Aktuale
Së shpejti restaurohet Xhamia e Plumbit

Ministria e Kulturës në Shqipëri, Mirela Kumbaro ka miratuar një projekt për të shpëtuar Xhaminë e Plumbit në Shkodër nga përmbytjet.
Ministrja Kumbaro me anë të një postimi në Facebook ka treguar se projekti do t’i japë zgjidhje plagës kryesore të xhamisë.
“Ministria e Kulturës dhe Instituti i Monumenteve të Kulturës i japin zgjidhje plagës kryesore të Xhaminë e Plumbit në Shkodër, pas miratimit të projektit për restaurimin e saj”, ka shkruar ajo.
Xhamia përmbytet rregullisht nga lumi si edhe nga reshjet e shiut.
Për këtë projekt Ministria e Kulturës ka nisur një bashkëpunim të hershëm me Ambasadën turke.
“Për këtë projekt Ministria e Kulturës ka nisur një bashkëpunim të hershëm me Ambasadën turke dhe Agjencinë turke Tika, duke njohur vështirësinë e ndërhyrjes për shkak se pëson rregullisht përmbytje nga lumi por edhe nga uji i reshjeve,”-shkruan Kumbaro.
Vendimi është marrë në mbledhjen e fundit nga Këshilli Kombëtar i Restaurimeve. Ministrja Kumbaro gjithashtu thekson se ndërhyrja e posaçme kërkon ndërtimin e një dige rreth xhamisë për të mbajtur larg ujrat nga muri strukturor i ndërtesës dhe për t’i dhënë zgjidhje një herë e mirë këtij fenomeni që jo vetëm e bën të papërdorshme Xhaminë e Plumbit por edhe ka dëmtuar vlera të saj, që tashmë do të jenë objekt restaurimi.
“Tashmë vjen faza e vështirë e zbatimit të këtij projekti kompleks, por që do të shtojë një destinacion të ri për t’u vizituar në Shkodrën e kulturës dhe të diversitetit fetar,“-përfundon Kumbaro në statusin e saj.
Xhamia e Plumbit është ndërtuar në vitit 1773-1774 nga Mehmet Pashë Bushatliu, ajo është shpallur Monument Kulture në vitin 1973 dhe është e vetmja xhami e ngelur në këtë zonë nga periudha osmane.
