspektorati i Punës duhet ta targetojë në mënyrë më efikase këtë sektor. Numri i inspektorëve është rritur ndjeshëm në 2018-tën, por akoma vazhdon të jetë i pamjaftueshëm”, thuhet në raport.
Në lidhje me këtë çështje Ndërtimi.info kishte realizuar një dokumentar i cili shpërfaqë rreziqet e punonjësve në vendin e punës, shkaqet që po çojnë deri tek fatkeqësitë që po përfundojnë me fatalitet si dhe mënyrat se si duhet luftuar ato.
Në dokumentar mund të ndiqni rrëfimet e të lënduarve në vendin e punës të cilët tregojnë si kanë ndodhur aksidentet dhe si janë larguar nga puna pas aksidenteve, poashtu mund t’i gjeni rrëfimet e familjarëve të viktimave të cilët gjetën vdekjen teksa po punonin./Ndërtimi.info/
Më poshtë mund ta gjeni dokumentarin e plotë:
